Lajme nga vendi
IRI i publikoi rezultatet për rejtingun e partive,BDI 6%, ASH 5% , BESA 4%
Nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, 19% e të anketuarve do të votonin për VMRO-DPMNE-në, 11% për LSDM-në, 7% për BDI-në, 6% për Levicën, 5% për Aleancën për Shqiptarët dhe 4% për Lëvizjen BESA. Kështu tregojnë të dhënat e anketës së Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), e cila është zbatuar prej 23 shtatorit deri më 13 tetor të këtij viti, me margjinë të gabimit prej 2,8% dhe 95% nivel të besimit me 1.207 të anketuar, njofton Portalb.mk.
6% e të anketuarve do të votonin për ndonjë parti tjetër, 52% nuk i përkasin ndonjë partie, ndërkaq 5% kanë refuzuar të përgjigjen.
Në lidhje me popullaritetin e politikanëve, ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është azilant në Hungari udhëheq me 7%, Hristijan Mickoski dhe Ali Ahmeti pas tij janë me nga 6%, kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski me 5%, presidenti Stevo Pendarovski, Dimitar Apasiev dhe Bilall Kasami me nga 3%, ndërkaq Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe Branko Cërvenkovski me nga 2%.
36% e të anketuarve, vlerësojnë se tani jemi më afër BE-së, ndërkaq 43% vlerësojnë se kemi qenë më afër kur e kemi marrë statusin vend kandidat në vitin 2005. 21% nuk dinë ose refuzojnë të përgjigjen.
Në lidhje me atë se kur pritet që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, 20% janë përgjigjur për periudhën prej 1 deri në 5 vjet, 26% për periudhën prej 5-10 vjet, 25% për periudhën më shumë se 10 vjet dhe 23% kanë deklaruar se nuk presin ndonjëherë që RMV të anëtarësohet në BE. 6% nuk e dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

