Lajme nga vendi
Konfiskohet motoçikleta, shoferi e drejtonte pa leje vozitje
Më 17.09.2026 në orën 17:45 në lagjen ,,Tullana” në Gostivar, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin B.A.(26) nga Gostivari. Gjatë kontrollit të trafikut është ndaluar një moped me targa të Shkupit, i drejtuar nga B.A., me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa leje drejtimi, gjegjësishtë pa patentë shoferi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Kapet me mbi 1 mijë artikuj pa dokumente, arrestohet 36-vjeçari nga Kumanova
Një 36-vjeçar nga Goshinca është arrestuar në rajonin e Likovës, pasi dyshohet se ka tentuar t’i shmanget kontrollit policor me një kamion të mbushur me mallra pa dokumentacion.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:50. Policia i ka dhënë shenjë për ndalim drejtuesit të një “Mercedes Sprinter”, por ai ka vazhduar drejt fshatit Hotël. Pas ndërhyrjes së policisë, automjeti është ndaluar dhe gjatë kontrollit janë gjetur mbi 1.000 artikuj të ndryshëm, përfshirë tekstil, këpucë, mallra teknike, barna, produkte kozmetike dhe pjesë automjetesh.
36-vjeçari S.S. është privuar nga liria nën dyshimin për veprën penale “kontrabandë”. Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë, ndërsa policia paralajmëron kallëzim penal pas dokumentimit të plotë të rastit.
Lajme nga vendi
Mickoski nga Uashingtoni: Integrimi evropian duhet të bazohet në reforma dhe merita, Maqedonia nuk do të presë – ekonomia duhet të ecë përpara
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës në Uashington, mbajti fjalim para Këshillit Atlantik, ku prezantoi prioritetet strategjike të Qeverisë, pozitën e shtetit në rajon, partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrimin evropian, si dhe planet për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor, energjetik dhe teknologjik të shtetit.
Mickoski theksoi se partneriteti strategjik ndërmjet Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është partneritet i ndërtuar ndër dekada dhe se Qeveria ka përcaktim të qartë për ta thelluar më tej atë. Ai theksoi se Maqedonia është një shtet i vogël, por me një pozitë jashtëzakonisht të rëndësishme gjeostrategjike në zemër të Ballkanit, si udhëkryq natyror i korridoreve të rëndësishme evropiane të transportit dhe energjetikës.
Kryeministri theksoi se politika e Qeverisë bazohet në parashikueshmëri dhe përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër. Në këtë kontekst, ai theksoi se shteti ka një plan të qartë edhe në lidhje me detyrimet si anëtare e NATO-s, përfshirë rritjen graduale të mjeteve të ndara për mbrojtjen, por edhe investimet në infrastrukturën strategjike – autostrada, hekurudha dhe sisteme të transmetimit të energjisë.
Si një nga sfidat e rëndësishme për të ardhmen, Mickoski veçoi edhe sigurinë kibernetike. Qeveria, si pjesë e agjendës së reformave me Bashkimin Evropian, planifikon zhvillimin e një qendre primare të të dhënave, e cila do t’i lidhë institucionet publike, do të jetë e lidhur me qendrën ekzistuese sekondare për rikuperimin e të dhënave dhe do të sigurohet më tej përmes infrastrukturës cloud. Qëllimi është që shteti të ndërtojë një sistem më të fuqishëm dhe më rezistent për mbrojtjen nga kërcënimet bashkëkohore kibernetike.
Mickoski para Këshillit Atlantik prezantoi edhe strategjinë zhvillimore të Qeverisë, e cila bazohet në tre shtylla të ndërlidhura – infrastrukturën, infrastrukturën energjetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e avancuar.
Në pjesën e energjetikës, ai theksoi se ambicia është që Maqedonia të bëhet një udhëkryq i rëndësishëm energjetik dhe tranzitues në Ballkan. Interkonektori drejt Greqisë duhet të mundësojë lidhjen me terminalin e LNG-së në Aleksandrupoli, ndërsa me ndërtimin e interkonektorit drejt Serbisë krijohet mundësia që kjo linjë energjetike të vazhdojë drejt Evropës Qendrore.
Sipas Mickoskit, me përfundimin e të dy projekteve, Maqedonia fiton një rëndësi shumë më të madhe rajonale dhe mundësinë për t’u bërë vend tranzit për furnizimin me gaz natyror drejt Evropës Qendrore. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i infrastrukturës së gazit ndërlidhet edhe me investimet e ardhshme në prodhimin e energjisë elektrike, qendrat e të dhënave, inteligjencën artificiale dhe industrinë e teknologjisë së avancuar.
Kryeministri foli edhe për projektet infrastrukturore, duke theksuar rëndësinë e Korridoreve 8 dhe 10. Maqedonia ndodhet në udhëkryqin natyror të këtyre dy korridoreve evropiane – Korridorit 10, i cili lidh Mesdheun dhe Detin Egje me Evropën Qendrore, dhe Korridorit 8, i cili lidh Detin Adriatik dhe Detin Jon me Detin e Zi.
Ai theksoi se rëndësia e tyre nuk është vetëm ekonomike, por edhe strategjike dhe e sigurisë, veçanërisht për NATO-n dhe për rindërtimin e ardhshëm të Ukrainës.
Sa i përket integrimit evropian, Mickoski theksoi se Maqedonia mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por se procesi duhet të bazohet në reforma dhe merita, në vend të hapjes së vazhdueshme të çështjeve të reja bilaterale.
Ai rikujtoi se Maqedonia për më shumë se dy dekada ndodhet në rrugën evropiane dhe se gjatë periudhës së kaluar shteti dhe qytetarët kanë bërë një sërë lëshimesh në emër të perspektivës evropiane. Sipas Mickoskit, pakënaqësia e qytetarëve buron nga fakti se, pavarësisht hapave të ndërmarrë, shteti sërish përballet me kushte shtesë. Është e nevojshme ëparashikueshmëria e procesit dhe garancia se nuk do të hapen vazhdimisht kushte të reja bilaterale.
Kryeministri theksoi se, deri sa Qeveria kërkon zgjidhje për rrugën evropiane, Maqedonia nuk do të qëndrojë në vend, por do të vazhdojë ta zhvillojë ekonominë, të zbatojë reformat, të forcojë sundimin e ligjit, të tërheqë investime të huaja direkte dhe të investojë në industrinë e teknologjisë së avancuar.
Në këtë kontekst, ai veçoi edhe rritjen ekonomike prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë, duke vlerësuar se Maqedonia është ndër vendet me rritjen më të lartë në Evropë.
Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë të bisedojë me partnerët evropianë dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sfidat me të cilat përballet vendi dhe se Maqedonia nuk do të izolohet apo të tërhiqet nga bisedimet.
Përcaktimi strategjik, siç theksoi ai, mbetet i qartë – thellimi i aleancës dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
Fjalimi para Këshillit Atlantik konfirmoi pozitën e Maqedonisë si aleate e NATO-s me orientim të qartë strategjik perëndimor, por edhe si shtet që dëshiron ta bazojë zhvillimin e vet në projekte konkrete – infrastrukturë moderne, ndërlidhje energjetike, qëndrueshmëri digjitale dhe kibernetike, investime, inteligjencë artificiale dhe teknologji të avancuar.
Mesazhi i Mickoskit nga Uashingtoni është se Maqedonia do të vazhdojë t’i zhvillojë bisedimet për të ardhmen e saj evropiane, por njëkohësisht do të punojë në zhvillimin e vet ekonomik dhe në forcimin e pozitës së saj gjeostrategjike në rajon.
Lajme nga vendi
ALI AHMETI MBLEDH KRYESINË QENDRORE – DISKUTOHET VERDIKTI I HAGËS!
Mbrëmë, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mbajti mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, përkatësisht Kryesisë Qendrore të BDI-së, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe për forcimin e kapaciteteve strukturore dhe organizative brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.Në fokus të veçantë të diskutimit ishte edhe vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i datës 16 shtator 2026.
Kryesia Qendrore e BDI-së në mbledhjen e saj të fundit ka diskutuar mbi vendimin e datës 16 shtator të Gjykatës së Hagës duke bërë thirrje që të mos lejohet që historia e luftës çlirimtare të Kosovës të tjetërsohet, por edhe duke rikujtuar, sic thuhet në komunikatë, se si nisi ky proces, mbi çfarë pretendimesh u ngrit dhe çfarë mbeti prej tyre pas gjithë këtyre viteve.
Procesi që çoi drejt krijimit të Gjykatës Speciale mori shtysë nga raporti i Dick Marty-t dhe pretendimet e rënda për trafikim organesh. Por, pas gjithë këtyre viteve hetime dhe procesi gjyqësor, asnjë nga këto pretendime për të cilën edhe u formua kjo Gjykatë nuk u dëshmuan dhe në mungesë të fakteve u sajua një proces kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Historia e kësaj lufte dhe sakrifica e një populli për liri nuk mund të gjykohet në një proces të sajuar gjyqësor.
Në një komunikatë tjetër që vjen nga selia e BDI-së, integristët me keqardhje i vlerëson reagimet e partive politike maqedonase, të cilat me qasjen e tyre bëjnë një gabim serioz duke përpjekur të barazojnë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë me Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Këto janë dy institucione juridikisht dhe institucionalisht të ndryshme. Tribunali për ish-Jugosllavinë u themelua në vitin 1993 me Rezolutë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si tribunal ndërkombëtar për krimet e kryera në territorin e ish-Jugosllavisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë diçka tjetër: janë institucione të sistemit gjyqësor të Kosovës, të themeluara mbi bazën e një ndryshimi kushtetues dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, me seli të zhvendosur në Hagë. Prandaj, nuk mund të përdoret rasti i Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavinë si argument për të paraqitur çdo vendim të marrë në Hagë si të njëjtë në natyrë dhe në status juridik.
Çdo përpjekje për ta politizuar drejtësinë, për të manipuluar faktet apo për të barazuar procese juridikisht të ndryshme vetëm sa i rrit tensionet dhe krijon terren për përplasje të panevojshme ndëretnike, të cilat askujt nuk i shërbejnë, thuhet në reagimin e BDI-së.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

