Lajme nga vendi
Qyteti i Shkupit ngriti padi penale ndaj çimentores “Titan Usje”
Qyteti i Shkupit sot ka dorëzuar padinë e paralajmëruar penale kundër çimentores “Titan Usje”, në të cilën përgjegjësi përveç juridike kërkohet edhe nga personi përgjegjës – Boris Hrisafov, i cili si kompetent për zbatimin e detyrimet që dalin nga leja e integruar A e lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nuk u lshtë përmbajtur detyrimeve të njëjta në lidhje me kufijtë maksimalë të lejueshëm të emetimit të gazrave të dëmshëm në ajrin e ambientit, transmeton Portalb.mk.
Përndryshe, fabrika e çimentos “Titan Usje” gjatë matjeve të kryera më 3 dhe 4 janar ka lëshuar përqendrim dukshëm më të lartë të grimcave PM10 nga kaldaja për ngrohje që punonin me mazut, në vend të gazit natyror. Përkatësisht, në vend të maksimumit të lejuar prej 50 mikrogramë/m3, nga oxhaku lëshoheshin 121 mikrogramë/m3 çdo orë.
Është vërejtur gjithashtu rritje e emetimit të oksideve të azotit me të paktën dy herë, pra në vend të 350 mg/m3 të lejuar, çdo orë emetohen 711 mg/m3.
Procesi i prodhimit të çimentores “Titan Usje” është i pandërprerë dhe zhvillohet çdo orë të çdo dite gjatë gjithë vitit.
Për shkak të këtyre veprimeve, sot është parashtruar kallëzim penal kundër fabrikës së çimentos “Titan Usje” dhe personit përgjegjës Boris Hrisafov, me iniciativë të kryetares së qytetit të Shkupit Danela Arsovska, nga neni 234 i Kodit Penal “Vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës” në lidhje me nenin 218 të të njëjtit ligj me titull “Ndotja e mjedisit dhe e natyrës”. Për këto vepra parashikohet dënim me burg.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore Publike në Shkup që të hetojë thellësisht pretendimet dhe të veprojë në përputhje me rrethanat. Është e papranueshme që qytetarët e qytetit të Shkupit të jenë viktima të fitimeve të disave që na helmojnë me dekada dhe të cilët nuk guxojnë të amnistohen nga përgjegjësia për ndotjen e mjedisit nga e cila vuajnë mijëra qytetarë nga sëmundje të shumta”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Ndryshe, më 21 gusht, shpërtheu zjarr në rrethin e Çimentores Usje në Kisella Vodë të Shkupit. Sipas Njësitit Territorial Kundër Zjarrit – Shkup, zjarri sipas të gjitha gjasave është shkaktuar nga defekti i instalimit elektrik.
Rikujtojmë që seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën duhej të diskutohej për rekomandimet kundër ndotjes së ajrit, iniciuar nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së, nuk do të mbahet. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, i cili përmes një komunikate me shkrim të dërguar nga partia e tij amë VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk është mbledhur numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për mbajtjen e seancës.
Për dallim prej ditëve të kaluara, sot Shkupi u rendit në vendin e 53-të sipas listës së qyteteve më të ndotura në botë. Kjo do të thotë përmirësim i situatës për dallim prej disa ditëve, kur kryeqyteti me ditë ishte në top-dhjetëshen, ose në top-pesë qytetet më të ndotura. Mirëpo, kjo me shumë gjasa ka ardhur vetëm për shkak të reshjeve të shiut, i cili ka pastruar pak ajrin e Shkupit.
Lajme nga vendi
16-vjeçari nga Gostivari helmohet me alkool, përfundon në spital!
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka njoftuar për një rast helmimi të një të mituri nga Gostivari, i cili si pasojë ka përfunduar në Qendrën Urgjente të Gostivarit.
Sipas nënës së tij, alkoolin 16-vjeçari e ka konsumuar në objekt hotelerik në Gostivar.
“Më datë 01.11.2025 në orën 02:45 në DPB Gostivar, nga Qendra Urgjente Gostivar është denoncuar se tek ata është sjellë një i mitur i helmuar nga konsumimi i alkoolit. Menjëherë është vepruar sipas denoncimit dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një 16-vjeçar nga Gostivari, dhe sipas dëshmisë së nënës së tij, alkoolin e ka konsumuar në një objekt hotelierik në Gostivar. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë, përcjell TV21.
Lajme nga vendi
Fetai: Dallgët e VLEN-it po zhurmojnë në çdo komunë, zgjimi i popullit pas 19 tetorit
Në një postim të fundit, zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se “dallgët e VLEN-it po zhurmojnë në çdo komunë të këtij vendi” dhe përshkroi frymën e protestës dhe angazhimit si një vetëdije që ka lindur pas 19 tetorit. Ai përmendi emrat e disa komunave dhe drejtuesve vendorë si shembuj të përhapjes së mbështetjes për koalicionin.
“Kjo frymë që nuk ndalet, tanimë është kthyer në vetëdije. Është zgjimi i një populli që më 19 tetor i tha mjaft zullumit dhe vendosi të jetë protagonist i ndryshimit. Tetova e Bilallit, Bogovina e Fetiut, Bërvenica e Haqimit, Struga e Mendiut, Dibra e Fisnikut, Studeniçani i Azemit e Dollneni i Blerimit do të jenë vula e politikës së re, e politikës që matet me punë e përgjegjësi. Ne nuk kërkojmë votën tuaj për të shpëtuar vetën tonë, por për t’i pastruar komunat tona nga katrahura që e lanë pas ata që e trajtuan pushtetin si pronë të babës. Andaj, të dielën, të dalim masovikisht, që në mëngjesin e së hënës t’ia japim goditjen e fundit regjimit të vjetër dhe politikës pa krye të Ahmetit, Taravarit e Selës. Kjo është epoka jonë, epoka e të rinjve e të rejave që nuk e pranojnë nënshtrimin. VLEN me Një zë për numrin 7, numrin 133 dhe numrin 36”, shkroi Fetai.
Lajme nga vendi
Kleksani shkon në listën pozitive, nga fundi i nëntorit do të jetë i disponueshëm në farmaci
Nga fundi i muajit të ardhshëm, Kleksani do të mund të merret me recetë, njoftuan nga Fondi për Sigurim Shëndetësor. Përveç Kleksanit, edhe një medikament tjetër kundër mpiksjes së gjakut – Nadoparina, gjithashtu do të përfshihet në listën pozitive. Shuma e pjesëmarrjes për këto barna do të përcaktohet më vonë.
“Këto medikamente deri më tani ishin në listën pozitive B dhe për trajtim në shtëpi qytetarët duheshin të përdornin rimbursim. Deri në fund të nëntorit, këto dy barna do të jenë të disponueshme në farmaci me recetë. Këtu kemi një fitim të dyfishtë: qytetarët, pacientët, nuk do të kenë nevojë të shkojnë te sportelet për të marrë rimbursimin për këto medikamente dhe do të kenë akses më të lehtë tek barnat. Së dyti, ne do të kemi më pak presion pune dhe do të mund të përqendrohemi tek çështje të tjera”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Përveç kësaj, Fondi ka njoftuar se në periudhën e ardhshme do të rishikohen kriteret për sigurimin shëndetësor. Kjo do të thotë se, në bashkëpunim me Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Ministrinë e Brendshme do të vlerësohen rreziqet e abuzimeve, ndërsa në fokus do të jenë personat që punojnë në ekonomi të zezë ose ata që kanë të ardhura jashtë vendit dhe nuk kanë regjistruar asnjë të ardhur në vend.
“Qëllimi nuk është të hiqet sigurimi shëndetësor, por të vendoset një marrëdhënie e drejtë dhe e barabartë – kujdes shëndetësor falas të ketë për njerëzit që me të vërtetë nuk kanë të ardhura, ndërsa për ata që kanë të ardhura në ekonomi të zezë ose jashtë Maqedonisë të gjendet një mënyrë për të kufizuar hapësirën për këto abuzime”, u shpreh Sasho Klekovski, drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Aktualisht, në sistemin e Fondit janë të regjistruar 1.845.007 të siguruar./ Alsat.mk

