Lajme nga vendi
MICKOSKI PËR TATIMIN RETROAKTIV: TË DËSHMOHET PAGESA E TATIMIT
“Personat që kanë punuar jashtë vendit nuk do të paguajnë taksa nëse vërtetojnë se kompania përmes së cilës janë punësuar ka paguar taksa në vendin ku kanë punuar”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pyetjes së Televizionit Koha në lidhje me njoftimet e DAP-it për pagesën e taksave për personat që kanë punuar jashtë vendit.
Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se nuk bëhet fjalë për vendosje të një takse retroaktive. Sipas tij, baza ligjore për këtë detyrim është miratuar nga qeveria e mëparshme e përbërë nga LSDM dhe BDI. Ai theksoi se, për shkak se afatet ligjore kishin përfunduar në fund të vitit të kaluar, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ishte e obliguar t’i njoftonte qytetarët dhe individët për të shlyer detyrimet tatimore ndaj shtetit.
“Dua të sqaroj disa gjëra. Nuk bëhet fjalë për taksë retroaktive. Ky është një ligj që u miratua nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa DAP-i, për shkak se afati ligjor para këtyre vendimeve skadoi në fund të vitit të kaluar, duhej t’u drejtohej individëve, si dhe të gjithë qytetarëve në vend, në mënyrë që ata të paguajnë taksën që duhet të paguajnë në shtet. Nëse DAP-i nuk do ta kishte bërë këtë, atëherë ndonjë qeveri pas nesh ose ndoshta kjo qeveri dhe do të kishte kërkuar përgjegjësi penale për DAP-in, ose më saktë për drejtoreshën, për dëmtimin e Buxhetit. DAP-i vetëm u dorëzoi individëve një njoftim se duhet ta shlyejnë atë detyrim brenda një afati të caktuar”.
Mickoski madje thotë se ka mbajtur takim në lidhje me kërkesat e fundit që u bënë nga qytetarët nëpër protesta, në Tetovë dhe Kumanovë, kryesisht të qytetarëve që kanë punuar në Irak dhe Afganistan.
“Patëm takim në kabinetin tim, biseduam me njerëz që ishin në pjesë të ndryshme të botës dhe arritëm në përfundimin se ata duhet të vërtetojnë se kompanitë që i punësuan ata paguanin taksë në vendin ose vendet ku ishin punësuar. Dhe në atë mënyrë, DAP-i nuk do ta paguajë atë taksë”.
Përndryshe organizatorët e protestave kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.
Lajme nga vendi
Fillon procesi për kthimin e tatimit të solidaritetit, kompanitë duhet të dorëzojnë kërkesë në DAP
Shteti gjatë muajit të ardhshëm duhet të paguajë pjesën e parë të tatimit të solidaritetit, të cilat kompanitë e kanë paguar në vitin 2023 në përputhje me Ligjin për tatimin e solidaritetit.
Nga Ministria e Financave deklaruan për MIA-n se ka filluar procesi për rimbursimin e fondeve të paguara në përputhje me Ligjin për tatimin e solidaritetit. “Është miratuar një Rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi formën dhe përmbajtjen e formularit të kërkesës për rimbursimin e taksës së paguar tepër ose të mbledhur gabimisht dhe është publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare. Kompanitë duhet të dorëzojnë kërkesë për rimbursimin e fondeve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike”, njofton Ministria e Financave.
Me Ligjin për tatimin e solidaritetit ishin të përfshira kompanitë që në vitin 2022 gjeneruan të ardhura prej më shumë se 615 milionë denarë dhe në përputhje me Ligjin, rreth 50 milionë euro u paguan në Buxhet në vitin 2023 nga 156 kompani. Pasi Gjykata Kushtetuese e anuloi Ligjin, shteti ishte i detyruar të kthente fondet që u paguan në Buxhet në bazë të Ligjit. Bazuar në këtë Vendim të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave u udhëzua nga Qeveria që të vazhdonte së bashku me kompanitë për të përcaktuar një modalitet për kthimin e fondeve, ku u përcaktua që kthimi i fondeve do të bëhej në dy këste, gjegjësisht në mars të vitit 2026 dhe në mars të vitit 2027
Lajme nga vendi
Paga minimale prej 600 eurosh nuk kaloi në komisione! Deputetët do të vendosin në seancë plenare
Ndryshimet ligjore për rritjen e pagës minimale në 600 euro, të propozuara nga LSDM-ja, nuk kaluan në Komisionin për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike, as në atë ligjvënës-juridik. Nuk kaloi as propozimi për dialog trepalësh, përkatësisht debat publik para deputetëve në Kuvend mes punëdhënësve, sindikatave dhe Qeverisë.
-Ju lutem të votojmë. Kush është për?
Tre.
-Kush është kundër?
Asnjë.
-A ka ndonjë të përmbajtur?
Nuk ka.
-Konstatoj se propozimi nuk pranohet.
Edhe pse propozimi nuk kaloi në komisione, megjithatë për të deputetët do të vendosin në seancë plenare.
Debati kaloi me përpjekjet për bindje dhe argumente nga ana e opozitës pse duhet të rritet paga minimale. Propozimi i LSDM-së është që minimalja nga marsi i këtij viti deri në marsin e vitit të ardhshëm të rritet në 36.960 denarë, ndërsa me rritjen e minimaljes të harmonizohen edhe të gjitha pagat e tjera.
“Së bashku ta dërgojmë atë mesazh se kur bëhet fjalë për qytetarët, kur bëhet fjalë për punëtorët, nuk do të ketë ideologji politike që mund të na ndajë, sepse nëse për shumë çështje të tjera që janë në interes të partive politike mund të gjejmë zgjidhje ligjore që do të ishin konsensus, do ta përmend Kodin Zgjedhor, atëherë pse të mos mund të kemi ndonjë konsensus rreth ligjit për pagën minimale”, pohoi Oliver Spasovski, deputet LSDM.
Deputetët e pushtetit nuk debatuan në shqyrtimet komisionale. Vetëm deputeti nga ZNAM, Mile Cekov, shprehu qëndrim personal se paga minimale duhet të rritet.
“Paga jonë minimale sot është më e ulëta në rajon, edhe pse produktiviteti për orë pune, që është 34 dollarë, ndoshta është një nga më të lartët në rajon. Për shembull në Serbi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi kanë pagë minimale më të lartë se Maqedonia, ndërsa produktivitet më të ulët për orë pune krahasuar me punëtorin tonë”, Mile Cekov, deputet Lëvizja ZNAM.
Ndërkaq, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i la afat Qeverisë dhe punëdhënësve deri në fund të shkurtit që të bien dakord për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Në të kundërtën, për mars paralajmërojnë edhe një protestë tjetër, por edhe grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
Lajme nga vendi
ZV/KRYEMINISTRI SALI NË KIEV NDERON VIKTIMAT E LUFTËS!
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane Bekim Sali ka njoftuar se në Ukrainë, së bashku me kryeministren e Ukrainës, Yuliya Svyrydenko ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Kiev për mbrojtësit e rënë të Ukrainës
Bashkë me Kryeministren e Ukrainës, Yuliya Svyrydenko, morëm pjesë në ceremoninë përkujtimore në Kiev për mbrojtësit e rënë të Ukrainës, ka shkrtuar në Facebook, Zv/Kryeministri I Parë, Bekim Sali, teksa ka shpërndarë edhe një video-material të qëndrimit në Ukrainë.
Si Zëvendëskryeministër i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut , shpreha ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjet e jetëve dhe dënova agresionin rus që vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në rajon.
Tregova mbështetjen tonë të palëkundur ndaj Ukrainës dhe për të dëshmuar angazhimin tonë si anëtare e NATO, që së bashku të qëndrojmë në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe vlerave demokratike – thotë nëpër rrjetet sociale, Zv/Kryeministri Bekim Sali.

