Lajme nga vendi
Moti sot paradite mot me diell, pasdite me reshje shiu
Moti paradite do të jetë me diell me vranësira të ulëta deri në mesatare, pasdite pjesërisht i vranët, në disa vende jostabile me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima, lokalisht në formë stuhie afatshkurtër.
Nga dita e sotme, njofton DPHM, do të mbajë mot i ndryshueshëm i vranët dhe dukshëm më i freskët me reshje të kohëpaskohshme shiu me intensitet të ndryshëm dhe me erë mesatare, mjaft të fortë nga drejtimi juglindor. Reshjet do të jenë më të dendura (mbi 25 l/m2 në 24 orë) nesër në pjesët juglindore.
Në Luginën e Shkupit paradite do të mbajë mot me diell me vranësira të ulëta deri në mesatare, ndërsa pasdite në disa pjesë të luginës do të jetë i paqëndrueshëm me paraqitje të shiut të rrëmbyeshëm të përcjellë me bubullima të shkurtra dhe në formë të stuhisë.
Nga nesër do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm i vranët dhe i freskët me reshje të kohëpaskohshme shiu me intensitet të ndryshueshëm.
Lajme nga vendi
Mickoski: Energjia është vendosur lart në agjendën shtetërore, jo si një çështje teknike, por si prioritet nacional dhe strategji shtetërore
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski energjia është vendosur lart në axhendën shtetërore, jo si një çështje teknike, por si një prioritet kombëtar dhe strategji shtetërore.
“Jam krenar që Maqedonia është sot në qendër të debatit global mbi të ardhmen e energjisë, dhe akoma më krenar që bota na sheh jo si një vend të vogël, por si një partner serioz, duke formësuar në mënyrë aktive axhendën për zhvillim të qëndrueshëm.
Fakti që ky diskutim global po zhvillohet sot këtu në Shkup tregon se e ardhmja rajonale e energjisë mund – dhe duhet – të ndërtohet pikërisht këtu në vendin tonë.
Ky është rasti ynë për të treguar se një vend me një sipërfaqe të vogël mund të ketë një ndikim të madh – kur ka një vizion, vendosmëri dhe lidership të qartë.
Dua të theksoj rolin dhe vizionin e Ministrit të Energjisë, i cili është i vendosur të çojë gjërat përpara në një kohë të shkurtër, të përshpejtojë proceset dhe të mos e lërë Maqedoninë të mbetet prapa në garën me kohën.
Si dikush që vjen vetë nga sektori i energjisë, e di shumë mirë se sa e rëndësishme është ajo ndjenjë e lëvizjes së vazhdueshme, e ndryshimit dhe e përgjegjësisë.
Kjo është arsyeja pse energjia vendoset lart në axhendën shtetërore – jo si një çështje teknike, por si një prioritet kombëtar dhe strategji shtetërore”, tha Mickoski.
Ai tha se tranzicioni energjetik dukej i paarritshëm, i kushtueshëm, i ngadaltë. Por ne po e bëjmë të mundur.
Mickoski shtoi se turbulenca globale na kujton se pavarësia energjetike është një kusht për lirinë ekonomike.
Lajme nga vendi
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për paraqitjen e mbetjeve plastike të ambalazhit në lumin Vardar janë rezultat i nivelit të pakënaqshëm të shërbimeve komunale
Në lidhje me paraqitjen e mbetjeve plastike të ambalazhit në lumin Vardar dhe në rrjedhat e tjera ujore më të mëdha dhe më të vogla, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se shkaqet e këtij fenomeni janë rezultat i nivelit të pakënaqshëm të shërbimeve komunale nga operatorët, veçanërisht në zonat rurale. Në këto zona është evidente prania e deponive të vogla ose të mëdha ilegale në sipërfaqe publike, për pastrimin dhe kontrollin e të cilave janë përgjegjëse njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe shërbimet inspektuese komunale.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor, në mënyrë të vazhdueshme përmes BNJVL-së theksojnë nevojën për ndjekje të vazhdueshme të gjendjes me menaxhimin e mbetjeve dhe për forcimin e pranisë së inspektorëve komunalë në terren.
Aktualisht, Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor është në fazën e përgatitjes së ndryshimeve të Ligjit për mbikëqyrje inspektuese në fushën e mjedisit jetësor, me qëllim krijimin e një sistemi unik të mbikëqyrjes inspektuese, që do të mundësojë kontroll më efikas dhe më efektiv në këtë fushë.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor u bën apel njësive të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjeve komunale dhe qytetarëve për përgjegjësi dhe veprim të përbashkët në drejtim të ruajtjes së pastërtisë së lumenjve dhe rrjedhave ujore.
Lajme nga vendi
Bilall Kasami: Përkrahja e madhe që morëm më 19 tetor e dëshmoi se Tetova është në rrugë të drejtë
Përkrahja e madhe që morëm më 19 tetor e dëshmoi se Tetova është në rrugë të drejtë, Tetova po ndryshon, po transformohet dhe po zhvillohet.
Tetova dëshmoi se e vlerëson punën dhe dëshiron që ky zhvillim të vazhdojë edhe më fuqishëm.
Këtë vlerësim, ne ua kthejmë edhe me më shumë punë.
Sot jemi në Rrugën e Potokut, ku bashkë me rrugën 134 dhe Prohorpçinski u asfaltuan tërësisht dhe sipas standardeve bashkëkohore.
Ndërtuam rrugë të re moderne në gjatësi gati një kilometër, asfaltim i rrugës diku mbi 5.000 m2.
Me investim gati 200 mijë euro apo rreth 12 milionë denarë e transformuam këtë lagje pranë çerdhes së Potokut, duke i dhënë pamje evropiane.
Të dashur qytetarë të Tetovës,
Tetova e meriton këtë transformim. Tetova meriton rrugë moderne, shkolla, çerdhe, pishina dhe të gjitha kushtet për një qytet funksional, të pastër dhe modern. Punët e mira për Tetovën duhet të vazhdojnë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm me Kapitullin e Dytë të zhvillimit.

