Lajme nga vendi
Pushteti dhe opozita përplasen për mbajtjen e referendumit në Maqedoninë e Veriut
Opozita maqedonase, e udhëhequr nga OBRM-PDUKM, ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, por edhe presidentin Stevo Pendarovski, se përmes formave të ndryshme po përpiqen që të pamundësojnë mbajtjen e një referendumi kundër marrëveshjes me Bullgarinë.
Protokolli me Sofjen është nënshkruar pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik, që i hapi rrugës heqjes së vetos bullgare dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësimin me Bashkimin Evropian.
Por, kjo marrëveshje që parasheh zgjidhjen e të gjitha kontesteve përgjatë procesit integrues, sikurse përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, aspektet historike dhe çështje tjera, kundërshtohet nga OBRM-PDUKM-ja, e cila ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi për refuzimin e saj.
Por, Qeveria maqedonase ka thënë se referendumi është i panevojshëm pasi me marrëveshjen e arritur, “garantohet gjuha maqedonase, identitetit dhe e kaluara historike e popullit maqedonas”.
“Referendumi është pasqyra e paaftësisë së kësaj qeverie. Do të nxjerrë në shesh gënjeshtrat e saj, moralin e saj të ulët andaj edhe duke ikur nga referendumi tenton t’i mohojë popullit të drejtën e deklarimit për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre, mbrojtjen e identitetit, të gjuhës dhe të veçorive tjera kombëtare. Ata nuk janë të vetëdijshëm se çfarë zgjidhje katastrofale po pranojnë. Po pranojnë marrëveshje që rrënon identitetin tonë, andaj të gjithë ne duhet të angazhohemi që të mbajmë referendumin dhe ta hedhim poshtë këtë marrëveshje të dëmshme”, ka deklaruar kreu i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski.
Ai ka rikujtuar qëndrimin edhe sa i përket ndryshimeve kushtetuese, të cilat, siç ka thënë se nuk do të mbështeten nga asnjë deputet i partisë së tij.
Ndryshimet kushtetuese, sipas dispozitave ligjore, nuk mund të miratohen pa dy të tretat e votave në Kuvend apo pa votat e 80 deputetëve nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Shumica parlamentare përbëhet nga 63 deputetë, por kryeministri Dimitar Kovaçevski shpreson se do të sigurojë votat e nevojshme për të kaluar ndryshimet për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE.
“Populli duhet të jetë i qetë dhe të mos brengoset, sepse pavarësisht se çfarë mendon të bëjë kjo qeveri, OBRM-PDUKM-ja dhe partitë e tjera me të cilat jemi në koalicion, do të bëjnë gjithçka që të pengojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Nën këto kushte nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, me asnjë çmim”, ka deklaruar Mickoski në një manifestim të partisë së tij.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, fillimisht kishte deklaruar se referendum mund të ketë dhe se qytetarët duhet të përgjigjen në pyetjen se “A jeni për integrimin evropian nën këto kushte?”, pa përmendur në pyetjen e referendumin, as propozimin francez e as protokollin me Bullgarinë.
Por, në paraqitjen e fundit para mediave, Pendarovski ka deklaruar se mbajtja e një referendumi është e panevojshme pasi marrëveshja që ka arritur shteti me Bullgarinë, sipas tij, është e njohur ndërkombëtarisht dhe nuk rrezikon çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.
“Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski ka nevojë për mobilizim politik, që t’i mbajë të bashkuar të gjithë anëtarët e tij, duke iu premtuar se është çështje ditësh rrëzimi i kësaj qeverie… Kjo është e drejtë legjitime si parti opozitare, duke u thënë se edhe Pendarovski mendon njëjtë”, deklaroi Pendarovski.
“Jo, unë mendoj se OBRM-PDUKM-ja dhe partitë tjera duhet të definojnë qartë qëndrimin e tyre dhe të dalin ta thonë se a janë parti politike anti-evropiane. Sikur të ketë referendum, sikur të ketë nevojë për mbajtjen e tij, atëherë qytetarët duhet të përgjigjen në një pyetje të vetme: ‘A dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian’”, shtoi ai.
Referendum në Maqedoninë e Veriut mund të mbahet nëse partia që e kërkon mbajtjen e tij apo ndonjë subjekt tjerë arrin të mbledhë fillimisht 150 mijë nënshkrime, të cilat duhet të verifikohen nga institucionet përkatëse. Këto nënshkrime po ashtu përcaktojnë edhe atë nëse referendumi do të jetë i karakterit këshillues apo i obligueshëm.
Referendumi mund të cilësohet i suksesshëm nëse në të marrin pjesë mbi 50 për qind e trupit votues dhe nëse shumica e votuesve i japin mbështetje pyetjes së referendumit./REL/
Lajme nga vendi
Edhe LD e Mexhitit së shpejti shkrin strukturat, Alternativa ende e “ngrirë”!
“Këto ditë po përgatitetet edhe Lëvizja Demokratike që të thërret kuvendin themelues për tu shkri dhe për ta bërë VLEN-in një. Besoj që në këtë mënyrë të gjithë flasin në një zë dhe ky zë është drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga pjesa e ASH-së që nuk është në pushtet, raporton Alsat.
Remzi Mehmedi nga ASH-ja e Selës thotë se kur flitet për zhvillimet në ASH duhet të merren parasysh dy momente.
1. Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Strugë dhe Gostivar.
2. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, veçanërisht në zonën 5.
Në të 2 këto momente ka pasur tradhti dhe tregti mes aktorësh nga kampe të ndryshme e që koha i zbuloi e i zbulon për çdo ditë. Gjithçka tjetër është pasojë dhe nuk duhet parë si ndodhi në vetvete.
Për formimin e partisë VLEN nuk ka një marrëveshje finale mirëpo qëndrimin përfundimtar për modelin e mundshëm të strukturimit, nuk e ka dhënë as Alternativa. Jozyrtarisht, sipas Alsat, edhe Alternativa është kundër modelit me vetëm dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin.
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu zgjidhet kryetar i Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026
Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
Lajme nga vendi
Begaj të shtunën në Tetovë, ja rrugët që do të bllokohen
Komuna e Tetovës informon se të shtunën, më 28 shkurt, me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie dhe ndalim parkimi në disa rrugë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet dhe rrugët në vijim:
Bulevardi “Marshall Tito” nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu, në kryqëzim me bulevardin “Blagoja Toska”
Bulevardi “Blagoja Toska” nga rrethrrotullimi me bulevardin “Marshall Tito” deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës
Rruga “JNA” (“Dervish Cara”) në tërësi, deri te semaforët
Rruga “Ilindenska” nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore
Rruga “Kiro Ristoski-Drnc” deri te Arabati Baba Teqe
Rruga VonVardarska
Rruga “172”
Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet kompetente, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.


You must be logged in to post a comment Login