Lajme nga vendi
Universitetet publike shqiptare e organizuan Konferencën e Dytë Studentore
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me Kryetarin e Parlamentit Studentor Ladon Murseli dhe me një grup studentësh, morën pjesë në edicionin e dytë të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Studentore me temë: “Kërkimi shkencor dhe edukimi në perspektivën e studentëve dhe të studiuesve të rinj – UT flet me zërin e studentëve”.
Kjo konferencë e cila u organizua nga Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Tetovës, punimet i zhvilloi në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Kryetarja e bordit organizativ të konferencës, Prof. Dr. Elsa Skënderi theksoi se në këtë edicion konferenca është pasuruar me pjesëmarrje të 182 studiuesve shkencorë të cilët prezantojnë 127 punime shkencore nga shkencat e albanologjisë, shkencat e natyrës, shkencat sociale, juridike, ekonomike etj.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij drejtuar studentëve pjesëmarrës në këtë ngjarje shkencore foli mbi perspektivën dhe sfidat me të cilat do të përballen ata në të ardhmen si hulumtues shkencorë. “Studentët nuk janë thjesht individë që frekuentojnë një institut arsimor, por ata janë liderët e ardhshëm të shoqërisë. Janë ata që do të krijojnë vendet e punës, që do të zhvillojnë teknologji të reja, që do të krijojnë politika për një të ardhme më të mirë dhe që do të kontribuojnë në një shoqëri më të drejtë dhe të qëndrueshme. Për këtë arsye, roli Juaj si studentë është shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, duhet kuptuar se arsimi është një instrument i fuqishëm për zhvillim. Ai na mundëson të zhvillojmë mendimin kritik, të krijojmë zgjidhje për sfidat e ndryshme dhe të kontribuojmë në pasurimin e shoqërisë. Nuk është vetëm një mundësi për të mësuar, por një mundësi për të kontribuuar dhe për të qenë pjesë aktive e ndryshimeve pozitive. Çdokush nga Ju, nesër mund të jetë ndryshimi dhe të jetë lideri mes nesh.” – tha Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në emër të universiteteve bashkorganizatore, fjalë rasti mbajtën edhe zëvendësrektorja e Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Anila Paparisto dhe Prof. As. Dr. Zamira Hyseni nga Universiteti i Prishtinës. Ato mes tjerash theksuan se Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Studentore duhet të shndërrohet në një platformë për nxitjen e studentëve në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe kreativitetit.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

