Lajme nga vendi
Osmani: Ahmeti angazhohet për zgjidhjen e politikave strategjike
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mbrëmë ishte mysafir në emisionin Klik Plus në TV21, ku foli për tema lidhur me ndryshimet kushtetuese, tensionet në BDI, tubimin e BDI-së në Çair, negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut.
“Ahmeti është personalitet historik. Ahmeti 20 vite punon për interesat e shtetit. Ai është njeriu që çdoherë i mbron interesat e shtetit. Ali Ahmeti ka punuar për Maqedoninë e Veriut që të bëhet anëtare e NATO-s, tani fuqimisht punon që t’i bashkojë të gjitha partitë politike, të cilat dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në BE”, tha mes tjerash, Osmani.
Sipas Osmanit, Ahmeti edhe në Ohër ka qenë në komunikim të plotë me faktorin ndërkombëtar që të gjendet kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të kemi rajon stabil, e kjo është posaçërisht e rëndësishme tani kur jo larg prej këtu ka luftë.
Ministri i Punëve të Jashtme tha se të shtunën, në Ohër ka marrë SMS porosi nga një përfaqësues i lartë diplomatik, i cili i ka thënë se është krenar në përpjekjet e Ali Ahmetit që të ndihmojë rreth negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe se Ahmeti është politikan me ndikim në rajon.
“Siç thotë një analist nga Kosova, Ali Ahmeti është arkitekt i Maqedonisë së Veriut bashkëkohore. Vizioni i tij për shtet është shtet evropian, të gjithë së bashku ecim drejt BE-së – maqedonas, shqiptarë dhe të gjithë së bashku”, deklaroi Osmani.
Në intervistë ai po ashtu foli edhe për Kosovën dhe Serbinë.
“Unë jam ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e mia publike janë qëndrime shtetërore, nuk janë personale. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme edhe me Kosovën edhe me Serbinë dhe dëshirojmë që këto dy shtete të gjejnë kompromis”, theksoi Osmani.
Ai thotë se prej se është ministër i Jashtëm, u modifikua qëndrimi i MPJ-së ndaj çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Qëndrimi i ynë thotë: Ne përkrahim zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila çon drejt njohjes së ndërsjellë të dy shteteve”, tha Osmani.
Lajme nga vendi
Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë
Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë
Ambasada e Austrisë ka reaguar pas dëmtimit dhe largimit të një pjese të konsiderueshme të pajisjeve të reja për shënjimin dimëror të shtegut të Majës së Titos në Kodrën e Diellit, në gjatësi prej rreth 11 kilometrash.
Sipas njoftimit, më shumë se 45 nga gjithsej 112 shtylla janë shkatërruar, dëmtuar ose larguar, ndërsa dëmi financiar vlerësohet në të paktën 8 mijë euro, apo rreth 500 mijë denarë
Shënjimi dimëror është realizuar në kuadër të projektit “Slavkov – Shënjimi i shtigjeve malore në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur financiarisht nga Ambasadat e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, si dhe nga Birraria e Shkupit. Në realizimin e projektit kanë marrë pjesë më shumë se 25 vullnetarë lokalë dhe biznese të vogla nga Tetova dhe Bogovina.
Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar.
Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.
Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.
“Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI-ja e ka humbur betejën me shqiptarët, zgjedhjet do ta vulosin fundin
Mashtruesit e BDI-së, përpara se ta hapin gojën për zgjedhje, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale. Ali Ahmeti vazhdoi të shiste mjegull me trukun e vjetër të tërheqjes, Bujar Osmani humbi Çairin dhe mbeti nënkryetar dhe lojtar kryesor për fronin e BDI-së, Bajram Rexhepi humbi Tetovën dhe mbeti në kryesinë e partisë, ndërsa Faton Ahmeti u shpërblye për humbjen e tij në zgjedhje me dy poste të reja në parti, nënkryetar dhe shef i kabinetit të Ali Ahmetit.
Në BDI, me sa duket nuk ka përgjegjësi për humbjen, por humbësit shpërblehen.
E njëjta histori përsëritet në Haraçinë, Bogovinë, Tearcë, Strugë, Zhelinë, Saraj dhe Dollnen. Humbën zgjedhjet, por askush nuk lëvizi, askush nuk dha llogari dhe askush nuk e lëshoi karrigen.
Bisedat për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë vetëm për në shtëpi, për t’i mbajtur të njëjtët politikanë në kondicion dhe për t’u shitur shpresë se së shpejti do të kthehen në pushtet për të vjedhur përsëri. Por këto përralla nuk kalojnë më as në Reçicë të Vogël.
BDI-ja e di shumë mirë se më pak se një vit më parë, shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se çdo përballje e re me qytetarët do të thotë një tjetër shuplakë për ta. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta përfundojnë punën dhe kjo udhëheqje e pareformuar e cila funksionon si një politbyro, do ta dërgojnë direkt në pension politik.
Lajme nga vendi
Mickoski për vendimin e Abazit: 14 persona u dogjën të gjallë në spitalin modular në Tetovë, ndërsa Prokuroria nuk konstatoi përgjegjësi, rasti nuk ka përfunduar, gjithmonë mund të dalin detaje të reja
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se si e komenton vendimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, të udhëhequr nga Islam Abazi, për ta ndalur procedurën lidhur me ndërtimin dhe vendosjen e spitaleve modulare, pa ndjekje penale ndaj asnjë personi juridik apo fizik, theksoi:
„Opinioni duhet ta dijë se ky është një proces që zgjat tashmë 5 vjet. Proces i cili gjatë këtyre 5 viteve ka mobilizuar rreth vetes informacione të ndryshme. Por, ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se në spitalin modular në Tetovë u dogjën të gjallë 14 persona. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona në spitalin modular në Tetovë.
Për fat të keq, prokurori i cili tashmë është në largim – pasi, sipas informacioneve që kam, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar – supozoj se vendosi t’i përmbushë deri në fund detyrimet e tij ndaj qeverisë së mëparshme dhe nuk i bën përshtypje fakti që 14 persona u dogjën të gjallë. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona, kjo nuk do të thotë asgjë për të dhe vendos ta ndalë këtë proces.
Por, dua që opinioni ta dijë se kjo nuk është amnisti politike nga ana e këtij prokurori ndaj ish-urdhërdhënësve të tij, sepse gjithmonë mund të dalin detaje të reja që lidhen me këtë proces dhe gjithmonë ky proces mund të bëhet sërish aktual dhe të niset nga fillimi.
Kështu që, shumë herë i kam komentuar ato vendime në kuadër të sistemit tonë gjyqësor dhe për fat të keq një nga ato vendime skandaloze është edhe ky. Ajo që më huton mua dhe që vjen si mesazh nga opozita, është se deri dje ata që kritikonin për qasjen e organeve të drejtësisë, tani i lavdërojnë dhe janë plot lëvdata për punën e tyre dhe të ashtuquajturin objektivitet. Por, do ta përsëris, ky prokuror dhe njerëzit që e kanë udhëhequr këtë rast nuk gjetën prova për kryerjen e një vepre penale në një rast në të cilin njerëzit digjeshin të gjallë.“

