Lajme nga vendi
Nëpërmjet komunikimit më të mirë deri te siguria më e madhe e punonjësve të mediave
Sfidat në raportimin dhe dokumentimin e ngjarjeve nga sfera publike në rajonin e Pollogut dhe përmirësimi i komunikimit të gazetarëve me përfaqësuesit e MPB-së, në veçanti me zyrtarët e rinj, ishin temat e takimit të djeshëm i cili u zhvillua në SPB Tetovë.
Gazetarë nga rajoni i Tetovës dhe përfaqësuesit e MPB-së diskutuan hapur për mënyrat se si të përmirësohet puna e gazetarëve dhe se si ata në mënyrë më të sigurt të mund ti kryejnë detyrat e tyre në terren, pa u penguar gjatë procesit.
Bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të mediave dhe policisë është i domosdoshëm sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje specifike siç janë protestat dhe tubimet publike, vizitat zyrtare dhe protokollare në qytetin e Tetovës por edhe në rastet kur ka pasur shkelje të ndryshme ligjore apo aksidente në hapësirë publike. Në këtë takim pune të pranishmit biseduan për nevojën e respektit të ndërsjellë mes policisë dhe mediave me qëllim të thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë por edhe për të përforcuar sigurinë e gazetarëve dhe kameramanëve.
U konstatua se në të ardhmen duhet më shumë punë dhe trajnime, në veçanti me gjeneratat e reja të zyrtarëve të MPB-së të cilët kanë më pak përvojë në punën e tyre. Në këtë mënyrë në të ardhmen do të parandalohen keqkuptimet por edhe do të përmirësohej respekti i ndërsjellë dhe komunikimi profesional dhe i përgjegjshëm mes policisë dhe mediave, e cila gjithashtu kontribuon në ndërtimin e bashkëpunimit më të fortë mes komunitetit dhe policisë.
Përfaqësues nga SHGM në takim ishin koordinatori i qendrës rajonale në Tetovë, gazetari Urim Hasipi, gazetari Zoran Dimovski, koordinatori i seksionit të kameramanëve nga rajoni i Pollogut, Vedut Osmani, ndërsa nga MPB morën pjesë ndihmës ministri për marrëdhënie me publikun Toni Angelovski si dhe Marjan Josifoski, Amir Dalipi dhe Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.
Takimi është vazhdim dhe përmirësim i bashkëpunimit të mirë mes përfaqësuesve të SHGM-së dhe MPB-së dhe vazhdë e takimeve të zhvilluara gjatë vitit të kaluar në Shkup, si rezultat i memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar më parë. Në periudhën e ardhshme janë paraparë takime të ngjashme edhe në qendrat tjera rajonale të SHGM-së në Ohër, Manastir, Kumanovë, Shtip dhe Strumicë.
Lajme nga vendi
BDI: Ivan Stoilkoviç largon pesë shqiptarë me vendim arbitrar
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të ministrit Ivan Stoilkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e ligjit dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve publike.
Sipas BDI-së, rasti përmban elemente të një procesi të kontestueshëm si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material. Partia thekson se procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, çka sipas tyre e bën atë juridikisht të pavlefshme.
Po ashtu, në reagim thuhet se vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktuar përgjegjësi individuale, ndërsa përmenden edhe indikacione për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve për të justifikuar një vendim të marrë paraprakisht. BDI vlerëson se masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës është joproporcionale në raport me pretendimet.
Partia opozitare paralajmëron se këto veprime përbëjnë një model të rrezikshëm vendimmarrjeje dhe mund të interpretohen si arbitrare, sidomos kur merren pa respektuar afatet ligjore dhe pa prova të qëndrueshme.
Rasti bëhet edhe më i ndjeshëm, sipas BDI-së, për shkak se bëhet fjalë për pesë punonjës shqiptarë në një ministri që ka për mision marrëdhëniet ndërmjet bashkësive, duke shtuar nevojën për transparencë të plotë dhe paanshmëri.
BDI kërkon publikimin e plotë të procedurave dhe vendimeve që kanë çuar në këto largime, hetim institucional për respektimin e ligjit dhe rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve në përputhje me standardet e administratës publike.
Sipas tyre, ky rast duhet të shërbejë si test për seriozitetin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj parimit të barazisë dhe ligjshmërisë.
Lajme nga vendi
Dorëzohet aktakuzë ndaj tre personave, vodhën kabllo në një fabrikë në Shkup
Pas kryerjes së një hetimi, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti aktakuzë kundër tre bashkëkryesve të veprës penale “Vjedhje e rëndë” sipas nenit 236, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
“Në ditët e para të marsit të këtij viti, nga ambientet e fabrikës “Zhelezara”, të pandehurit vodhën lloje të ndryshme kabllosh me vlerë totale prej 196.500 denarësh, në pronësi të një personi juridik nga Kavadari. Gjatë vjedhjes, ata dëmtuan edhe një kabllo që ishte pjesë e një instalimi publik elektrik, me vlerë 800.000 denarë. Kur i ngarkuan kabllot në një makinë dhe u përpoqën t’i nxirrnin nga ambientet e fabrikës, të pandehurit u zbuluan dhe u privuan nga liria”.
“Me aktakuzën, prokurori publik i paraqiti Gjykatës një propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit të caktuar më parë për njërin nga të pandehurit, ndërsa masat paraprake janë në fuqi për dy të tjerët”, thonë nga Prokuroria.
Lajme nga vendi
KOMUNIKIMI KALON NGA ZËRI TE INTERNETI! Qytetarët kalojnë te komunikimi online
Tregu i komunikimeve elektronike në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025 pasqyron një fazë të qartë maturimi dhe transformimi, ku përdoruesit vazhdojnë të mbështeten fuqishëm në shërbimet mobile, por njëkohësisht po ndryshojnë mënyrën se si i përdorin ato. Sipas të dhënave më të fundit, gjatë vitit të kaluar abonentët e telefonisë celulare realizuan mesatarisht 104.05 thirrje dhe folën rreth 228.03 minuta në muaj. Këto shifra tregojnë se komunikimi zanor vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm, megjithëse trendet globale sugjerojnë një zhvendosje graduale drejt komunikimit përmes internetit, përfshirë aplikacionet e mesazheve dhe thirrjeve online.
Struktura e trafikut tregon një dominim të fortë të komunikimit brenda të njëjtit rrjet celular, me 143.27 minuta ose 62.83 për qind të totalit. Ky fenomen lidhet kryesisht me ofertat komerciale të operatorëve, të cilat favorizojnë thirrjet brenda rrjetit të tyre. Nga ana tjetër, trafiku drejt rrjeteve të tjera celulare në vend arrin në 80.99 minuta, ose 35.52 për qind, duke reflektuar një ndërveprim të konsiderueshëm mes përdoruesve të operatorëve të ndryshëm, por ende më të kufizuar krahasuar me komunikimin “on-net”.
Thirrjet drejt rrjeteve fikse dhe ato ndërkombëtare përbëjnë një pjesë shumë të vogël të përdorimit. Konkretisht, vetëm 1.51 minuta shkojnë drejt rrjetit fiks të të njëjtit operator, 1.97 minuta drejt rrjeteve të tjera fikse dhe vetëm 0.29 minuta drejt rrjeteve jashtë vendit. Kjo tregon një rënie të dukshme të rëndësisë së telefonisë fikse dhe të thirrjeve tradicionale ndërkombëtare, të cilat po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga shërbimet digjitale. Krahasuar me vitin 2024, vihet re një rënie e përgjithshme e volumit të trafikut drejt të gjitha destinacioneve. Ky zhvillim konsiderohet si tregues i qartë i ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve, të cilët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të internetit mobil për komunikim, në vend të thirrjeve klasike.
Numri i abonentëve aktivë të telefonisë mobile në fund të vitit 2025 arriti në 1.954.643, që paraqet një rritje prej 1.82 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo rritje është nxitur kryesisht nga abonentët rezidencialë me kontratë (post-paid), të cilët shënuan një rritje prej 2.55 për qind. Në të kundërt, segmenti i biznesit ka pësuar një rënie të lehtë prej 0.3 për qind, që mund të lidhet me optimizimin e kostove dhe përdorimin më të madh të platformave alternative të komunikimit.
Sa i përket konkurrencës në treg, ajo mbetet relativisht e përqendruar. A1 MK kryeson me 48.08 për qind të pjesëmarrjes në treg, e ndjekur nga Makedonski Telekom me 45.93 për qind. Operatorët më të vegjël si MTEL (4.42 për qind), Telekabel (1.36 për qind), Mtelmobile (0.10 për qind) dhe Green Mobile (0.11 për qind) kanë një rol më të kufizuar, por gjithsesi kontribuojnë në diversifikimin e ofertës dhe rritjen e konkurrencës në treg. Në segmentin e telefonisë fikse, në fund të vitit u regjistruan 457.763 përdorues, që paraqet një rritje modeste prej 1.75 për qind. Megjithatë, funksioni i linjës fikse po ndryshon gradualisht, duke u integruar gjithnjë e më shumë në paketa të kombinuara shërbimesh.
Një tregues i rëndësishëm i këtij transformimi është numri i abonentëve në shërbime të paketuara, i cili arriti në 445.831. Shumica e këtyre përdoruesve zgjedhin paketa që përfshijnë tri shërbime – telefoninë fikse, internetin me brez të gjerë dhe televizionin – duke reflektuar një orientim të qartë drejt ofertave “bundle”, të cilat ofrojnë më shumë komoditet dhe kosto më të ulët për konsumatorët. Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se tregu i komunikimeve në vend po kalon nga një model tradicional i bazuar në komunikimin zanor drejt një modeli gjithnjë e më digjital, ku interneti dhe shërbimet e integruara po marrin rolin dominues në jetën e përditshme të qytetarëve.(koha.mk)
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

