Lajme nga vendi
Hyri në fuqi Vendimi i BE-së për ndihmë makrofinanciare për vendin tonë
Ka hyrë në fuqi vendimi i BE-së për të ofruar ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut në vlerë deri në 100 milionë euro për t’u përballur me pasojat e shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës, pasi u publikua sot zyrtarisht në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Vendimi, të cilin Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAK) të Unionit e miratoi unanimisht të hënën e kaluar, u nënshkrua nga Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola dhe nga Sekretari spanjoll i Shtetit për Bashkimin Evropian, Paskual Navaro Rios, në emër të Kryetarit të Këshillit të BE-së Sharl Mishell.
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAK) miratoi vendimin në takimin e tij në Bruksel të hënën e kaluar me 27 vota pro dhe asnjë kundër ose abstenim. Vendimi, i cili u miratua nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, paraprakisht u miratua nga Parlamenti Evropian më 13 qershor dhe më 5 korrik nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian. (KOREPER).
Në vendim thuhet se ekonomia e vendit, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik të vitit 2022, është prekur ndjeshëm nga recesioni i vitit 2020 si pasojë e pandemisë së Kovid-it, si dhe nga kriza energjetike e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, që kontribuoi në rritjen e nevojave fiskale.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka treguar një përkushtim të fortë për zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kyçe të politikave të identifikuara në Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë të 24 majit të vitit 2022, duke përfshirë reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit”, citohet në dokument.
Siç njofton raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, Komisioni Evropian thekson se vendi ka operacionalizuar me sukses ndihmën makro-financiare për tejkalimin e pasojave të pandemisë së KOVID-19, duke zbatuar “të gjitha aktivitetet reformuese të dakorduara me Bashkimin Evropian në Memorandumin e Mirëkuptimit”.
Gjithashtu, në Vendim citohet se, prillin e kaluar vendi arriti një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një program 24-mujor të likuiditetit deri në 530 milionë euro, i cili u miratua zyrtarisht nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së më 22 nëntor të vitit 2022, për të zbutur pasojat e ndikimeve të jashtme, për të mbështetur konsolidimin fiskal dhe për të përshpejtuar reformat strukturore në disa fusha, duke përfshirë politikën tatimore dhe investimet publike.
Në Vendim citohet se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka rinovuar kërkesën për ndihmë makrofinanciare në tetor të vitit 2022.
Duke pasur parasysh se vendi është kandidat për anëtarësim dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit, KE vlerëson se ka të drejtë të marrë ndihmë makrofinanciare nga Bashkimi Evropian si “një instrument financiar i jashtëzakonshëm për të mbështetur bilancin e pagesave, i cili synon të përgjigjet ndaj nevojave urgjente për financim të jashtëm” dhe për zbatimin e masave për përshtatje të menjëhershme dhe reforma strukturore për përmirësimin e pozicionit të bilancit të pagesave në afat të shkurtër.
“Në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme, ndihma makrofinanciare e Unionit për Maqedoninë e Veriut do të jetë përgjigje adekuate ndaj kërkesës së vendit për mbështetje për stabilizimin e ekonomisë. Ndihma makro-financiare e Unionit do të mbështesë stabilizimin ekonomik dhe agjendën e reformave strukturore të Maqedonisë së Veriut, duke plotësuar burimet e vëna në dispozicion sipas marrëveshjes financiare të FMN-së. Ndihma makro-financiare e Unionit duhet të synojë të mbështesë rivendosjen e gjendjes së qëndrueshme me financimin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë të mbështesë zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, konkludon Komisioni.
Më tej në dokument thuhet se përcaktimi i shumës së ndihmës makrofinanciare të Bashkimit Evropian për vendin duhet të bazohet në një vlerësim sasior të nevojave të mbetura për financim të jashtëm dhe të marrë parasysh kapacitetin e vendit për të financuar me burimet e veta, veçanërisht me rezervat valutore me të cilat disponon.
“Me rastin e përcaktimit të sasisë së ndihmës, kontributet e pritshme financiare nga donatorët shumëpalësh dhe nevoja për të siguruar një ndarje të drejtë të barrës midis Unionit dhe donatorëve të tjerë, si dhe vendosja paraprake e instrumenteve të tjera financiare të jashtme të BE-së dhe atyre të vlerës së shtuar të përfshirjes së përgjithshme të Unionit në Maqedoninë e Veriut”, citohet në dokument.
Sipas KE-së, kjo ndihmë makrofinanciare duhet të mbështesë politikën e jashtme të BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta me BE-në, duke përfshirë respektimin për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë, si dhe një përkushtim ndaj parimeve të tregtisë së hapur dhe të bazuar në rregulla dhe të ndershme.
“Një parakusht për dhënien e ndihmës makro-financiare për Unionin duhet të jetë që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë sistemin parlamentar shumëpartiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut. Për më tepër, objektivat specifike të ndihmës makrofinanciare të BE-së duhet të forcojnë efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e sistemeve të menaxhimit të financave publike, si dhe qeverisjen dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar dhe duhet të nxisin reformat strukturore që synojnë mbështetjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të rritjes, krijimit të vendeve të punës dhe konsolidimit fiskal. Komisioni duhet të monitorojë rregullisht përmbushjen e atyre parakushteve nga Maqedonia e Veriut dhe arritjen e atyre qëllimeve”, theksohet në Vendim.
Komisioni thekson se për të siguruar që interesat financiare të Unionit lidhur me ndihmën makrofinanciare të mbrohen në mënyrë efektive, Maqedonia e Veriut duhet të marrë masat e duhura në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit, korrupsionit dhe çdo parregullsie tjetër që lidhet me këtë ndihmë.
Me këtë vendim, siç theksohet nga Komisioni Evropian, ai qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut në këto kohë sfiduese, sepse pas luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës, bilanci i jashtëm i vendit është përkeqësuar për shkak të varësisë së madhe nga importet e karburanteve dhe energjisë elektrike.
Sipas KE-së, ndihma do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore.
Parashikohet që ndihma të disbursohet në formën e kredisë në dy këste, por disbursimi i tyre do të varet nga reformat e politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, efikasitetit energjitik, reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe zbatimit të programit të FMN-së.
“Këto reforma do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, shtohet në vendim.
Ndihma makro-financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së për të mbështetur vendet kandidate dhe partnerët e fqinjësisë, e parashikuar si një instrument i jashtëzakonshëm reagimi ndaj krizave në rast të problemeve serioze të bilancit të pagesave.
Lajme nga vendi
„Tranzicioni i drejtë do të ketë sukses vetëm nëse e udhëheqim së bashku me punëtorët, komunat dhe komunitetet” – Bozhinovska në Ngjarjen Kombëtare për Këshillat Lokale Ekonomiko – Socialë
Мinistria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë në Ngjarjen Kombëtare për rrjetëzimin e Këshillave Lokale Ekonomiko – Socialë, ku edhe një herë e konfirmoi përkushtimin e fuqishëm të Ministrisë për të punuar hapur, një bashkëpunim dhe dialog të drejtëpërdrejtë me të gjitha palët e përfshira.
„ Tranzicioni duhet të sjellë jetë më të mirë për të gjithë ne. Dhe kjo është mundur vetëm nëse jemi të hapur, të qasshëm dhe nëse punojmë së bashku. Ministria është partner për çdo komunë, çdo organizatë, çdo punëtor dhe çdo kompani që sjell iniciativën. Mund të na drejtoheni në çdo moment”, deklaroi ministrja Bozhinovska.
Këshillat Lokale Ekonomiko – Socialë janë platformë që i bashkon komunat, sindikatat, komunitetin e biznesit, organizatat qytetare dhe instuticionet në procesin e tranzacionit të drejtë energjetik.
„Nëse nuk punojmë së bashku, nëse punëtorët, komunat, biznesi lokal dhe organizatat qytetare nuk janë në proces – atëher procesi nuk do të ketë sukses. Shumë e thjeshtë”, theksoi Bozhinovska.
Bozhinovska iu referua edhe Platformës Investuese për Tranzicionin e Drejtë Energjetik, e cila tashmë funksionon dhe krijon mundësi për financimin e projekteve lokale:
„Me këtë hapet hapësirë reale për investime që do të çojnë tranzicionin përpara. Por duhet që të gjithë faktorët e përfshirë, veçanërisht komunat, të jenë më përgjegjës, të ofrojnë projekte reale dhe të qëndrueshme në mënyrë që t’i përdorim fondet në mënyrë efkase. Detyra jonë është të sigurojmë drejtim të qartë politik, koordinim mes institucioneve dhe mbështetje për projektet cilësore lokale. Ne nuk duam tranzicion vetëm në letër. Dua që çdo komunë të ketë mundësi të zhvillojë projekt, dhe çdo komunitet të ndiejë se ky është një proces që krijon vlerë – jo frikë. Prandaj jemi këtu, prandaj jemi të hapur”, shtoi Bozhinovska..“
Мinistria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet plotësisht e përkushtuar në mbështetjen e proceseve lokale, zhvillimin e vendeve të gjelbrta të punës, industrive të reja dhe kushteve të qëndrueshme për rritje ekonomike në të gjitha rajonet.
Lajme nga vendi
Hapet tuneli hekurudhor i 14-të, në linjën Beljakovc – Kriva Pallankë
Këtë mëngjes hapëm tunelin e parafundit, nga gjithsej 15, në seksionin hekurudhor nga Beljakovc në Kriva Pallankë. Kjo është pjesa e dytë e ndërtimit të hekurudhës për në Bullgari, shkruan drejtori i Hekurudhave te Maqedonise.
Drejtori Sinisha Ivanovski, postoi një video në profilin e tij në Facebook nga hapja e tunelit të 14-të në seksionin hekurudhor Beljakovc – Kriva Pallankë, i cili është në ndërtim e sipër.
“Është mirë kur ka dritë në fund të tunelit. Herët këtë mëngjes hapëm tunelin e parafundit nga gjithsej 15, në seksionin hekurudhor nga Beljakovc-Kriva Pallankë. Kjo është pjesa e dytë e ndërtimit të hekurudhës për në Bullgari”, ka shkruar zoti Ivanovski.
Ndërtimi i kësaj rruge është i mbushur me sfida, një nga më të mëdhatëështë shpimi dhe ndërtimi i tuneleve.
“Progresi i ndërtimit të të gjithë projektit nuk është në nivelin e dëshiruar, por do të doja të përgëzoja kontraktorin për suksesin e tyre në ndërtimin e tuneleve. Besoj se edhe në segmentet e tjera të ndërtimit, ata do të fillojnë të shënojnë sukses shumë shpejt që nga sot”, ka shkruar drejtori I Hekurudhave te Maqedonise Sinisha Ivanovski.
Lajme nga vendi
Apel për ndihmë Zenun Hysa, një 28-vjeçar nga Kaçaniku i Kosovës, po përballet me një betejë të vështirë shëndetësore
Zenun Hysa nga fshati Stagovë i komunës së Kaçanikut është duke përjetuar vështirësi të mëdha shëndetësore si pasojë e epilepsisë, nga e cila vuan prej një kohe të gjatë.
Gjendja e tij po e bën jetën gjithnjë e më të vështirë dhe po kërkon mbështetje urgjente.
Logaria bankare: Raiffeisen Bank – 1504001008528570
Ju falënderon familja Hysa
-
Lajme nga vendi1 month agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga rajoni2 months agoNë 23 komuna përfundon numërimi i votave për asamble

