Lajme nga bota
Irani refuzon negociatat me SHBA pas sekuestrimit të anijes së mallrave
Irani ka deklaruar se nuk ka asnjë plan për të marrë pjesë në një raund të ri negociatash me Shtetet e Bashkuara, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, theksoi se nuk është marrë asnjë vendim për bisedime të reja, duke akuzuar SHBA-në për mungesë serioziteti në procesin diplomatik.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka dërguar negociatorë në Pakistan për të diskutuar përfundimin e konfliktit, ndërsa paralajmëroi sërish Iranin me sulme ndaj infrastrukturës energjetike nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Situata u përkeqësua edhe më tej pasi SHBA sekuestroi një anije mallrash iraniane, duke pretenduar se po tentonte të shmangte bllokadën detare. Teherani e ka cilësuar këtë veprim si shkelje të armëpushimit dhe ka kërcënuar me kundërpërgjigje.
Të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, ndërsa tensioni është përqendruar veçanërisht në Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të naftës, të cilën Irani thuhet se e ka mbyllur pothuajse plotësisht.
Konflikti, që nisi pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës.
Ndërkohë, edhe përpjekjet për armëpushim në Liban mbeten të brishta, me Izraelin që ka paralajmëruar përdorimin e “forcës së plotë” ndaj çdo kërcënimi nga Hezbollah.
Pavarësisht përpjekjeve për negociata, zhvillimet e fundit tregojnë se situata mbetet tepër e tensionuar dhe larg një zgjidhjeje diplomatike.
Lajme nga bota
Franca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
Lajme nga bota
Festivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
Lajme nga bota
Spanja shpall emergjencën kombëtare për shkak të zjarreve masive, mbi 10 mijë persona evakuohen
Qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas një serie zjarresh të mëdha pyjore që kanë përfshirë zona pranë Madridit dhe provincën fqinje të Avilës.
Sipas autoriteteve, më shumë se 10 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për të vënë situatën nën kontroll.
Ministria e Brendshme spanjolle bëri të ditur se vendimi për shpalljen e emergjencës kombëtare u mor për shkak të shpërthimit të njëkohshëm të disa vatrave zjarri, kushteve të pafavorshme atmosferike dhe nevojës për mobilizimin e burimeve nga institucione të ndryshme publike.
Temperaturat e larta, erërat e forta dhe thatësira e zgjatur kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke rrezikuar zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuime në disa lokalitete, ndërsa banorët janë strehuar në qendra të përkohshme. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar qindra zjarrfikës, trupa të specializuara ushtarake, si dhe mjete ajrore, përfshirë avionë dhe helikopterë.
Për shkak të situatës kritike, disa rrugë kryesore janë mbyllur përkohësisht, me qëllim lehtësimin e ndërhyrjeve të ekipeve të shpëtimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson qeverisë spanjolle një koordinim më të shpejtë të burimeve shtetërore dhe rajonale, si dhe hap mundësinë për kërkimin e mbështetjes shtesë nëse situata përkeqësohet.

