Lajme nga vendi
Nikolloski prezanton mundësitë ekonomike para investitorëve japonezë
Maqedonia ofron kushtet më të mira dhe më konkurruese për investime në të gjithë rajonin. Kemi rritje të vazhdueshme të BPV-së, rritje në industri dhe njëmbëdhjetë tremujorë rritje në ndërtim. Gjithashtu, politika tatimore është më e favorshme sepse kemi taksat më të ulëta në rajon, gjë që e bën vendin tërheqës për investime, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një takim me përfaqësuesit e Organizatës Qeveritare Japoneze për Avancim të Tregtisë së Jashtme (JETRO).
Lidhur me krizën globale, siç theksoi Nikolloski, Maqedonia po përpiqet të ruajë tregues të mirë ekonomikë.
“Me krenari mund të themi se në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore kemi inflacionin më të ulët, i cili mesatarisht është rreth 3%, që është në përputhje me mesataren evropiane. Sa i përket bruto prodhimit të brendshëm, jam shumë i kënaqur që institucionet financiare relevante si FMN-ja dhe Banka Botërore i kanë korrigjuar parashikimet e tyre dy herë dhe pres që ta përfundojmë këtë vit me një rritje prej 3.8% të BPV. Dy vjet kemi rritje të qëndrueshme të bruto proshimit të brendshëm, gjithashtu, rritja e prodhimit industrial shënon lëvizje pozitive, dhe në ndërtim kemi rritje për 11 tremujorë radhazi. Në atë drejtim, vendosëm të investojmë si me fonde buxhetore ashtu edhe me fonde private, dhe kjo mund të shihet në terren”, theksoi Nikolloski.
Sipas tij, Maqedonia ka bindshëm politikën tatimore më të ulët në rajon. Vendi ka nënshkruar Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave me BE-në, dhe mbi këtë bazë, lehtësimin e tregtisë me vendet anëtare të BE-së.
“Maqedonia është anëtare e CEFTA-s dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë EFTA-s. Kemi nënshkruar Marrëveshje të Tregtisë së Lirë edhe me BE-në, kështu që mund të eksportojmë pa taksa shtesë. Gjithashtu kemi nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Strategjik me Britaninë e Madhe, Turqinë, Hungarinë dhe SHBA-në. Ajo që dua të them është se Maqedonia ka tatimet më të ulëta tatimore në rajon. Tatimi mbi të ardhurat personale është 10%, tatimi mbi fitimin është gjithashtu 10%, që do të thotë se fitimi nuk tatohet nëse riinvestohet. Ne kemi një fuqi punëtore të trajnuar mirë, arsimi dual përdoret në vend”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Tha edhe se pret thellim të marrëdhënieve midis dy vendeve, si në aspektin e shkëmbimit tregtar, por edhe në aspektin e investimeve dhe formave të tjera të bashkëpunimit ekonomik.
JETRO është një organizatë qeveritare për tregti të jashtme që inkurajon tregtinë ndërkombëtare, investimet dhe bashkëpunimin afarist midis Japonisë dhe pjesës tjetër të botës. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
SËRISH DENONCIME PËR “BOMBA” NË SHKOLLAT E TETOVËS!
Katër shkolla në Tetovë sot kanë marrë njoftime për vendosjen e bombave, por kontrollet policore kanë vërtetuar se bëhet fjalë për alarme të rreme.
Pas tri shkollave fillore, të cilat i morën kërcënimet gjatë orëve të mëngjesit, pasditen e sotme është dërguar edhe një mesazh për një mjet shpërthyes të pretenduar në Gjimnazin e Tetovës.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë për Tv Koha e kanë konfirmuar informacionin.
Prej atje bëjnë të ditur se kërcënimet e para kanë arritur në adresën elektronike të policisë për ankesa dhe kanë të bëjnë me Shkollën Fillore „Liria“, dhe shkollat private „Marif“ dhe „Jahja Kemal“.
Më vonë gjatë ditës ka arritur edhe një kërcënim tjetër, kësaj radhe për Gjimnazin.
Sipas informacioneve të policisë, mesazhet elektronike janë dërguar nga adresa të ndryshme, të cilat menjëherë më pas janë fshirë.
Zyrtarët policorë kanë kryer kontrolle në terren dhe kanë konstatuar se kërcënimet janë të rreme.
Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se po ndërmarrin masa për zbulimin e personit që ka dërguar mesazhet kërcënuese.
Ndryshe, më 17 nëntor 2026, në periudhën nga ora 05:45 deri në 07:25, zyrtarë policorë nga Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit , në bashkëpunim me zyrtarë të Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Njësisë Policore të Zherovjanit pranë SPB-së Tetovë, kishin kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të një 18-vjeçari në fshatin Radiovcë të Tetovës.
Bastisja ishte realizuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale sipas nenit 366 të Kodit Penal, përkatësisht për dhënie të rrejshme të alarmit për vendosjen e bombës në shkollën e mesme komunale – gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kredia hungareze: Qeveria lëshon miliona të tjera për bizneset, shuma arrin në 242 milionë euro!
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka transferuar 45,2 milionë denarë shtesë nga buxheti shtetëror në Bankën Zhvillimore, për financimin e investimeve të kompanive vendase.
Me këtë transfertë, shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara për sektorin privat nga kredia hungareze ka arritur në 14,9 miliardë denarë, përkatësisht 242 milionë euro, nga gjithsej 250 milionë euro të planifikuara.
Fondet shpërndahen përmes bankave komerciale, me normë interesi prej 1,95%, afat shlyerjeje deri në 15 vjet dhe periudhë faljeje deri në tre vjet.
Sipas autoriteteve, masa synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Lajme nga vendi
1.040 raste të dyshimta në polici: 34 policë me kallëzime penale, 13 për tejkalim të forcës!
Kontrolli i Brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka trajtuar 1.040 raste të dyshimeve për veprime të paligjshme, joprofesionale dhe joetike të punonjësve të policisë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas raportit zyrtar, gjatë kësaj periudhe janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 64 personave, prej të cilëve 34 janë policë.
Vëmendje të veçantë tërheqin rastet e përdorimit të forcës fizike. Nga 54 raste të shqyrtuara, në tri është konstatuar përdorim i pabazuar i forcës, ndërsa për pesë të tjera procedurat ende vazhdojnë.
Për këto shkelje janë ngritur tri kallëzime penale ndaj gjithsej 13 zyrtarëve policorë.

