Lajme nga vendi
MICKOSKI: ZGJEDHJET NË BRVENICË NUK NDRYSHOJNË MARRËVESHJEN ME VLEN!
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve në Komunën e Brvenicës nuk ndikojnë në marrëveshjen me koalicionin VLEN për ndarjen e pozitave në pushtetin ekzekutiv.
Rikonstruimi i niveleve të dyta dhe të treta të pushtetit pritet të përfundojë deri në fund të nëntorit, ndërsa në dhjetor është dakorduar një takim i liderëve të koalicionit qeverisës.
I pyetur nëse VLEN-i do të marrë më pak pozita gjatë rikonstruimit pas zgjedhjeve në Brvenicë, Mickoski iu referua marrëveshjes së arritur dhe fjalës së dhënë, duke theksuar se ajo vlen deri në vitin 2028, kur janë paraparë zgjedhjet e rregullta parlamentare.
„Kjo nuk është çështje matematike, por çështje e thelbit të marrëveshjes së arritur gjatë formimit të koalicionit në qershor të vitit 2024. Nuk kam ndërmend të bëhem viktimë e politikës ditore, sepse fjala është fjalë. Marrëveshja vlen deri në vitin 2028, kur mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Kemi biseduar me udhëheqësinë e VLEN-it dhe kemi vendosur që, pasi të përcaktojmë çështjet e tjera të rëndësishme shtetërore, në nivel pune, përmes komisioneve partiake për kuadro, t’i konkretizojmë propozimet“
Nga VLEN për Tv Koha thanë se bëhet fjalë për një takim të rregullt, ku janë diskutuar çështjet aktuale politike dhe janë definuar disa procese të rëndësishme
Sipas tyre, për çështjen e Zv/Ministrave dhe Drejtorëve do të ketë një takim shtesë ditëve në vijim, kurse në dhjetor mbahet takim i rregullt i gjithë koalicionit qeveritar.
Kryeministri komentoi edhe deklaratën e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se mund të largohet nga Qeveria nëse provimi i jurisprudencës mbahet edhe në gjuhën shqipe. Mickoski tha se vendimi i takon Dimitrievskit, duke përsëritur qëndrimin e tij se Qeveria është stabile./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Të rinjtë deri në moshën 40 vjeç dhe prindërit vetushqyes do të ndërtojnë shtëpinë e parë pa taksa komunale në Gjorçe Petrov
Këshilli i Komunës së Gjorçe Petrovit miratoi një vendim me të cilin çiftet e reja bashkëshortore dhe prindërit vetushqyes do të lirohen plotësisht nga pagesa e pjesës komunale të taksave komunale gjatë ndërtimit të shtëpisë së tyre të parë familjare.
Masa u referohet çifteve bashkëshortore, në të cilat të paktën njëri nga bashkëshortët është deri në moshën 40 vjeç, si dhe prindërve vetushqyes të së njëjtës moshë.
Për ta realizuar të drejtën e lirimit nga pagesa, aplikuesit duhet të ndërtojnë shtëpinë e tyre të parë familjare për banim personal, me një njësi banimi dhe sipërfaqe të përgjithshme bruto deri në 120 metra katrorë. Përveç kësaj, asnjëri nga bashkëshortët, përkatësisht prindi vetushqyes, nuk duhet të posedojë ndonjë pronë tjetër të paluajtshme banesore, as në pronësi të vetme dhe as në bashkëpronësi.
Mbështetja do të vlejë në të gjithë territorin e komunës, si në pjesën urbane, ashtu edhe në atë rurale.
Vendimin e bëri të ditur kryetari i komunës, Aleksandar Stojkoski, i cili theksoi se qëllimi është t’ua lehtësojë familjeve të reja ndërtimin e shtëpisë së parë dhe t’i nxisë që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Gjorçe Petrov.
Masa është pjesë e një iniciative më të gjerë për uljen e shpenzimeve për ndërtimin e shtëpisë së parë familjare. Qyteti i Shkupit paraprakisht kishte paralajmëruar lirimin nga 60 për qind e taksave komunale, përkatësisht nga pjesa që i takon Qytetit. Me përfshirjen edhe të komunës, familjet e reja në Gjorçe Petrov përfitojnë lirim të plotë nga shuma e përgjithshme e kompensimit.medial.mk
Lajme nga vendi
Mexhiti: BDI po tenton ta keqpërdorë Badinterin për ta bllokuar Ligjin për provimin e jurisprudencës në shqip
Mexhiti: BDI po tenton ta keqpërdorë Badinterin për ta bllokuar Ligjin për provimin e jurisprudencës në shqip
Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti sot ka kritikuar BDI-në në lidhje me keqpërdorimin e Badenterit. Mexhiti në profilin e tij në Facebook shkruan se BDI po tenton që nëpërmes Badenterit të bllokojë ligjin për gjuhën shqipe.
“BDI sot me krekosje po kërcënon se do ta bllokojë Ligjin për provimin e jurisprudencës në Parlament duke keqpërdorur Badinterin – parimin kushtetues i cili është ndërtuar si mekanizëm që duhet të mbrojë shqiptarët nga majorizimi.
Por, parimi i Badinterit është rezultat i negociatave për Marrëveshjen e Ohrit. Palë negociuese në atë proces nuk kanë qenë partitë politike, por kanë qenë shqiptarët dhe maqedonasit.
Prandaj: Parimi i Badinterit nuk është mekanizëm i ndërtuar që shqiptari ta bllokojë shqiptarin; Badinteri nuk është instrument për gara partiake mes partive shqiptare; Votimi i dyfishtë u bë mekanizëm kushtetues që t’i mbrojë shqiptarët nga majorizimi, jo të majorizojë disa shqiptarë nga shqiptarë të tjerë.
Keqpërdorimi i Badinterit sot për interesa partiake rrezikon të prodhojë domino efekt nesër, kur secili subjekt partiak mund të kujtohet që të gjejë forma për ta manipuluar votimin e dyfishtë dhe për të mbivotuar shqiptarët.
Pra, Badinteri nuk guxon të keqpërdoret nga opozita shqiptare si instrument bllokues kundër një ligji që avancon të drejtat e shqiptarëve dhe që, për herë të parë në historinë e vendit, u mundëson studentëve shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare”, shkruan Mexhit.
Lajme nga vendi
LIGA E TRETË: KORABI – REÇICA HAPIN SIPARIN E XHIROS SË 11-të
Java e 11-të e sezonit vjeshtor në Ligën e tretë rajoni i gjashtë është caktuar të zhvillohet të shtunën dhe të dielën me fillim në ora 13:30.
Kampionati në Ligën e Tretë – Rajoni i Gjashtë, vazhdon të shtunën dhe të dielën me ndeshjet e javës së 11-të , të sezonit vjeshtor.
Sipari i javës së 11-të hapet të shtunën në Dibër me ndeshjen mes Korabit dhe Reçicës me fillim në ora 13:30. Kujtojmë se dy këto skuadra janë në pjesën e poshtme të tabelës .
Pesë takimet tjera të kësaj jave do të zhvillohen të dielën, ndërsa ndeshje më interesante është takimi mes Xhepçishtit dhe liderit në renditjen e tabelës Drita e Bogovinës.
Pretendenti tjetër për kreun e tabelës Dobroshti është nikoqire e Jehonës së Përshevcës.
Gradeci në stadiumin e Vrapçishtit do të përballet me ekipin Liria të Zhelinës.
Në Bërvenicë takohen Vardari – Skënderbeu, ndërsa Gostivari është nikoqir i Cetinskës.
Të gjitha ndeshjet e së dielës fillojnë në ora 13:30.
Shaban Sinani – TV Koha
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13
-
Lajme nga vendi2 months agoSot protestohet në Shkup për katërshen e UÇK-së

