Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar dje çmimin M100 Media Award, çmim që u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka uruar të parën e vendit.
Për këtë çmim, Rohde ka shkruar se i thekson pritshmëritë e forta për angazhim të vazhdueshëm në ruajtjen e lirisë së medias.
“Urime për presidenten Vjosa Osmani për marrjen e çmimit M100 Media në Potsdam. Ky nder jo vetëm që njeh përkushtimin tuaj ndaj lirisë së medias – një shtyllë kyçe e çdo demokracie – por gjithashtu thekson pritshmërinë e fortë për angazhim të vazhdueshëm në ruajtjen e saj,” ka shkruar Rohde në “X”.
Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, është pritur në një takim të veçantë nga përfaqësues dhe anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë në Amerikë (APEN), gjatë vizitës së tij në New York.
Në një atmosferë bashkëbisedimi me anëtarët e APEN, Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e këtij rrjeti në ndërlidhjen e profesionistëve shqiptarë në diasporë.
“Në biznes, teknologji, drejtësi, mjekësi, akademi apo art, ju çoni përpara një traditë të përsosmërisë dhe qëndrueshmërisë që përcakton se kush jemi ne si popull,” tha ai, duke shtuar se “diaspora jonë nuk është vetëm një komunitet jashtë vendit, por një forcë lëvizëse për inovacion, rritje dhe progres në të dy anët e Atlantikut.”
Kurti gjithashtu prezantoi “Dritaren për Investimet e Diasporës”, që është pjesë e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si një instrument për të nxitur investimet nga jashtë dhe për të krijuar ura bashkëpunimi ndërbreznore dhe ndërprofesionale.
Në përmbyllje të fjalimit të tij, kryeministri theksoi rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë brenda komunitetit shqiptar kudo në botë.
Në këtë ngjarje, krahas kryeministrit Kurti, morën pjesë edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.
APEN është një rrjet i themeluar në vitin 2007 nga të rinj shqiptaro-amerikanë në New York, me qëllim të avancimit të komunitetit shqiptar në SHBA dhe krijimit të platformave për bashkëpunim profesional.
Policia në Tiranë ka sekuestruar 18 asete me vlerë 3 milionë euro, me burime të dyshuara kriminale.
Siç raportojnë mediat shqiptare, noterja 35-vjeçare, Sanja Telhallari, ka qenë përfituese e këtyre burimeve kriminale, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa Policia ka bërë të ditur se asetet e sekuestruara janë: 13 pasuri të paluajtshme dhe pesë llogari bankare.
Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.
Derisa lidhur me rastin, hetimet dhe veprimet operacionale janë ende në vazhdim.
Advertisement
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tirana do të mirëpresë në 13 dhe 14 tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, i mbështetur nga Komisioni Europian.
Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Zhvillimi i Forumit përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.
I mbështetur nga Komisioni Evropian, ky samit është pjesë e strategjisë më të gjerë të BE-së për të promovuar integrimin rajonal dhe konvergjencën socio-ekonomike, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë rajonin.
Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) ndodhen në një moment kyç në udhëtimin e tyre të përbashkët ekonomik dhe politik. Ndërsa BE kërkon të rigjallërojë dinamizmin e saj ekonomik dhe të sigurojë konkurrueshmërinë e saj globale, Ballkani Perëndimor shfaqet si një kufi i ri premtues për investime.
Advertisement
Ky forum investimesh shërben si një platformë strategjike për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, për të tërhequr investime të huaja direkte (IHD) dhe për të përshpejtuar integrimin e ekonomive të WB6 në tregun e vetëm evropian, duke përfituar si vendet e WB6, shtetet anëtare të BE-së dhe kompanitë evropiane.
Duke nxitur dialogun midis investitorëve, politikëbërësve dhe udhëheqësve të biznesit, ky forum në Tiranë do të nxjerrë në pah se si mundësitë kryesore të investimit mund të katalizojnë rritjen, të thellojnë integrimin e tregut dhe të sigurojnë të ardhmen e Evropës si një bllok konkurrues, elastik dhe i bashkuar. Ai gjithashtu do të adresojë sfidat kritike siç janë barrierat rregullatore, kufizimet e financimit dhe pasiguritë gjeopolitike që mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik rajonal.