Lajme nga vendi
Për tunelin e “shpëtimit” nga tmerri i maltretimit në burgun e Idrizovës po flet gjithkush, por kush flet për kushtet në këtë burg?
Burgu i Idrizovës ka qenë top temë e diskutimit dhe raportimit në secilën media, që qenka zbuluar një tunel i hapur si mundësi e arratisjes për të burgosurit. Mirë që është zbuluar tuneli dhe është ndalë një veprim ilegal dhe i paligjshëm nga të burgosurit. Por, ajo që duhet ta parashtrojmë si pyetje meqë po flitet për këtë burg më e rëndësishme është të dimë se në çfarë kushte po qëndrojnë këta të burgosur përbrenda atyre hapësirave famëkeqe. Hapja e një tuneli ndikoi që të kuptojmë se brenda këtij burgu paska njerëz që jetojnë dhe që meritojnë vëmendje e kontroll se me çfarë përballen këta të burgosur. Gjendja në të gjitha burgjet e Maqedonisë së Veriut është jo e mirë, por në veçanti në burgun më të madh në vend atë të Idrizovës kushtet janë katastrofale. Mungesë higjiene dhe kujdesi shëndetësor, dhoma të stërngarkuara me të dënuar, keqtrajtim dhe maltretime fizike dhe psikike, gjitha këto ndodhin në burgun e Idrizovës, sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian dhe raportit të Avokatit të Popullit. Të dënuarit që vuajnë dënimet e tyre në burgje nuk nënkupton që janë robër dhe duhet të keqtrajtohen në forma të ndryshme, shkruan Zhurnal.
U zbulua një tunel i hapur 40 metra në burgun e Idrizovës –
Përmes gërmimit të një tuneli prej 40 metrash një grup prej 8 të burgosurish kanë planifikuar të arratisen nga burgu i Idrizovës në Shkup. Një gjë e tillë u zbulua sot nga organet e sigurisë në vend të cilët thonë se kanë parandaluar arratisje të planifikuar.
“Pas marrjes së njohurive kriminalistike, se një grup prej së paku prej 8 të burgosurve të cilët janë të dënuar për vepra penale serioze me dënime prej 10 vjet deri në burg të përjetshëm, kanë përgatitur arratisje nga burgu, duke gërmuar tunel, MPB ka zbatuar aktivitete penale operative për kontroll të informatave pas çka të njëjtat i ka ndarë me Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve”, tha Toni Angellovski nga MPB.
Nga MPB shpjegojnë në detaje se si ka qenë e organizuar puna për hapjen e këtij tuneli.
“Tuneli ka qenë në thellësi prej 1 metër, në diametër prej rreth 80 centimetrave, i cili ka qenë i siguruar me trarë dhe tulla. Në tunel, janë gjetur disa shporta të plastikës të cilat janë të lidhura me litarë, e me të cilat është larguar dheu i gërmuar. Gjithashtu ka pasur edhe një kabllo elektrik me poç e cila ka shërbyer për ndriçim të tunelit”, thonë nga MPB.
Kujtojmë që, në muajt e fundit janë regjistruar edhe të tjera arratisje spektakolare nga burgjet e vendit. Kjo mbase është edhe përgjigja më reale e pyetjes se si janë kushtet përbrenda këtyre burgjeve. Arratisjet e tilla, tentimet për arratisje në të njëjtën kohë flasin për mungesë sigurie si dhe për kushte mizore në të cilat qëndrojnë këta të burgosur, e për këto të fundit më rrallë dëgjojmë reportazhe dhe lajme që kanë të bëjnë pikërisht me këto tema.
Çfarë kushte ka përbrenda burgut të Idrizovës?
Sipas avokatit të popullit, Naser Ziberi, të dënuarit në burgun e Idrizovës janë vendosur në hapësira tejet problematike që shpesh herë kanë qenë shkaktare për tensione ndërmjet të dënuarve. 16 të dënuar në një hapësirë prej 16 metrave katrorë, kjo është e tmerrshme dhe mizore një metër katror për një person, që nuk ngjanë aspak me vend ku mbahen dënime por më shumë me shpella dhe vrima ku bëhen keqtrajtime.
Hapësira tjera të ngjashme ku në 19 metra katrorë janë vendosur 12 persona. Nga inspektimet që kanë bërë nga avokati popullit gjatë raportimit vitin që lamë pas thanë që kushtet janë katastrofale dhe aspak normale. Sipas tyre, ka pasur edhe njerëz që janë të shtrirë nëpër dysheme, në korridore, krevete të improvizuara. Për kushtet higjienike nga kontrollet e realizuara është konstatuar se janë tejet në nivel të ulët.
Pra, nga raporti i Avokatit të Popullit thuhet që në burgun e Idrizovë, si dhe disa burgje të tjera, ka mbipopullim dhe mungesë të hapësirave për të dënuarit. Mes tjerash në burgun e Idrizovës dhe atë të Shutkës është konstatuar që janë përdorur edhe rripa të lëkurës në vend të prangave.
Se gjendja në burgjet e Maqedonisë së Veriut, në veçanti në atë të Idrizovës, është e rëndë, flet edhe raporti i fundit i Komisionit të Evropës mbi gjendjen në burgje.
Mbeten mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve – sistem i keq i menaxhimit dhe punës së punonjësve, mungesë e stafit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor për të dënuarit, dhunë mes personave të dënuar, kushte të mjera materiale, mungesë e aktiviteteve të dedikuara dhe korrupsion endemik, thekson Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut.
Një shqetësim shtesë i vënë në dukje nga KE është mbipopullimi i burgjeve. Sipas të dhënave të marsit të vitit 2022, bëhet fjalë për 2.462 persona të dënuar dhe të paraburgosur. Është ende problem mungesa e kujdesit shëndetësor dhe masave adekuate për trajtimin e varësisë nga droga në burgje, i cili mbetet një shqetësim serioz dhe diçka që duhet ta trajtojë Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, duke marrë për analizë raportin e Komisionit Evropian, si dhe raportin e Avokatit të Popullit, lirshëm mund të konstatohet gjendja momentale në burgjet e vendit është e mjerueshme që predispozitat më të larta janë që këto vende të klasifikohen si vende keqtrajtimi dhe jo vende ku mbahen dënimet. Kujdesi shëndetësor dhe higjiena në nivel shumë të ulët ajo për të cilën kanë më së shumti nevojë të burgosurit. Duhet të kujtojmë që të dënuarit në ato hapësira të kufizuara janë të stërngarkuar me numër mbi normalen në proporcion me hapësirën dhe metrat katror të dhomave. Në këto hapësira të pa pastra dhe pa kujdes mjekësor të dënuarit kalojnë 23 orë, një orë të vetme e kanë pauzë jashtë për ajrosje, për të thithë ajrin e ndotur të Shkupit. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Një apel i munguar i maqedonasve – Çomovski: Maqedonasit duhet ta mësojnë shqipen
Gazetari Aleksandar Çomovski, në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, ka theksuar se për Maqedoninë e Veriut është e domosdoshme një qasje e re në marrëdhëniet ndëretnike, përmes futjes fakultative të gjuhës shqipe në sistemin arsimor.
“Teza ime është, e di që do të has në rezistencë, por dua ta përjetoj, për t’u futur fakultative gjuhën shqipe, duke studiuar në mjedise ku korrespondojnë të dy etnikumet, përfshirë edhe në nivel qendror”, deklaroi Çomovski.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në profilin zyrtar të Gazetës KOHA në YouTube
Lajme nga vendi
Pavarësisht mungesës së shqiptarëve në hartimin e propozim-ligjit, Janevska këmbëngul: S’ka nevojë për tërheqje të Ligjit
“Nuk ka nevojë të tërhiqet ligji sepse çdo tërheqje dhe shtyrje e kësaj zgjidhjeje ligjore është në dëm të arsimit të lartë në vend, dhe kjo do të thotë në dëm të studentëve dhe të rinjve, dhe, në përgjithësi, të të gjithë vendit”. Kështu tha sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ligji i propozuar për arsimin e lartë do të tërhiqet për t’u shqyrtuar.
Siç tha ajo, nuk ka aq shumë vërejtje nga të gjitha universitetet, saqë një numër i caktuar përsëritet dhe se ato për të cilat profesorët kanë të drejtë do të korrigjohen. Ajo tregoi disa për të cilat tashmë ka marrëveshje për t’i ndryshuar.
“Për shembull, ligji thotë se para mbrojtjes së tezës së masterit, kandidati duhet të ketë botuar një punim në Web of Science. Pasi diskutuam me argumente se mund të mos ketë kohë për një gjë të tillë, ajo do të tërhiqet. Për mbrojtjen e një teze doktorature, kërkohej që tre punime të botoheshin në një revistë me faktor ndikimi, duke marrë përsëri parasysh kohën, përpjekjen që studenti i doktoraturës duhet të investojë, arritëm në përfundimin se edhe dy punime janë plotësisht në rregull. Ai tashmë ka filluar kërkimin shkencor, në titull, dhe është plotësisht në rregull të mbrojë tezën e doktoraturës, dhe pastaj të vazhdojë me karrierën e tij”, tha Janevska, e cila vizitoi sot Panairin e Arsimit dhe Karrierës.
Nga universitetet private, tha ajo, pati kundërshtime në lidhje me shumën e garancisë.
“Ky version i draftit thotë se garancia duhet të jetë 100 përqind, dhe ne kemi humbur që ata gjithashtu mund të ofrojnë një hipotekë. Ne do ta ulim garancinë në mënyrë të arsyeshme në 70 përqind dhe do t’u lejojmë atyre të ofrojnë një hipotekë si garanci. Vërtet ka lëshime në nene të caktuara të ligjit dhe ato duhet të sqarohen, por në të njëjtën kuptim, thelbi nuk duhet të ndryshohet. Për shembull, sa do të zgjasë akreditimi, çfarë do të ndodhë gjatë akreditimit të ri, etj. Këto janë kërkesa të arsyeshme dhe të gjitha do të pranohen. Por të tjerat, të cilat janë të diskutueshme dhe për të cilat profesorë të ndryshëm kanë mendime të ndryshme, grupi i punës do të takohet sa herë të jetë e nevojshme dhe do të merren vendime. Pastaj ligji do të jetë përsëri në ENER, por pastaj nuk pres më komente dhe do të hyjë në procedurë qeveritare”, tha Janevska.
Kur u pyet se çfarë do të ndodhë me studentët dhe profesorët nga universitetet private pas ligjit të ri që ata nuk do të kenë studime juridike (ashtu siç nuk do të lejohen studimet private në fakultetet e trajnimit të mësuesve dhe mjekësisë), ministrja u përgjigj se për ata studentë “nuk ka rrezik dhe ata do t’i përfundojnë studimet e tyre sipas akreditimit me të cilin kanë filluar”.
Lajme nga vendi
PREMTIM PARA ZGJEDHJEVE, ZHGËNJIM PAS – RRUGA E MEROVËS ENDE NË PRITJE TË ASFALTIT
Rikonstruimi i kësaj rruge filloi një muaj para zgjedhjeve lokale. Aso kohe, banorëve të fshatit Merovë u ishte premtuar se rruga do të rregullohet shpejt, mirëpo pasi që kaluan zgjedhjet, për këtë rrugë ende nuk ka zgjidhje. Banorët e kësaj ane shprehen të revoltuar me mos mbajtjen e premtimit nga ana e Kryetarit të Komunës, Blerim Sejdiu. Ata thonë që përveç se kalimi i kësaj rruge është i rrezikshëm, e njëjta po ua dëmton edhe veturat dhe po ua vështirëson dukshëm lëvizjen për në qytetet.
“Rruga katastrofë. E shihni vetë ju se si është rruga. Nuk e di si të them, e shihni vetë, keni ardhur deri këtu e keni parë. Rruga është katastrofë. Ka 4-5 muaj ose më shumë që është në këtë gjendje”.
“Rruga është katastrofë. Prej 15 tetor rruga është prish! Premtimi ka qenë që para zgjedhjeve lokale do bëhet rruga. Por nuk është bërë rruga. Thuhet që rruga ka filluar qe tre ditë, por ne nuk shohim asnjë punim se po bëhet. Vetëm një ekskavator që ka ardhur sepse ka pasur edhe shembje të dheut. Andaj ai bager qëndron aty. Për ndryshe kryetari ka 6 muaj sa kanë kaluar prej në zgjedhje. Kryetari nuk ka qenë në fshat që nga dita e tubimit politik. Nuk ka qenë asnjë ditë në fshat”.
“Siç tha edhe kolegu më herët, na i dëmtojnë verturat të gjithëve”.
“Të gjitha veturat që shkelin në atë rrugë janë të prishura. Ka 4 muaj 5 që është kështu në gjendje të mjerueshme. Kemi nevojë për rrugën dhe ujësjellësin”.
Kryetari i Komunës së Zhelinës e premton se u ka dal nga fjala banorëve të Merovës por thotë se vonesat kanë ardhur si pasojë e motit të ligë dhe ngricave, që kanë pamundësuar shtrimin e asfaltit. Sipas Sejdiut, deri në fund të muajit mars, rruga do të përfundojë në tërësi dhe nuk do të ketë vonesa të tjera.
Deklarat – BLERIM SEJDRIU – KRYETAR I KOMUNËS SË ZHELINËS (CLICK PLUS 01:14:35)
“Rruga është duke u bërë, ka tre ditë që kemi filluar. Kanë qenë kushet e tilla të këqija që e kanë pamundësuar intervenimin e mëhershëm. E kam thënë që do e bëj më heret! Nuk mund të them që nuk e kam thënë. Kushtet klimatike kanë qenë të tilla dhe unë nuk kam ndikim aty! Por që rruga do të bëhet me asfalt deri në fund të muajit të tretë, atë po e them me përgjegjësi para kamerave tuaja dhe para shikuesve tuaj”!
Kjo rrugë përveç se nga fshati i Merovës, shfrytëzohet edhe nga banorët e fshatit Sallarave. Ndërkaq rrëshqitja e dheut së fundmi, e ka bërë këtë rrugë edhe të rrezikshme për kalimtarët dhe shoferët që e frekuentojnë këtë rrugë.
-
Lajme nga vendi1 month agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga rajoni2 months agoArrestohen dhjetë persona në Greqi! Instaluan softuer në pika karburanti që tregonte më shumë karburant sesa mbushej nëpër automjete

