Lajme nga vendi
Oda e tregtarëve e pakënaqur me vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve, kërkojnë takim me kryeministrin
Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka shprehur shqetësim për vendimet e djeshme të Qeverisë, e cila solli vendim të ngrijë çmimet e disa produkteve ushqomore dhe joushqimore. Nga Oda e tregtarëve kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve dhe për të marrë parasysh propozimet e arsyetuara të kompanive në sektorin e tregtisë.
Sipas këtyre vendimeve, siç thonë ata, parashikohet kufizimi i marzhit të produkteve ushqimore bazë, me pritshmëri që çmimet e këtyre produkteve të ulen mesatarisht 10 për qind, përveç qumështit, bukës, miellit të tipit 400 dhe 500, vezëve, vajit të gatimit, kosit dhe qumështit të thartë, të cilët pritet të mbeten në të njëjtin nivel, jo rritje.
“Theksojmë se në deklaratën e tij zëvendësministri e mohon vetë këtë. Nga njëra anë thuhet se produktet bazë shënohen me marzh 20-25 për qind, çka është arsyeja e kufizimit të marzhit në 5 për qind, por nga ana tjetër pretendohet se nuk do të ketë ulje të ndjeshme të çmimeve. Është logjike që çmimet të ulen me 15-20 për qind nëse marzhi ulet në këtë mënyrë. Gjithashtu, këto vendime nuk mbrojnë qytetarët e cenueshëm social, por konsumatorët me të ardhura më të larta do të kenë përfitimin më të madh financiar. Për shembull, në grupin e produkteve të mishit do të duhet të ulen edhe çmimet e produkteve luksoze, që do të thotë se nuk merren parasysh prioritetet e qytetarëve me të ardhura më të ulëta”, thuhet në deklaratë.
Oda e tregtarëve thekson se edhe pse Qeveria ka paralajmëruar se kjo masë do të përfshijë 1000 produkte, në realitet bëhet fjalë për një listë shumë më të gjerë prej 3000-4000 produkteve, ku përfshihen të gjitha llojet e qumështit me përmbajtje të ndryshme yndyre, si dhe produkte si detergjentë dhe sapunë.
“I gjithë sektori ndan shqetësimin, megjithëse Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë paraqitur propozime konkrete, të cilat pasqyrojnë situatën reale. Këto propozime kanë qenë me kërkesë të Qeverisë. Ato synojnë të ofrojnë masa efektive për uljen e çmimeve, duke mos rrezikuar në të njëjtën kohë mbijetesën e ndërmarrjeve tregtare. të cilat mund të shkaktojnë dëme të mëdha për të gjitha subjektet ekonomike që merren me veprimtari tregtare”, thonë ata.
Vendime të tilla të nxituara, siç shprehen ata, i shkaktojnë dëme të konsiderueshme një numri të madh të subjekteve afariste që luajnë një rol kyç në zhvillimin e ekonomisë. Sipas tyre, këto kompani përballen me pasiguri në investimet dhe aktivitetet e tyre në të ardhmen, ndërsa në të njëjtën kohë dërgojnë një mesazh negativ për të gjithë investitorët potencialë në industri.
Ata shtojnë se këto kompani punësojnë 4700 qytetarë dhe funksionimi i tyre është thelbësor për stabilitetin ekonomik të vendit.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

