Lajme nga vendi
Maqedoni: Dyqanet pa bukë, prodhuesit në grevë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që nga 1 marsi të kufizojë çmimin e bukës në 33 denarë (0.50 euro) nga rreth 1 euro sa arrinte deri tani, si dhe të ndërpresë subvencionimin e energjisë elektrike për të gjitha kompanitë që nuk e respektuan marrëveshjen për uljen apo mbajtjen nën kontroll të çmimeve të produkteve bazë të ushqimit.
Kjo ka bërë që kompanitë kryesorë të prodhimit të bukës të ndërpresin punën dhe për pasojë qytetarët u përballën me vështirësi gjatë furnizimit me bukë.
Disa prej tyre iu drejtuan furrave më të vogla që edhe kanë çmim më ulët të bukës, ndërsa të tjerë bukën e gatuajnë në shtëpitë e tyre.
Qytetarët e anketuar arsyetojnë vendimin e Qeverisë pasi çmimi i bukës, sipas tyre, asnjëherë nuk ka qenë më i lartë se në dy vjetët e fundit.
Bekim Ibrahimi nga Shkupi, thotë se në familjen e tij shpenzohen deri në katër bukë në ditë, që kushtojnë rreth 200 denarë apo 3.5 euro.
Ai thotë se në muaj harxhojnë mbi 100 euro për bukë, shifër kjo e papërballueshme krahasuar me pagën mujore që sillet në rreth 450 euro.
“Buka është shtrenjtuar shumë. Ne jemi gjashtë anëtarë në familje dhe çdo ditë blejmë nga tre deri katër bukë. Ndodh që të blejmë edhe më shumë, sipas nevojave”, thotë Ibrahimi.
Rritja e çmimit ka bërë që në shumë familje të gatuhet buka për shkak të çmimit më të arsyeshëm të miellit, por edhe pamundësisë për të blerë bukë.
“Çmimi i bukës është rritur shumë… Ka një vit që gatuajmë në shtëpi sepse pak më lirë na del”, thotë Islami, pensionist.
“Gatuajmë në shtëpi. Çdo amvise këtë mund ta bëjë. Nuk është një punë e rëndë”, thotë Jovanka.
“Le të mos prodhojnë, do të blejmë miell dhe do ta gatuajmë vetë bukën. Ato duhet të mbyllen sepse janë duke u pasuruar në shpinën e popullit. Në ambalazhin e bukës shkruan se ajo peshon 550 gramë, por në realitet ajo peshon 470 gramë. Pra, në çdo bukë vjedhin nga 80 gramë”, thotë Afrim Bakiu.
“Nga një thes me miell çdo herë e mbajmë në shtëpi. Çfarë të bëjmë, çmimet janë të papërballueshme duhet të gatuajmë”, thotë Andrea Stojkoski.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se prodhuesit e bukës duhet të respektojnë vendimin. Ai i kritikoi prodhuesit për mosrespektimin e vendimit të mëparshëm për lirimin e çmimit të bukës, për çka edhe kishin marrë subvencione nga shteti.
“Ne nuk do ta tolerojmë rritjen e paarsyeshme të çmimeve. Që nga miratimi i masave të Qeverisë për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike, por edhe miratimin e ndihmave tjera, ka kaluar një periudhë e gjatë dhe pas kontrolleve të inspektorateve është konstatuar se çmimet jo vetëm që nuk i kanë ulur, por edhe i kanë ngritur. Kjo ka të bëjë me disa prodhues të bukës dhe të produkteve tjera që nuk i kanë respektuar[vendimet]. Andaj, ne vendosëm që t’i heqim subvencionet dhe ta ngrijmë çmimin e bukës në 33 denarë (0.50 euro)”, deklaroi Kovaçevski.
Rreth 250 kompani nga muaji dhjetor kanë marrë rreth katër milionë euro për t’i mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike me qëllim që të mos e rrisin çmimin e bukës.
Nga Shoqata e prodhuesve të bukës thonë se vendimi nënkupton mbylljen e bizneseve të tyre, por pa sqaruar se në çfarë bazohet qëndrimi i tyre, pasi sipas Qeverisë, çmimi i energjisë elektrike sikur edhe i miellit është kthyer në gjendjen e para një viti.
“Ky vendim është në dëm të prodhuesve të bukës. Kjo e shkatërron biznesin tonë dhe ne njëzëri miratuam vendimin që të mos prodhojmë bukë derisa nuk shqyrtohet ky vendim i dëmshëm. Nuk mund të thoni se ju jeni kompani me përgjegjësi të lartë në shoqëri dhe në anën tjetër të punoni me humbje. Ne nuk e bojkotojnë punën, por vetëm po e shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me një vendim të papranueshëm”, tha Goran Malishiq, përfaqësues i Shoqatës së prodhuesve të bukës dhe miellit.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Sinisha Pekevski, konsideron se kufizimi i çmimit nuk do ta zgjidhë problemin e çmimeve të larta të ushqimeve. Masa e Qeverisë, sipas tij, duhet të përfshinte edhe produkte të tjera ushqimore.
“Është një masë populiste e Ministrisë së Ekonomisë. Ata, thjesht, duan t’i tregojnë shumicës së qytetarëve — të cilët janë në një pozitë të palakmueshme, që kanë të ardhura nën mesataren dhe që janë më të prekur nga inflacioni dhe kriza — se duan me të vërtetë t’ju mundësojnë të kenë produktin bazë me një çmim që mund të jetë i pranueshëm për ta”, thotë Pekevski.
Vendimi i kompanive të bukës për të mos prodhuar bukë, si shenjë revolte, nuk mund të sanksionohet me ndonjë dispozitë ligjore. Atyre mund t’u tërhiqet vërejtja për konkurrencë jolojale apo të ndëshkohen nga Inspektorati i Tregut nëse rast se konstatohen parregullsi në sasinë e produkteve ushqimore./REL/
Lajme nga vendi
PUNËTORËT E “NAPREDOK” AKOMA PA RROGA, SHTYHET SËRISH SEANCA

Vazhdon anulimi I seancave gjyqësore në Gjykatën e Tetovës për ish punëtorët e shtypshkronjës “Napredok”. Rreth 50 punëtorë, pas mbylljes së shtypshkronjës për dy vjet radhazi vazhdojnë të kërkojnë 10 rrogat e papaguara. Ata kërkojnë që sa më shpejt kjo cështje të zgjidhet dhe të marrin atë që iu takon.
BEHIXHE SEJDIJA – E Punësuar “Do vazhdojmë ta ngrejmë zërin se ne kemi të drejtë. U mbyll firma jonë. Punë kishte shumë dhe ne mbetëm në rrugë. Unë jam me 45 vjet stash pune, mbetëm në rrugë, kjo nuk është në rregull. Më shumë jam e revoltuar me gjykatën e Tetovës se pse nuk merr hapa për ne. Edhe zërin do e ngrejmë edhe më tutje.”
ZHIVKA DIMOVSKA – Ish e punësuar “Pritëm tri muaj, që do të thotë se ky është viti I dytë, që presim seancën gjyqësore të mbahetdhe me shpresë se një ditë, do të realizohet. Për fat të keq, erdhëm edhe para tre muajve, na thanë që të vijmë sot me shpresën se do të mbahet seanca POR ASHTU SIC E PATË EDHE SOT U ANULUA. Për shkak se nuk kishte procesverbalist. Por ne u zotuam që do ta bëjmë procesverbalistin, pasi jemi pa punë që njëherë e përgjithmonë ti vihet fundi kësaj teme. Të na japin vetëm Rrogat tona sepse nuk kërkojmë tjetër gjë. Nuk e di pse është kaq e vështirë? Ku kanë shkuar rrogat tona, Le të ulet pronari Pavle Petrov, le të ulet Mirosllav Gërcarovski, le të merren vesh se cili duhet t’I jap rrogat dhe le ta zgjidhin problemin.”
Përndryshe, shtypshkronja Napredok ka qenë një ndër shtypshkronjat më të vjetra në rajonin e Tetovës. E njëjta ka qenë shtypshkronjë shtetërore por më pas u privatizua dhe arriti të funksionojë deri në fund të vitit 2023. Që nga ajo kohë punonjësit nuk kanë marrë pagat e 10 muajve punë në këtë shtypshkronjë dhe vazhdojnë të zvarriten në seancat gjqësore.
Lajme nga vendi
FITORE E SHQIPËRISË QË JEP SHPRESË PËR KUALIFIKIM NË BOTËRORË

Mbrëmë në studimin Kombëtar në Tiranë kombëtarja Shqiptare mundi Letoninë 1-0 në kuadër të xhiros së pestë të grupit K për kualifikim në Botërorin 2026. Angila në Beograd demoloi Serbinë 5-0.
Kombëtarja shqiptare fitoi 1-0 ndaj Letonisë në “Air Albania”, në ndeshjen e xhiros së pestë në grupin K, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë dominuan takimin dhe siguruan tri pikë të rëndësishme falë golit të Kristjan Asllanit.
Kombëtarja shqiptare ia e nisi vrullshëm takimin dhe që në minutat e para kërkoi golin. Në minutën e 9-të Hysaj krosoi nga e djathta, por tentativa me kokë e Laçit përfundoi jashtë. Në të 19-ën provoi Broja me një top të rrezikshëm në zonë.
Në minutën e 23-të, pas një aksioni të bukur mes Bajramit dhe Laçit, Shqipëria fitoi një penallti. Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe kaloi kuqezinjtë në avantazh.
Kuqezinjtë vijuan të rrezikonin dhe në të 30-ën Manaj ishte pranë golit të dytë, por goditja e tij kaloi ngjitur me shtyllën. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Në fillim të fraksionit të dytë, Laçi provoi pas një harkimi të mirë të Hysajt, por gjuajtja e tij përfundoi mbi traversë.
Një rast i artë u regjistrua në minutën e 56-të, kur kapiteni Gjimshiti nuk arriti të shënonte përballë portierit. Në të 67-ën ishte Bajrami që rrezikoi me një goditje të fortë, por u ndal nga portieri i Letonisë.
Në fund, Shqipëria arriti të mbante avantazhin dhe e mbylli ndeshjen me fitoren 1-0. Kuqezinjtë ngjiten në vendin e dytë të Grupit K me 8 pikë. Ndeshja e radhës kualifikuese do të luhet ndaj Serbisë më 11 tetor.
Kështu Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të Grupit K, falë edhe fitores 0-5 të Anglisë ndaj Serbisë, me kuqezinjtë që i mbyllin ndeshjet e shtatorit në zonën “Play Off”. Tabelën e grupit K e kryeson Anglia me 15 pikë maksimale e ndjekur nga Shqipëria që ka 8 dhe Serbia me 7 pikë.
SHABAN SINANI – TV KOHA
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu: Përfundojmë aksin 1200m Pallaticë–Zhelinë

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka inspektuar sot punimet për rikonstruksionin e rrugës Pallaticë–Zhelinë, një projekt i cili, sipas tij, ka rëndësi të veçantë për qarkullimin dhe lidhjen e fshatrave të komunës.
“Çdo ditë punë për komunën tonë dhe bashkëqytetarët e mi”, theksoi Sejdiu gjatë vizitës në terren, duke shtuar se ky aks rrugor me gjatësi 1200 metra do të mundësojë qasje më të lehtë drejt rrugës magjistrale Tetovë–Shkup.
Ky projekt është vazhdimësi e investimeve infrastrukturore të mëparshme në këtë zonë, ku janë realizuar tashmë 2400 metra rrugë që lidhin Uzurmishtin me Pallaticën, si dhe 1500 metra rrugë nga Pallatica drejt Tetovës.
“Le ta gëzojnë banorët këtë rrugë. Së shpejti do të vijmë me lajme të tjera të mira për komunën tonë, komunë urbane”, përfundoi kryetari Sejdiu.
Rruga pritet të lehtësojë dukshëm qarkullimin e banorëve dhe të forcojë lidhjet mes fshatrave të mëdhenj të komunës së Zhelinës.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve