Lajme nga vendi
Doli nga burgu Abdylfeta Alimi: Liria është e shtrenjtë
Pas më shumë se gjashtë viteve burg, sot doli në liri Abdylfeta Alimi, ish-punonjësi i policisë që siguronte Kuvendin më 27 prill. Pas daljes nga Burgu, Alimi tha se liria është e shtrenjtë. Ai falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtyre viteve të rënda për të.
“Me shëndet jam mirë, falënderoj familjen bashkëfshatarët, gjithë shqiptarët anë e mban e sidomos mikun tim Zijadin Sela, që më ka ndej mbrapa në çdo sekondë. Ju falënderoj dhe juve mediave që më keni përmbajte gjithë këto vite. Por liria është e shtrenjtë, kam kaluar shumë kohë këtu, kam lënë disa shokë që vuajnë padrejtësisht, e dhashtë Zoti edhe ata një ditë do të dalin kështu si unë. Vitet këtu nuk ishin të lehta por me ndihmën e Zotit i kaluam”, u shpreh Abdylfeta Alimi, ish-i burgosur për 27 prillin.
Daljen e Feta Alimit nga Burgu, me plot emocion dhe lot në sy e pritën familjarët e tij dhe , Burim Alimi, dhe ish-kryetari i ASH-së, Ziadin Sela. Ai tha se sot ndjehet si çdo familjar i Alimit, se i është shtua një mik, një vëlla, një anëtar i familjes dhe si një njeri që i ka borxh jetën, që nga 27 prilli.
“Ndjehem i lirë po aq sa Fetai, ashtu siç jam ndjerë jashtë mureve të këtij burgu, por i robëruar bashkë me Fetain. Unë sot e quaj një nga ditët normale të cilën gjatë kohë nuk e kam parë. Ndjehem dhe krenarë me pamposhtësinë dhe vendosmërinë e Fetait, ky burrë nuk u përul kurrë. E di se janë munduar që ta thyejnë, që t’i nxjerrin veshin a këmbën, dhe gjëra të tjera, e di që janë munduar që ta joshin, por ky ka zgjedhur atë që e ka traditë shqiptari, nderin dhe respektin. Ta nderoj veten dhe familjen e tij. Unë jam pjesë e familjes së tij, më ka nderuar dhe mua”, deklaroi Ziadin Sela, ASH.
Sela po ashtu ka dërguar një sërë kritikash në drejtim të mosfunksionimit të gjyqësorit. Por ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për mos mbështetjen e vetingut në gjyqësor.
“Kjo më duket mua absurditet, për shkak se nuk mund të kërkosh nga Maqedonia që të rivendoset një shtet i së drejtës, nga ana tjetër të lejosh që brenda për brenda sistemit gjyqësor të ketë gjykatës dhe prokuror, pa dashur të paragjykoj askënd, të cilët nuk do ta kalonin procesin e vetingut. Nuk është arsyetim të thuash që vetingu mund të bënte të mbetet pa gjykatës sepse me këtë pranon faktin që pjesa më e madhe e gjykatësve dhe prokurorëve janë të korruptuar”, th Ziadin Sela, ASH.
Nryshe më 27 prill të vitit 2017, një grup protestuesish me dhunë u futën në Kuvend për të parandaluar zgjedhjen e talat Xhaferrit si kryetar i Kuvendit. Nga dhuna e protestuesve u lënduan mbi 100 persona mes të cilëve edhe deputetë. Prej tyre në gjendje më kritike ishte Ziadin Sela, i cili në momentet e fundit u shpëtua nga Abdylfeta Alimi, i cili më pas u akuzua si fajtor për hapjen e dyerve të Kuvendit. për dhunën e 27 prillit në Kuvend u dënuan 17 persona me gjithsej 211 vite burg. /Alsat.mk Gazetar: Mefail Ismaili
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

