Lajme nga rajoni
Kurti nuk merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në Tiranë
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm në takimin joformal të thirrur sot nga kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama me krerët e vendeve të Rajonit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryeziu shkruan se Kurti e ka njoftuar Ramën që nuk do të mund të marrë pjesë në takim, për shkak se ndodhet në një konferencë në Kretë të Greqisë.
Kryeziu thekson se megjithatë, Kurti do të jetë i pranishëm në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, shkruan Kryeziu.
Kryeministri Edi Rama do të presë sot (17 korrik) në Tiranë krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhely, takim që zhvillohet në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri më 16 tetor.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar komisioneri BE-se Oliver Varheli, kryeministri i Malit të Zi, i Maqedonisë se Veriut, ajo e Serbisë, ndërsa Kosova do të përfaqësohet nga zv. Kryeministri, Besnik Bislimi.
Lajme nga rajoni
SHQIPËRI: KRYEMINISTRI RAMA BËN SHTATË NDRYSHIME NË QEVERI!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë disa ndryshime të mëdha në kabinetin e tij qeverisës, duke shkarkuar shtatë ministra, përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministres e Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetime për korrupsion. Në mesin e të shkarkuarve është edhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali.
Pa u mbushur 6 muaj në detyrë, kabineti “Rama 4” pëson ndryshime thelbësore.
Në fund të mbledhjes maratonë mes anëtarëve të kabinetit dhe grupit parlamentar, kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, ka lajmëruar 7 ndryshime në qeveri që prekin sektorët kyç.
Pas tre dorëheqjeve të refuzuara, kryeministri ka vendosur të zëvendësojë Belinda Ballukun.
Postin e saj si zv.kryeministre do ta zërë Albana Koçiu, e cila do të lërë në këtë mënyrë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ndërsa vakancën e krijuar nga largimi i Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do ta plotësojë Enea Karakaçi.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, do të rikthehet në parlament vetëm si deputete e qarkut të Tiranës, ndërsa diplomacia do t’i besohet ambasadorit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha.
Albana Koçiu do të zëvendësohet tek Punët e Brendshme nga Besfort Lamallari.
Vetë Lamallari ia lë postin e ministrit të Drejtësisë Toni Gogut, që e liron vendin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin për deputeten e qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili.
Nga qeveria ikën me vendim të kryeministrit edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Vendin e tij do ta zërë Ermal Nufi, një emër i panjohur për publikun.
Ndryshimet në qeveri pritet që fillimisht t’i kalojnë Presidentit të Republikës për dekretim dhe më pas votimit në parlament. Me betimin para kreut të shtetit, ata marrin detyrën e re.
Lajme nga rajoni
Bllokohet plotësisht aksi rrugor Librazhd-Pogradec, policia: Lejohen vetëm mjetet e emergjencës
ELBASAN- Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka njoftuar bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec. Kjo është e vlefshme deri në një njoftim të dytë. Në njoftimin zyrtar të bluve, thuhet se ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla.
Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas. Gjithashtu do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë.
Njoftimi i policisë
Në vijim të njoftimit të dhënë, për qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor “Librazhd-Pogradec”, informojmë se do të bëhet bllokimi i plotë i qarkullimit në këtë aks rrugor, deri në një njoftim të dytë. Në zbatim të këtij vendimi:
Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla. Pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla për të mos vijuar lëvizjen në këtë aks; Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë. Shërbimet e Policisë janë të pranishme në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve. Apelojmë për mirëkuptim dhe respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga strukturat e Policisë. Për çdo emergjencë, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112. Faleminderit për bashkëpunimin./Dosja.al
Lajme nga rajoni
TIRANË: TENSIONE DHE DHUNË NË PROTESTËN E OPOZITËS!
Policia në Tiranë ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji gjatë përplasjeve me protestuesit opozitarë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë shqiptare pas pretendimeve të ngritura për korrupsion kundër zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Protesta e 20 shkurtit u thirr nga Partia Demokratike në opozitë. Protestuesit hodhën koktej molotovi dhe fishekzjarrë ndaj ndërtesës së Kryeministrisë dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Tensione, përplasje dhe molotovë ishin kryefjala e protestës së opozitës përpara Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit në Tiranë.
Gjithçka nisi pas fjalës së Sali Berishës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili ftoi shqiptarët që, ashtu si 35 vite më parë larguan diktatorin Hoxha, t’i rezervojnë të njëjtin fund edhe Kryeministrit Edi Rama.
Hedhja e molotovëve në drejtim të Kryeministrisë solli edhe kundërpërgjigjen e policisë, e cila fillimisht e shpërndau turmën me ujë.
Edhe jashtë godinës së Kuvendit mbështetësit e opozitës hodhën në mënyrë të vazhdueshme molotovë.
Në kundërpërgjigje, policia hodhi ujë e gaz lotsjellës, që përfundoi edhe në hyrje të Xhamisë së Namazgjasë, ku qindra besimtarë kryenin ritualet e faljes gjatë muajit të Ramazanit.
Policinë e Shtetit kryedemokrati e akuzoi jo vetëm për përdorimin e sasisë së madhe të gazit në drejtim të protestuesve, por edhe në drejtim të Xhamisë së Namazgjasë.
Policia e Tiranës ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me protestën e djeshme të zhvilluar nga opozita. Uniformat blu njoftuan se kanë arrestuar në total 18 protestues dhe kanë proceduar penalisht 46 të tjerë.
Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori i kaluar, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë kundër ministres së Edi Ramës, Belinda Balluku.
SPAK e akuzon Ballukun për ndërhyrje në tenderë publikë që kishin të bënin me projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizim të kompanive të caktuara. Balluku i ka mohuar akuzat.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

