Lajme nga vendi
Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën para ambasadës serbe në Shkup
“Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën e thirrur për më 29.12.2022 nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë, për të kundërshtuar kërcënimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, dhe u bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj t’i bashkëngjiten radhëve të protestuesve.
Aleanca për Shqiptarët dënon veprimet destabilizuese e luftënxitëse të bandave të kontrolluara nga Beogradi në veri të Kosovës. Përkrahim plotësisht përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të NATO-s për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit.
Grumbullimi i protestuesve do të bëhet në anën e djathtë të rrugës pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në ora 12:30 dhe protesta do të vazhdojë drejt ambasadës së Serbisë. U bëjmë thirrje protestuesve të marshojnë në mënyrë paqësore duke mos rënë pre e provokimeve të mundshme”, thuhet nder te tjera ne Kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.
Lajme nga vendi
BDI KONSOLIDON DEGËT – ASH E TARAVARIT BËHET GATI PËR KONGRESIN!
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në vazhdën e procesit të riorganizimit dhe përzgjedhjes së kryetarëve të degëve, sot ka marrë vendim për emërimin e një pakoje të re të kryetarëve të degëve.
Sipas njoftimit të integristëve, zgjidhen Kryetarë të rinj në Degët, Çashkë, Veles, Petrovec dhe Studeniçan.
Sipas BDI-sdë, ky hap është pjesë e procesit të thelluar të reformimit dhe konsolidimit të brendshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, me synimin për fuqizimin e strukturave partiake dhe shtrirjen e organizuar në çdo cep të vendit.
Në anën tjetër, në Tetovë është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit për Organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, sic thuhet, menjëherë pas zgjedhjes së Valbon Limanit në krye të këtij organi.
Sipas komunikatës partiake, Limani ka potencuar se nga ky moment nis zyrtarisht procesi i organizimit të degëve dhe nëndegëve në terren, si dhe konsolidimi i strukturave partiake në nivel lokal dhe qendror.
Organizimi i kongresit do të zhvillohet si një proces gjithëpërfshirës, me fokus në fuqizimin e subjektit politik përmes përfshirjes së figurave të reja, profesionistëve dhe të rinjve, të cilët do t’i japin energji të re vizionit politik të Aleancës për Shqiptarët.
Procesi organizativ pritet të intensifikohet në javët në vijim, përmes takimeve në terren dhe mobilizimit të strukturave në të gjitha degët e Aleancës për Shqiptarët.
Lajme nga vendi
FBI e kishte njoftuar Maqedoninë për 20-vjeçarin nga Tetova që paralajmëroi vrasje masive (FOTO)
Një 20-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës kishte kërcënuar përmes një rrjeti social se do të kryente një vrasje masive, ndërsa policia e Maqedonksë, pas një njoftimi nga Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI), ka kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku është gjetur një arsenal i tërë armësh. Është arrestuar edhe gjyshi i tij 89-vjeçar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
I riu do të përgjigjet për terrorizëm, ndërsa gjyshi për posedim të paligjshëm të armëve, raporton gazeta KOHA.
“Sipas dyshimeve, K.H. (20), në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social ‘Discord’ ka dërguar një kërcënim serioz se është i gatshëm të kryejë sulm me armë zjarri, me pushkë automatike AK-47, e njohur si ‘Kallashnikov’, duke pretenduar se ka probleme me shëndetin mendor. Frymëzimit për një sulm të tillë i ka shërbyer ngjarja e 14.12.2012 në SHBA, kur Adam Lanza, po ashtu 20-vjeçar, në një shkollë në SHBA me pushkë automatike vrau 26 persona, prej të cilëve 20 fëmijë”, thuhet nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK).
Kërcënimet janë vërejtur nga FBI-ja amerikane, e cila ka njoftuar Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, ndërsa ambasada ka alarmuar prokurorinë dhe policinë.
“Pas informacioneve të marra nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se nga ana e FBI-së është paraqitur kërkesë për zbulimin urgjent të një profili në Discord që ndodhet në vendin tonë, e nga ku janë dërguar kërcënimet serioze, MPB në koordinim me PNKOK ka ndërmarrë veprime për zbulimin e autorit. Pas identifikimit dhe lokalizimit të adresës së përdoruesit, më 17.02.2026, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, me asistencë nga Njësia Speciale ‘Tigrat’ dhe në koordinim me PNKOK, kanë kryer bastisje në shtëpi dhe objekte të tjera në Reçicë të Vogël, Tetovë. Gjatë bastisjeve, te K.H. dhe te anëtarë të familjes së tij janë gjetur dhe sekuestruar më shumë gjëra që përbëjnë vepër penale, përfshirë: armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, pushkë automatike AK-47 me dy karikatorë me 40 plumba 7.62×39 mm, pistoletë ‘M57’ me dy karikatorë me 49 plumba, pistoletë ‘Cherokee’ me dy karikatorë dhe mbi 600 plumba 9 mm, jelekë taktikë, jelekë antiplumb, thika me gjatësi të ndryshme tehe dhe materiale të ndryshme elektronike si prova”, thuhet në njoftim.K.H. dhe gjyshi i tij janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale./koha.mk
Lajme nga vendi
Dy mashtrime brenda një dite në Negotinë, pensionistët mbeten pa 7.000 euro
Në dy mashtrime të realizuara me sukses brenda së njëjtës ditë në Negotinë, dy banorë të moshuar të qytetit, një burrë dhe një grua, kanë mbetur pa gjithsej 7.000 euro, njofton policia.
Në rastin e parë, një 76-vjeçar nga Negotina i ka dhënë 4.000 euro një personi të panjohur, i cili ia ka kërkuar paratë me një arsyetim banal.
“Më 19.02.2026 në ora 12:30 në SPB Negotinë, një 76-vjeçar nga Negotina ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 4.000 euro. Sipas denoncimit, personi i ka kërkuar të dëmtuarit t’i japë 4.000 euro për t’ia treguar një personi tjetër, të cilin e ka prezantuar si shtetas të huaj, me qëllim që t’i dëshmojë se euroja është valutë e vlefshme në vend. Siç është raportuar, ai ia ka dhënë paratë, ndërsa personi i ka lënë një çantë me dry që ta ruajë si dëshmi se do të kthehet. Pasi e ka hapur çantën, i dëmtuari ka kuptuar se është mashtruar”, bëjnë të ditur nga MPB.
Në mashtrimin e dytë është përdorur skema e njohur ku një mjek i rremë kërkon para për një operacion të supozuar të një familjari të viktimës.
“Më 19.02.2026 në ora 17:15 në SPB Negotinë, një 81-vjeçare nga Negotina ka raportuar se është mashtruar nga një person për shumën prej 3.000 euro. Sipas denoncimit, personi e ka kontaktuar me telefon, është prezantuar si mjek dhe i ka thënë se vajza e saj ndodhet në spital me thyerje dhe duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, për çka duhej të paguante. Siç është raportuar, ajo i ka lënë paratë në vendin e marrëveshur, ndërsa më vonë ka kuptuar se është mashtruar”, thuhet në buletinin policor.

