Lajme nga vendi
Hyrja e Maqedonisë së Veriut në BE është në interes të Gjermanisë dhe BE-së, thotë deputeti gjerman
Bundestagu gjerman pa mëdyshje e pranon gjuhën maqedonase, kulturën dhe identitetin, thotë në deklaratën për Dojçe Vele, deputeti i Liberalëve (FDP), Tomas Haker. Si pjesë e shumicës parlamentare Haker është një nga iniciatorët e rezolutës në parlamentin gjerman për Maqedoninë e Veriut, e cila sot do të gjendet në rend dite të Bundestagut.
Me këtë rezolutë, Bundestagu dëshiron të inkurajojë Maqedoninë e Veriut që të zbatojë kompromisin me Bashkimin Evropian nga vera e vitit 2022, thotë Hakeri, duke aluduar në marrëveshjen për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Deputeti gjerman thekson se hyrja e Maqedonisë së Veriut në BE është në interes të Gjermanisë dhe BE-së.
“Zbatimi i kompromisit nuk do të çojë në humbjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas, siç frikësohen disa persona të ekspozuar politik në Maqedoninë e Veriut”, thekson Haker. Sipas tij, përmbushja e marrëveshjes do t’i mundësojë Shkupit të hapë klasterin e parë negociator dhe kjo, siç thekson ai, “është e një rëndësie vendimtare”.
Në rezolutën për të cilën do të votojë Bundestagu gjerman mbështet të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, njohjen e kulturës, identitetit dhe gjuhës maqedonase, si dhe një sërë rekomandimesh për qeverinë në Berlin. Ndër të tjera, nga qeveria federale kërkohet që të ndikojë në Bullgari që të mos pengojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe të mos vendosë kushte shtesë.
Haker tha se Maqedonia e Veriut është një shembull unik në rajon për gatishmërisë e plotë për integrime euroatlantike. Kjo është arsyeja pse rezoluta kërkon që procesi i anëtarësimit në BE të bëhet “më inovativ”.
“Ashtu siç ka qenë prej vitesh, nuk mund të vazhdojë. Prandaj, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera që sinqerisht mbrojnë anëtarësimin në BE, duhet t’u ofrojmë hapa të ndërmjetëm tërheqës. Propozimi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, e cila kërkon të mundësojë një lidhje më të ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor me planin me katër pika, shkon në drejtimin e duhur”, thotë Haker.
Sipas tij, hapa të tillë janë detyrë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, “dhe veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut”, sepse edhe tani është e dukshme se besueshmëria e BE-së në disa vende nuk është e pafundme.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

