Lajme nga vendi
Zona industriale zhvillimore, investim nga kompania tajvaneze “Yageo”
Mbi 3.900 të punësuar dhe një investim total prej 205 milionë euro për dhjetë vjet, parashikon marrëveshja e nënshkruar në Taipei nga drejtori i Zonës Zhvillimore Teknologjiko-Industriale dhe njerëzit e parë të korporatës tajvaneze “Yageo”. Kjo kompani në vendin tonë planifikon të prodhojë pjesë rezervë dhe komponentë për automjetet elektrike, si dhe pajisje të sofistikuara për teknologjitë e gjelbra. Do të ndërtohen dy kapacitete prodhuese, një në Shkup deri në korrik vitin e ardhshëm dhe pastaj duhet të fillojë faza e dytë në Shtip.
“Para se të vinim këtu, mediat më pyetën pse Maqedonia, për dy arsye, së pari që kemi një përvojë të mirë me ju për më shumë se 10 vjet dhe tjetra është që qeveria është gjithmonë miqësore me investitorët e huaj, vendi është stabil, ka një kualitet të mirë të fuqisë punëtore dhe shpejtësi të realizimit.”, – deklaroi drejtori ekzekutiv i “Yageo”, Dejvid Vang.
Procesi i negociatave ka qenë i vështirë pasi në garë kanë qenë edhe disa vende nga rajoni, por në fund është arritur qëllimi, thotë drejtori i Zonës Zhvillimore.
“205 milion euro mjete reale të cilat do të hyjnë në Maqedoni dhe do të sjellin rreth 4 mijë vende të reja pune. Po sjellim teknologji të shekullit 21, Maqedonia me këtë investim bëhet pjesë e vendeve të cilat sigurojnë komponente vitale për prodhues të cilat janë brende botërore.”, – theksoi drejtori i ZZHTI-së, Jovan Despotovski.
Nëpërmjet video-lidhjes kryeministri Kovaçevski tha se politikat për tërheqjen e investimeve po japin rezultat.
“Me konceptin e ri të nxitjes së investimeve, arritëm ta vendosim vendin tonë mjaft lart në hartën e destinacioneve që kanë kapacitet dhe kushte për të realizuar investime me kualitet të lartë nga të cilat do të përfitojmë ne si vend, por më e rëndësishmja investime që sjellin përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët.”, – u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Të gjitha kompanitë në zonën zhvillimore numërojnë rreth 17 mijë të punësuar, vetëm me këtë investim pritet që numri i punëtorëve në vitet e ardhshme të rritet për 30%.mrt.com
GAZMEND KURTISHI
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

