Lajme nga vendi
Mijëra puntorë s’kanë marrë K-15
SELAMI: KA KEQPËRDORIME POR PUNËTORËT LE T’I PARAQESIN TE INSPEKTORATI
Kanë mbetur vetëm dy ditë deri në fund të vitit kalendarik, por mijëra punëtorë ende nuk e kanë marrë K-15 gjegjësisht regresin vjetor, tregojnë të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura publike. Kjo e drejtë është e disponueshme për çdo punonjës që ka qenë në një kompani për më shumë se gjashtë muaj. Sipas ligjit duhet të paguhet së paku 40 për qind nga paga mesatare aktuale, e cila tani është 31.831 denarë, që do të thotë se K-15 këtë vit është më së paku 12.740 denarë.
“Apeloj tek të gjithë punëtorët aty ku nuk janë të paguar t’i paraqesin rastet te Inspektorati i Punës ato punëdhënës që nuk ua paguajnë por edhe rastet kur punëdhuësi ua jep K15 pasaj ua merr, punëtorët le t’i paraqesin dhe t’i denoncojnë ato punëdhënës” – tha AbdylSamet Selami, zv/drejtori i DAP-it
Shumica e punëtorë të cilët nuk janë të organizuar me sindikata në ndërmarrjet ku punojnë, nuk kanë marrë K15. Të drejtë të K15 kanë të gjitha ndërrmarjet të cilët kanë kontrata kolektive.
“Në këtë periudhë krize prandaj edhe u apeloj të gjithë drejtorët e kompanive private, drejtoritë dhe institucionet shtetërore që të bëjnë pagesën e K15. Ne si DAP kompetencat për kontrollet për pagesën e K15 nuk i kemi por jemi në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës dhe i japim të gjitha të dhënat për atë se kush ka bërë pagesën” – tha AbdylSamet Selami, zv/drejtori i DAP-it.
Ndryshe këtë vit deri më 20 dhjetor gjithsjej 222 mijë e 599 punëtor kanë marrë K15. Gjegjësisht 191 mijë e 580 punëtor kanë marrë K 15 me shumë prej 10 mijë denarëve, 11 mijë e 240 kanë marrë prej 9-10 mijë denarë dhe 19 mijë e 779 kane marrë 9 mijë denarë. Vitin e kalur gjithsej 316 mijë 926 punëtor që kanë marrë mbi 10 mijë denarë, 25 mijë e 188 kanë marrë prej 9 deri 10 mijë denarë dhe 6 mijë e 606 punëtorë kanë marrë më pak se 9 mijë denarë. /KlanMacedonia/
Lajme nga vendi
SHGM: Të sigurohet respektim dhe punë e papenguar e punonjësve mediatikë në vendvotime

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) u bën apel Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), komisioneve komunale zgjedhore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vazhdojnë të sigurojnë qasje të papenguar dhe kushte pune për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në të gjitha vendvotimet. Informimi profesional, i saktë dhe në kohë i publikut për rrjedhën e procesit zgjedhor është thelbësor për besimin në zgjedhje, informon PressOnline.al
Deri te SHGM këtë mëngjes janë raportuar disa raste të pengimit të punës së ekipeve gazetareske:
Shkup: Komuna Karposh, (IM 2626) ndaj gazetares Elida Zulbeari ka pasur përpjekje për t’i marrë telefonin celular dhe sjellje të pahijshme nga zëvendëskryetari i komisionit, pas çka ka pasur ndërhyrje nga MPB, për çka do të kërkojmë nga KSHZ të ndërmarrë sanksione ndaj zyrtarit.
Ohër (IM 1270): Një ekipi nga televizioni publik iu pamundësua hyrja në orët e hershme të mëngjesit me arsyetimin se, përveç legjitimitetit gazetaresk, duhet të posedojë edhe “akreditim nga KSHZ”. Pas reagimit të kolegëve dhe ndërhyrjes në vendngjarje, hyrja u mundësua dhe puna vazhdoi.
Tetovë: Një gazetar u pengua të marrë deklaratë nga anëtarë të këshillit zgjedhor, me arsyetimin për “mungesë të akreditimit”.
SHGM apelon deri te KSHZ dhe MPB që menjëherë t’i njoftojnë të gjitha këshillat zgjedhore dhe personat zyrtarë se për gazetarët nuk kërkohet akreditim nga KSHZ, me qëllim të shmangen keqkuptime të reja gjatë ditës. Do të vazhdojmë t’i ndjekim rastet, të reagojmë institucionalisht dhe të informojmë për rezultatet.
Theksojmë se për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në Maqedoni, përveç legjitimitetit gazetaresk nga mediumi për të cilin raportojnë, nuk kërkohet ndonjë akreditim i veçantë nga KSHZ për prani dhe raportim nga vendvotimet. Prandaj, këshillat zgjedhorë, zyrtarët policorë, vëzhguesit dhe/ose faktorë të tjerë nuk kanë bazë ta kushtëzojnë punën e tyre me leje shtesë. Njëkohësisht, SHGM bën thirrje për respektim të rregullave zgjedhore: gazetarët kanë të drejtë të xhirojnë ambientin e përgjithshëm dhe deklaratat, pa cenuar fshehtësinë e votimit dhe pa penguar zhvillimin e procesit.
I bëjmë thirrje këshillave zgjedhorë nga të gjitha vendvotimet:
-
të mundësojnë hyrje të papenguar për ekipet gazetareske me legjitimitet të dukshëm gazetaresk;
-
të lejojnë xhirime dhe deklarata në hapësirat ku kjo nuk rrezikon fshehtësinë e votimit;
-
në rast të keqkuptimeve, së pari të kërkojnë udhëzime nga KZK/KSHZ, në vend që të kufizojnë hyrjen.
I inkurajojmë edhe gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët:
-
gjithmonë të mbajnë legjitimitetin gazetaresk dhe të prezantohen nëse kërkohet;
-
të respektojnë udhëzimet e këshillit, kur ato kanë të bëjnë me fshehtësinë e votimit;
-
në rast të ndonjë pengese, menjëherë ta evidentojnë rastin (kohën, vendin, vendvotimin, personat) dhe të kontaktojnë SHGM-në.
Për ndihmë juridike dhe praktike, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund t’u drejtohen koordinatorëve rajonalë të SHGM-së në Shtip, Strumicë, Bitola, Ohër, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe kontakteve të SHGM-së në Shkup.
SHGM mbetet në dispozicion për çdo mbështetje që do të mundësojë raportim profesional, të sigurt dhe të papenguar nga vendvotimet.
Lajme nga vendi
MPB: 2 të arrestuar dhe 5 të thirrur, për blerje votash

Dy persona janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë thirrur në bisedë informative nga policia, në lidhje me veprën penale të blerjes së votave gjatë zgjedhjeve.
“Sot, rreth orës 09:00, në rrugën ‘Dabinqka’ në Prilep, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria B.H. (72) dhe D.S. (36), të dy nga Krusheva, për shkak të dyshimit për përfshirje në veprën ‘blerje votash gjatë zgjedhjeve’. Në lidhje me të njëjtën ngjarje, në Stacionin Policor të Prilepit janë ftuar për bisedë informative edhe S.A. (28), M.A. (31), Sh.A. (40), D.A. (22) dhe Xh.A. (36), gjithashtu nga Krusheva me vendbanim në Prilep”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjithashtu, janë paraqitur disa denoncime për agjitacion gjatë procesit të votimit në disa vendvotime, por sipas autoriteteve, pas ndërmarrjes së masave të nevojshme, deri më tani nuk janë konfirmuar këto pretendime.
Lajme nga vendi
ODIHR: Vëzhguesit ndërkombëtarë monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, jo vetëm ditën e votimit

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale në vend, Mateo Mekaci, deklaroi sot se vëzhguesit po monitorojnë të gjithë aspektet e lidhura me procesin zgjedhor. Ai theksoi se nuk është i rëndësishëm vetëm dita e zgjedhjeve, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së votimit.
Gjatë vizitës në vendvotimin e Shkollës Fillore “Liria” në komunën e Çairit, Mekaci theksoi se Misioni përbëhet nga 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët mbikëqyrin procesin në të gjithë territorin e vendit.
“Ne jemi këtu si një mision ndërkombëtar vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar nëse gjithçka po zhvillohet sipas standardeve. Ky vendvotim që shihni pas nesh është një nga shumë vendvotime që po monitorojmë. Misioni ynë përbëhet nga rreth 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të shpërndarë në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Mekaci.
Ai shtoi se misioni është vendosur shumë para ditës së zgjedhjeve, me 24 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në gjithë vendin, të cilët monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor.
“Siç thamë, nuk është i rëndësishëm vetëm dita e votimit, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së zgjedhjeve. Ne monitorojmë të gjithë aspektet që lidhen me zgjedhjet: regjistrimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e fushatës, qasjen në media, votimin gjatë ditës së zgjedhjeve, numërimin e votave dhe të tjera”, përfundoi Mekaci.