Lajme nga vendi
Osmani vendos udhëzuesin, ata që kanë MKartë prej sot do të mund të përdorin fast-track në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka njoftuar se bartësit e M-Kartës prej sot do të mund të përdorin të ashtuquajturën “fast-track” në aeroportin e SHkupit dhe Ohrit.
“Bartësit e M-Kartës nga sot me hyrjen në vend do të mund të përdorin fast-track në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit. Kjo mundësi, e cila realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, paraqet një mirënjohje simbolike e punës dhe cilësisë së tyre, si dhe një falënderim për institucionet e shtetit tonë. Projekti MKarta paraqet rrjet të qytetarëve tanë në diasporë, të cilët dallohen jashtë vendit me ekspertizën dhe angazhimin e tyre, duke i bërë ata ambasadorë të vërtetë që përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në mënyrën më të mirë të mundshme. Deri më tani MKartë kanë marrë 69 qytetarë tanë, pjesëtarë të diasporës”, ka shkruar Osmani.
Lajme nga vendi
Qeveria do të heq dorë nga furnizimi me avion të ri, Mickoski: Do të lutemi që të mbetemi gjallë
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria do të heq dorë nga furnizimi me avion të ri dhe se do ti luten Zotit që të mbeten gjallë. Ai debatin e opozitës rreth kësaj teme e cilësoi si goditje të ulët.
“Unë e përcjelli këtë debat, e kuptoj debatin nga ana e pozitës, ata mendojnë se më goditje të ulëta do të ngrenë ndonjë temë. Megjithatë njoftoj opinionin se unë avionin qeveritar e kam shfrytëzuar 4 herë, njëherë në Budapset kisha një takim me Viktor Orban, andej kam shkuar me fluturim komercial, ndërkohë që jam kthyer me aeroplanin qeveritar. Për herë të dytë isha në Beograd, asokohe kam shkuar dhe jam kthyer me aeroplanin qeveritarë. Herën e tretë isha deri në Kroaci me fluturim komercial dhe në vend të 3 ditëve kam qëndruar 4 ditë, kështu që është dashur që të kthehem me aeroplanin qeveritarë. Herën e katër e kam shfrytëzuar për një fluturim deri në Tiranë. Aeroplani është në gjendje të rregullt, mund të flisni edhe me njerëzit që e mirëmbajnë sepse janë pikërisht ata që insistojnë që të gjenden mjete dhe të sigurohet një avion i ri qeveritar. Ne do të heqim dorë nga ai furnizim, por do të lutemi që të mbetemi gjallë, në raste se humbim jetën, atëherë do tu bëhet e qartë se ky debate është i pabazë”, tha Mickoski.
Ditëve të fundit opozita në disa raste ka theksuar se Qeveria nuk ka buxhet për rritjen e pagave të punëtorëve, por se ka mjete për furnizim me avion të ri.
Lajme nga vendi
ARABATI PËRFUNDIMISHT PRONË E BFI-së, PARALAJMËROHEN INVESTIME TË MËDHA
Një ditë para se të fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, Bashkësia Fetare Islami ndan një lajm të rëndësishëm me besimtarët mysliman. Kreu i BFI-së Shaqir Fetahi, bëri të ditur se Kompleksi Arabati Baba Teqe nga sot është përfundimisht pronë e BFI-së dhe këtë madje e dëshmoi edhe me fletëpronësinë e re nga kadastra. Fetahi paralajmëtoi investime të reja në Teqen Arabati Baba pas përfundimit të këtij problemi me çështjen pronsore.
Myftiu i Tetovës Selver Xhemaili tha se kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e shumë njerëzve të vullnetit të mirë me ndihmën e të cilëve më në fund kompleksi Arabati Baba Teqe u bë pronë e BFI-së.
Nga Bashkësia Fetare Islame thanë se do të bëhet rinovimi dhe riparimi i objekteve të deformuara gjithmonë duke u ruajtuar origjinaliteti historik.TV KOHA

Lajme nga vendi
Durmishi: Me masa sistemore dhe partneritet reduktojmë ekonominë informale dhe forcojmë sektorin formal
Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, sot mbajti fjalim në konferencën “Formalizimi i ekonomisë informale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”, kushtuar masave sistemore dhe politikave të përbashkëta për reduktimin e ekonomisë informale dhe forcimin e sektorit formal.
Ministri Durmishi theksoi se ekonomia informale është sfidë komplekse dhe afatgjatë që shtrembëron konkurrencën, dëmton punëtorët dhe zvogëlon kapacitetin fiskal të shtetit. Ai theksoi se për disa qytetarë puna e paralajmëruar nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri, e cila kërkon përgjigje përmes krijimit të vendeve dinjitoze dhe të qëndrueshme të punës.
“Çdo kompromis me ekonominë gri do të thotë rritje më e ulët ekonomike, më pak shërbime publike dhe cilësi më e ulët e jetës. Prandaj kemi nevojë për zgjidhje sistemore, konsistente dhe të qëndrueshme”, theksoi ministri.
Nga kabineti i Durmishit, thonë se Ministria e Ekonomisë dhe Punës sivjet siguroi 40 milionë euro për Planin e ri operativ të punësimit, me masa që synonin formalizimin e punës dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Gjithashtu, është miratuar Ligji për angazhim me punë të personave, qëllimi i të cilit është formalizimi i formave të caktuara të punës dhe përshtatja e kornizës ligjore me nevojat reale të tregut të punës.
Nga 1 janari i vitit 2026, fillon edhe zbatimi i Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve, me të cilin stimulohen kompanitë që investojnë, hapin vende të reja pune dhe realizojnë rritje. Sipas ministrit, kombinimi i masave aktive dhe zgjidhjeve ligjore njëkohësisht nënkupton luftimin e ekonomisë gri dhe mbështetje të fortë të sektorit formal.
Në fjalën e tij, ministri Durmishi theksoi gjithashtu rëndësinë e agjendës së gjelbër, digjitalizimin dhe vendosjen e teknologjive bashkëkohore, që do të mundësojnë evidencë më të mirë dhe rregullim më të mirë të formave të reja dhe jo standarde të punësimit.
Në Konferencën u nënshkrua edhe “Deklaratën e partneritetit dhe veprimit: Përkushtim i përbashkët për formalizimin e ekonomisë informale në Maqedoninë e Veriut”, me çka institucionet, komuniteti i biznesit, sindikatat dhe komuniteti akademik konfirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për veprim të koordinuar.
“Lufta kundër ekonomisë gri është luftë për një të ardhme më të mirë. Ndoshta nuk mund ta çrrënjosim plotësisht, por mund ta zvogëlojmë vazhdimisht. Me përpjekje të përbashkëta mund të ndërtojmë shtet më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më prosperues”, u shpreh ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

