Lajme nga vendi
Mungoi himni shqiptar në Pustec, reagon Rama: Shqipëria nuk do të zbresë në nivelin e parodive nacionaliste
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të premte lidhur me mos luajtjen e himnit shipe ndodhur në Pustec, ku gjatë një aktiviteti me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar.
Rama e cilëson ngjarjen si një “parodi domethënëse”, ndërsa vlerësoi qëndrimin e kryetarit të Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, i cili kishte kërkuar luajtjen e himnit shqiptar dhe më pas kërkoi ndjesë.
Ndërkaq, kreu i qeverisë theksoi se minoritetet në Shqipëri janë një pasuri kombëtare dhe se vendi i ka garantuar komunitetit maqedonas status të posaçëm dhe të drejta të barabarta.
“Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën. Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne. Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund. Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, ka shkruar Rama. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
VLEN: Për 14 jetët e humbura nuk mund të përgjigjet “kablloja”
Sakrifikimi i vetëdijshëm i përgjegjësisë penale për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë përbën një riviktimizim të 14 viktimave, të dinjitetit të tyre dhe të dhimbjes së familjarëve.
Ali Ahmeti dhe Prokuroria e drejtuar nga Islam Abazi i detyrohen publikut një përgjigje: si është e mundur që pas 14 jetëve të humbura, në fund të dalë se “fajtor” është kablloja?
Ky rast rrezikon të mbetet një nga shembujt më të turpshëm të papërgjegjshmërisë institucionale dhe të një drejtësie të kapur.
Drejtësia nuk mund të varet nga ndikimi politik, përkatësia partiake apo funksioni i askujt. Kur për një tragjedi me 14 viktima nuk ka përgjegjësi të plotë dhe të paanshme, nuk kemi të bëjmë vetëm me dështimin e një aktakuze, por me një humbje të rëndë të të gjithë sistemit të drejtësisë.
Ky epilog skandaloz është barrë mbi udhëhëqësinë e pareformuar të BDI-së, i cili edhe një herë dëshmon se shqiptarët i përdor si alibi perfekte për obsesionin e tij me pushtetin – pushtet që për ta nënkupton privilegje, tenderë dhe kolltuqe, e jo përgjegjësi para qytetarëve.
Për BDI-në, duket se 14 jetët njerëzore janë vetëm statistikë. Por për familjet e viktimave ato janë jetë të pazëvendësueshme, ndërsa për gjithë shoqërinë janë një detyrim që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend.
VLEN nuk do të lejojë që tragjedia e Tetovës të harrohet dhe as që përgjegjësia të varroset në labirintet e prokurorisë dhe gjykatave.
Do të vazhdojmë të kërkojmë hetim të pavarur, përgjegjësi të paanshme dhe drejtësi për secilën prej 14 jetëve të humbura.
Ndëshkimi politik për këtë papërgjegjshmëri do të vijë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen.
Shqiptarët po nisen për drejtësinë e tyre.
Lajme nga vendi
Admir Shabani: Përfaqësimi nuk matet vetëm me shifra, por me masa konkrete
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani ka reaguar lidhur me debatet për listën preliminare të kandidatëve për pranimin e kadetëve në Akademinë ushtarake, duke theksuar se bëhet fjalë për një fazë paraprake të procesit dhe jo për listën përfundimtare të kandidatëve të pranuar.
Sipas tij, nxjerrja e përfundimeve për rezultatin përfundimtar të konkursit para përmbylljes së procedurës është e parakohshme. Shabani thekson se rritja e përfshirjes së të rinjve shqiptarë në sistemin e mbrojtjes mbetet një prioritet, duke shtuar se që nga publikimi i konkursit janë ndërmarrë aktivitete për promovimin dhe informimin e të rinjve për mundësinë e aplikimit.
“Brenda afatit të paraparë vetëm dy kandidatë shqiptarë u paraqitën dhe dorëzuan dokumentacionin përkatës”, thekson zv/ministri Shabani.
Ai vlerëson se sfida nuk duhet të shihet vetëm përmes numrit të shqiptarëve në një listë preliminare, por edhe përmes pyetjes se pse interesimi i të rinjve për profesionin ushtarak mbetet i ulët.
Sipas tij, institucionet duhet të punojnë për ta bërë profesionin ushtarak më tërheqës, përmes mundësive për arsimim, zhvillim profesional, kushteve bashkëkohore të punës dhe perspektivës së qartë për karrierë.
Zëvendësministri ka paralajmëruar se aktivitetet për promovimin e Akademisë ushtarake dhe mundësive për karrierë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.
“Synimi ynë është që në gjeneratat e ardhshme të kemi një numër dukshëm më të madh të kandidatëve shqiptarë të interesuar dhe cilësorë, të cilët, mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe rezultateve të tyre, do të bëhen pjesë e sistemit”, thekson ai.
Në fund, ai ka bërë thirrje që debati për përfaqësimin të mos kufizohet vetëm në akuza politike, por të shoqërohet me angazhim konkret për motivimin e të rinjve që të aplikojnë dhe të ndërtojnë karrierë në institucionet e mbrojtjes.
“Nuk do të premtojmë vetëm shifra në letër. Do të krijojmë mundësi, do të motivojmë të rinjtë dhe do të punojmë për rezultate konkrete që do të shihen në gjeneratat që vijnë”, përfundon reagimi. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
ZGJEDHJET E PARAKOHSHME: VIJOJNË PËRPLASJET BDI – VLEN!
Kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN-i ende asnjë fjalë. Në këtë mënyrë kanë reaguar nga BDI-ja pasi ditëve të fundit u riaktualizuan kërkesat për zgjedhje të parakohshme në vend.
Madje këtë reagim, BDI-ja në rrjetet sociale e ka ilustruar me një fotografi me mbishkrimin “KALUAN 24 ORË, s’VLEN-I ENDE I STRUKUR DHE PA ZË PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME”.
Ata që shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo u kërkohet që legjitimitetin ta matin para qytetarëve. s’Vlen-i e di se nuk e ka pasur dhe nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve. E di se pushteti i tij mbështetet te lëmosha e padronëve politik dhe te frika nga vota e lirë. Nëse kanë marrë leje, le t’i pranojnë zgjedhjet e parakohshme. Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret.
BDI-ja e ka humbur betejën me shqiptarët, zgjedhjet do ta vulosin fundin. Kjo ka qenë kundërpërgjigja e VLEN-it, duke pohuar se BDI para se të kërkojë zgjedhje, sic thonë, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale.
Edhe në VLEN janë paraqitur kreativ. Reagimi i tyre është shoqëruar me një fotografi të një tubimi parazgjedhor.
Bisedat për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë vetëm për në shtëpi, për t’i mbajtur të njëjtët politikanë në kondicion dhe për t’u shitur shpresë se së shpejti do të kthehen në pushtet për të vjedhur përsëri. Por këto përralla nuk kalojnë më as në Reçicë të Vogël.BDI-ja e di shumë mirë se më pak se një vit më parë, shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se çdo përballje e re me qytetarët do të thotë një tjetër shuplakë për ta. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta përfundojnë punën dhe kjo udhëheqje e pareformuar e cila funksionon si një politbyro, do ta dërgojnë direkt në pension politik.
Shumica parlamentare është e fokusuar në punë, por nuk përjashtohet mundësia t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi kryeministri Mickoski.
Ai tha se koalicioni qeveritar ka legjitimitetin për një mandat të plotë katërvjeçar dhe nuk mendon për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, qytetarët nuk duan zgjedhje, por edhe nëse ka të tilla, ai është i sigurt në fitore të partive që aktualisht formojnë shumicën parlamentare./Tv Koha/
-
Lajme nga vendi3 weeks agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoZv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane
-
Lajme nga vendi1 month agoKronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 08 Korrik

