Lajme nga vendi
Muzeu i Alfabetit shënon Ditën e Kongresit të Manastirit
Institucioni kombëtar Muzeu i Alfabetit Shqip po shënon Ditën e Kongresit të Manastirit me një sërë aktivitete programore. Ky kongres historik u mbajt në Manastir dhe përfundoi më 22 nëntor 1908, kur u mor vendimi për unifikimin e alfabetit shqip.
Drejtori i muzeut, Nuer Arsllani, theksoi se solemnitetit qendror, i cili do të mbahet nesër, i paraprijnë aktivitete të ndryshme në hapësirat e institucionit.
“Këtyre ditëve kemi realizuar programe edukative me nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën, kemi promovuar një ekspozitë që dëshmon periudhën e Kongresit të Manastirit. Të ftuarit tanë ishin profesorët Arsim Sinani dhe Dorina Dariu nga Tirana, ndërsa dje organizuam një tribunë shkencore. Me shënimin vazhdojmë edhe sot: në orën 14:00 do të mbahet një orë poetike në ambientet tona, ndërsa sonte në kinemanë ‘Manaki’ do të shfaqet një film dokumentar”, tha Arsllani për MIA.
Manifestimet për Kongresin e Manastirit dhe 22 nëntorin përfundojnë nesër, në ditën e festës, kur muzeun do ta vizitojnë delegacione qeveritare dhe kuvendore nga Maqedonia, si dhe nga jashtë.
Që nga 22 nëntori i vitit 2007, Dita e Alfabetit Shqip festohet si festë shtetërore dhe është ditë jopune për qytetarët e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Lajme nga vendi
Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali takoi Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja
Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, priti në takim Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve, projektet e përbashkëta që i lidhin institucionet tona, si dhe për proceset e integrimit evropian dhe avancimin e agjendës evropiane në rajon.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.

Lajme nga vendi
Babai dyshohet për dhunë seksuale ndaj vajzës së tij 13-vjeçe
Prokuroria e Kavadarit hap hetime për dy raste të përdhunimit të fëmijëve: Kërkohet paraburgim për të dyshuarit
Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore për dy raste të ndara, në të cilat ekzistojnë dyshime për veprën penale – Përdhunim i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjeç, sipas nenit 188 të Kodit Penal.
Rasti i parë: Negotinë
Në rastin e parë, të dyshuar janë dy persona madhorë nga Negotina, të cilët fillimisht kanë kryer veprën penale – Kënaqja e pasioneve seksuale para tjetrit (neni 190 i Kodit Penal). Ata kanë kryer marrëdhënie seksuale para një fëmije të mitur, i cili i ka filmuar me telefon celular.
Gjatë korrikut të vitit të kaluar, kur fëmija ishte 14 vjeç, njëri nga dy të dyshuarit e ka shtyrë disa herë të miturin të kryejë marrëdhënie seksuale me të, për çka i ka dhënë shuma të caktuara parash. Prokurori publik ka propozuar masën e paraburgimit për të dyshuarin për dhunim të fëmijës, vepër për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku 8 vjetësh.
Rasti i dytë: Kavadar
Prokuroria e Kavadarit po zhvillon procedurë dhe ka propozuar masën e paraburgimit edhe ndaj një babai nga Kavadari, i dyshuar për veprime të tjera seksuale ndaj vajzës së tij 13-vjeçare.
Ai, në gjendje të dehur, e ka prekur vajzën në disa raste, me çka ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale nga paragrafi 5 i nenit 188, për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku tri vjetësh.
Lajme nga vendi
Mashtrim prej 15 mijë eurosh: 70-vjeçari nga Tetova denoncon rast në polici
Një 70-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar më 12.01.2026 në SPB Tetovë se ai dhe vëllai i tij janë mashtruar për një shumë prej 15.000 eurosh nga një person me inicialet L. nga Tetova.
Siç raporton Tetovasot, gjatë vitit 2024 i dyshuari u kishte ofruar ndihmë për realizimin e pensionit nga një shtet i huaj, duke u kërkuar para si “depozitë” dhe duke i detyruar të nënshkruanin dokumente blanko. Pasi procedura nuk u realizua, ata kuptuan se ishin mashtruar. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

