Lajme nga vendi
RONI ODAI, STUDIUESI I PËRKUSHTUAR I BIOINFORMATIKËS DHE BIOLOGJISË MOLEKULARE
Roni është doktorant në Universitetin e Lund-it, në Suedi, ndërsa fusha kryesore e studimit përfshinë bioinformatikën, evolucionin e proteinave, sistemet mbrojtëse bakteriale dhe studimi i proteinave virale. Horizonti shkencor i Ronit vjen nga shkollat nordike të kërkimit, ku rreptësia metodologjike bashkëjeton me një kulturë të hapur akademike. Në Lund, në një nga qendrat më të rëndësishme evropiane të biologjisë së avancuar, Roni ka formësuar profilin e tij të shkenctarit të ri, një ndërthurje midis biologjisë molekulare, bioinformatikës dhe shkencave të integruara mjekësore. Roni Odai mbetet një shembull suksesi shkencor. Ai ka rrënjë nga fshati Sllatinë i Tetovës, prej nga vjen babai i tij, i cili punon prej kohësh në Finlandë.
Përgatiti: KDP
Në laboratorët e Universitetit të Lund-it, ku heshtja e instrumenteve shkencore ndërthuret me zhurmën e padukshme të jetës, vepron një profil i veçantë i shkencës bashkëkohore, Roni Odai. Ai i takon një brezi të ri studiuesish që nuk e shohin biologjinë si një mekanikë të thjeshtë të jetës, por si një hartë të thellë të hulumtimit shkencor.
Roni është doktorant në Universitetin e Lund-it, në Suedi, ndërsa fusha kryesore e studimit përfshinë bioinformatikën, evolucionin e proteinave, sistemet mbrojtëse bakteriale dhe studimi i proteinave virale.
Horizonti shkencor i Ronit vjen nga shkollat nordike të kërkimit, ku rreptësia metodologjike bashkëjeton me një kulturë të hapur akademike. Në Lund, në një nga qendrat më të rëndësishme evropiane të biologjisë së avancuar, Roni ka formësuar profilin e tij të shkenctarit të ri, një ndërthurje midis biologjisë molekulare, bioinformatikës dhe shkencave të integruara mjekësore.
Roni Odai ka ndjekur studime të avancuara në bioinformatikë dhe biologji molekulare. Ai është i përfshirë në hulumtime të thella mbi evoluimin e proteinave dhe përdorimin e mjeteve kompjuterike për të modeluar strukturën e proteinave, duke përfshirë edhe përdorimin e AlphaFold, një sistem i avancuar për parashikimin e fold-eve të proteinave.
Aktualisht, ai është pjesë e Atkinson Lab në Universitetin e Lund-it, ku mbetet i fokusuar tek sistemet mbrojtëse bakteriale, veçanërisht ato që lidhen me toxin-antitoxin dhe sistemet mbrojtëse kundër fageve (virus që infektojnë bakteret). Këto hulumtime kanë rëndësi të madhe për kuptimin e mënyrës se si bakteret mbrohen nga infeksionet virale dhe për zhvillimin e metodave të reja në bioinformatikë dhe biologji molekulare.
Kontributet shkencore
Roni Odai ka kontribuar në disa publikime të rëndësishme ndërkombëtare:
- Science Advances (2023): Ka marrë pjesë në krijimin e Viral AlphaFold Database (VAD), një bazë të madhe të strukturave të proteinave virale, duke përfshirë monomere dhe homodimere. Ky projekt ka ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë më mirë fold-et e proteinave virale dhe evolucionin e tyre në bakteret, arkea dhe organizmat eukaristë.
- Cell Host & Microbe: Ka kontribuar në studime mbi mekanizmat me të cilët sistemet toxin-antitoxin-chaperone njohin dhe reagojnë ndaj fageve, duke ofruar njohuri të rëndësishme mbi mbrojtjen bakteriale dhe evolucionin e proteinave mbrojtëse.
Publikimi i tij i fundit në “Science Advances”, i realizuar së bashku me Gemma Atkinson dhe Vasili Hauryliuk, shpalos një fushë që pak kush arrin ta ndriçojë. Ky publikim përshkon identifikimin e formave të ruajtura të proteinave në viruset që prekin bakteret, arkebakteret dhe organizmat eukariotë.
Ky është një kontribut që nuk qëndron vetëm në nivelin e të dhënave shkencore, por hap horizonte të reja mbi substancën dhe misteret e jetës.
Profili shkencor i Roni Odait i tejkalon kufirin e ngushtë të teknicitetit shkencor. Në analizat e tij, ai shpesh shfaq një vizion që risjell qasjen që nënkupton se shkenca nuk është vetëm përshkrim, por edhe interpretim i bazuar në dije paraprake dhe kreativitet njerëzor.
Roni Odai është një studiues i përkushtuar dhe i njohur në fushën e bioinformatikës dhe biologjisë molekulare. Ai ka kontribuar në projekte që kanë rëndësi globale për kuptimin e strukturës së proteinave virale dhe mbrojtjen bakteriale kundër fageve. Me aftësitë e tij në modelimin kompjuterik dhe studimin e proteinave, ai ndihmon në zbulimin e mekanizmave komplekse që rregullojnë jetën mikrobiale dhe evolucionin e proteinave.
I përkushtuar, i heshtur, i saktë, Roni vjen si një shkencëtar modern që ndjek ritmin e të menduarit të thellë, me durimin e atij që e di se çdo zbulim është fillimi i një zbulimi tjetër.
Profili i Ronit është një shembull i asaj gjenerate të re shkencëtarësh që shkencën e kuptojnë si një akt leximi të pandërprerë të botës.
Roni Odai mbetet një shembull suksesi shkencor. Ai ka rrënjë nga fshati Sllatinë i Tetovës, prej nga vjen babai i tij, i cili punon prej kohësh në Finlandë.
Lajme nga vendi
KShZ-në në të ardhmen do ta drejtoj Bojan Mariq
Me shumicë prej dy të tretash, Kuvendi sot zgjodhi përbërjen e re të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Nga 92 deputetë të pranishëm, 83 votuan “pro” që ish-ministri Bojan Mariçiq të bëhet kryetar i ri i KSHZ-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Përveç tij, Abdush Demiri u zgjodh nënkryetar i KSHZ-së, ndërsa Aleksandar Dashtevski, Svetlana Karapetrova, Boris Kondarko, Angelçe Ristov dhe Ditmire Shehu u zgjodhën anëtarë të KSHZ-së.
Për këto pozicione aplikuan 16 kandidatë, por shumica prej tyre juristë, por edhe inxhinier elektrik dhe defektolog.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përbëhet nga shtatë anëtarë (një kryetar, një nënkryetar dhe pesë anëtarë të tjerë).
Anëtarët e KSHZ-së mund të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë me vendbanim të përhershëm në vend, të jenë të diplomuar në drejtësi me të paktën tetë vjet përvojë pune si avokatë dhe të mos jenë anëtarë të një organi të partisë politike.
Lajme nga vendi
Abdush Demiri u zgjodh nënkryetar i KShZ-së
Ja reagimi i tij i pare pas zgjedhjes:
Të nderuar miq, kolegë dhe bashkëqytetarë,
Me përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë, ju njoftoj se sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, jam zgjedhur në pozitën e Nënkryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Ky besim i dhënë me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit është jo vetëm një privilegj, por mbi të gjitha një obligim i madh për të shërbyer me paanshmëri, integritet dhe profesionalizëm në mbrojtje të votës së lirë dhe proceseve demokratike në vendin tonë.
Zotohem se gjatë mandatit tim do të angazhohem maksimalisht për:
Transparencë të plotë në çdo proces zgjedhor.
Mbrojtjen e standardeve më të larta ligjore dhe kushtetuese.
Bashkëpunim konstruktiv me të gjithë aktorët relevantë për të garantuar zgjedhje fer dhe demokratike.
Falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që më mbështetën në këtë rrugëtim. Besimi juaj është forca ime për të punuar me nder dhe përkushtim!
Me respekt,
Lajme nga vendi
Mbi 45% e popullsisë janë duhanpirës të rregullt në vend
Evropa është rajoni me shkallën më të lartë të duhanpirjes në botë, ku mesatarisht 25.9 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç përdor produkte duhani, tregojnë të dhënat e platformës “Brilliant Maps” bazuar në raportin global të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për trendet e përdorimit të duhanit dhe nikotinës nga viti 2000 deri në 2022, me parashikime deri në vitin 2030.
Vendet e Ballkanit janë ndër shtetet evropiane me shkallën më të lartë të duhanit. Numri më i madh i duhanpirësve aktivë është regjistruar në Bullgari dhe Serbi, ku 39.5 për qind e popullsisë përdor duhan. Më pas vijnë Kroacia me 37 për qind, Greqia me 32.8 për qind, Sllovakia me 32.4 për qind, Hungaria me 32.2 për qind dhe Rumania me 30 për qind, që është dukshëm mbi mesataren evropiane.
Në Evropën Perëndimore shkalla e duhanpirjes është më e ulët, por me diferenca të konsiderueshme ndërmjet vendeve. Përqindja më e lartë është regjistruar në Francë, me 34.6 për qind, që është mbi mesataren evropiane dhe afër niveleve të vendeve ballkanike. Të dhënat për të rinjtë janë shqetësuese, veçanërisht në lidhje me cigaret elektronike dhe produktet e reja të nikotinës. Më shumë se 100 milion njerëz në botë përdorin cigare elektronike, dhe në disa vende evropiane shkallët tek adoleshentët nga 13 deri 15 vjeç janë më të larta sesa tek të rriturit.
Raporti i OBSh tregon se, pavarësisht uljes globale të numrit të përdoruesve të duhanit, nga 1.38 miliardë në vitin 2000 në afërsisht 1.2 miliardë në vitin 2024, përdorimi i duhanit mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik. Rajoni evropian është i vetmi që nuk pritet të arrijë objektivin prej 30 për qind të parashikuar në Planin Global të Veprimit të OBSh-së dhe parashikohet që deri në vitin 2030 Evropa të mbetet me prevalencën më të lartë të duhanit, mbi 23 për qind.
Të dhënat tregojnë se 18 për qind e vdekjeve nga sëmundjet jo-infektive në Evropë në vitin 2019 lidhen me përdorimin e duhanit, që do të thotë se pothuajse çdo pesë vdekje të parakohshme mund të shmangeshin nëse duhani eliminohej.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për Ditën Botërore Kundër Përdorimit të Duhanit, vitin e kaluar tregojnë se 45.4 për qind e popullsisë janë duhanpirës aktivë, që është dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian dhe vendosin vendin ndër shtetet me shkallë më të lartë të duhanit në botë.
Sipas ISHP-së, pjesëmarrja në këshillimet për lënien e duhanit, që funksionojnë në kuadër të qendrave të shëndetit publik, është shumë e vogël; në vitin 2023 vetëm 43 persona kanë kërkuar ndihmë.
Instituti thekson se përdorimi i duhanit kontribuon seriozisht në dëm të shëndetit të përgjithshëm të popullsisë, duke nënvizuar se si pasojë e përdorimit të rregullt të duhanit mund të shfaqen sëmundje kardiovaskulare, respiratore, riprodhuese, malinje, endokrine dhe shumë lloje të tjera sëmundjesh.
Industria e duhanit, sipas Institutit, me të gjitha burimet e saj, lufton me sukses përpjekjet për forcimin e legjislacionit, i cili në fakt është një nga kushtet për integrim në Bashkimin Evropian, prandaj nevojitet përshtatja e ligjeve me ato të BE-së për avancimin e vendit.
“Edhe pse Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2006 ratifikoi Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit të OBSh-së dhe gjatë viteve ka pasur përpjekje për të forcuar rregullat lidhur me përdorimin e duhanit, në vitet e fundit ka pasur stagnim në këtë fushë me heqjen e ndalimeve për duhanpirje në tarracat e lokaleve, dhe gjithashtu është lejuar përdorimi i pajisjeve elektronike që ngrohin, por nuk djegin duhanin në ambiente të mbyllura publike”, theksoi Instituti për Ditën Botërore të Duhanit të vitit të kaluar.
OBSh dhe institucione të tjera ndërkombëtare shëndetësore bëjnë thirrje për forcimin e politikave kombëtare dhe rajonale për kontrollin e duhanit, përmes rritjes së taksave, zbatimit strikt të ndalimeve për duhanpirje në vende publike, kufizimit të reklamimit dhe zgjerimit të programeve për mbështetje në lënien e duhanit.


