Lajme nga vendi
Shaqiri pret ky 1 shtator të jetë me tekste shkollore, problem paraqesin lëndët për të cilat nuk janë paraqitur autorë
Pres këtë 1 shtator të jemi më të përgatitur se të gjithë 1 shtatorët e mëparshëm. Pres, besoj dhe jam i sigurt se MASH do ta japë maksimumin që gjithçka të jetë gati në kohë dhe viti shkollor të fillojë me materiale përgatitore për lëndët që tashmë kanë tekste shkollore të miratuara. Për shumicën, 80 për qind e lëndëve, tashmë janë dorëzuar doërshkrimet, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Për lëndët për të cilat nuk paraqiten autorë në thirrjet për tekste shkollore, siç është Gjuha maqedonase për klasën e tretë, potencoi se do të kërkojë zgjidhje nëse ka nevojë, siç tha, “edhe me materiale përgatitore”.
“Mund të kemi probleme, por nuk besoj për të gjitha lëndët pasi tashmë kemi dorëshkrime. Mund të jenë për një, dy ose tri lëndë, por nuk mund të parashoh dhe besoj se edhe për ta nuk duhet pasur probleme… Ky vit ishte vit i sfidave në dy faza edhe në fazën e miratimit të teksteve shkollore, edhe në fazën e botimit të tyre. Nuk më gëzon fakti që teksti shkollor (i gjuhës maqedonase për klasën e pestë) arriti në fund të vitit shkollor, por më gëzon ajo që ai do të jetë në dispozicion për nxënësit vitin e ardhshëm shkollor”, tha Shaqiri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas takimit me përfaqësues të SASHK-ut dhe Federatës amerikane të mësimdhënësve.
Siç kumtoi edhe paraprakisht MASH, ai sqaroi se teksti shkollor konkret është vonuar pasi për tri thirrje nuk janë paraqitur autorët, ndërsa në të katërtin (në gusht) është paraqitur një ekip autorësh me nënshkrim të propozuar. Më pas ai dy herë është kthyer në korrigjim nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) për shkak të harmonizimit të përmbajtjes me programin e ri mësimor për këtë lëndë për klasën e pestë.
Për tekstet shkollore për klasën e tretë dhe të gjashtë, për të cilat sipas aplikimit në etapa të Konceptit për arsim fillor, programet e reja mësimore të BZHA-së do të vendosen nga viti i ardhshëm shkollor, tha se tashmë janë dorëzuar dorëshkrimet nga autorët deri tek MASH-i. Në disa thirrje nuk janë paraqitur autorë për Gjuhën maqedonase për klasën e tretë dhe do të kërkohet, siç tha, zgjidhje urgjente për ta pasur më 1 shtator.
“E njëjta gjë ndodh edhe për klasën e gjashtë ku ka programe të reja… Në këtë periudhë në MASH secili e jep maksimumin që gjithçka të jetë në kohë”, potencoi Shaqiri.
Është pozitiv fakti, tha ministri, që këtë vit, pas disa viteshm 26 tituj janë botuar dhe janë dorëzuar në arsimin profesional.
Lidhur me gabimet në tekstet shkollore, pret vëmendje më të madhe nga të gjithë të përfshirit në procesin e miratimit dhe recensionit, nga BZHA dhe nga Këshilli nacional për tekste shkollore, me ç’rast potencoi se ligji ekzistues nuk parasheh sanksione për autorët apo recensentët të cilët lejojnë që të miratohet një tekst shkollor i cili ka gabime edhe përmbajtjesore apo teknike dhe vlerëson se autorëve të tillë nuk duhet t’u lejohet të konkurrojnë sërish me dorëshkrime në thirrjet e radhës.
Dje përfundoi thirrja për paraqitjen e autorëve për tekst të ri shkollor të Historisë dhe shoqërisë për klasën e pestë pasi MASH-i mori vendim që të tërhiqet teksti paraprak për shkak të gabimeve dhe përmbajtjeve të palogjikshme. Shaqiri tha se akoma nuk ka informacion nëse në thirrje janë paraqitur autorë për tekst të ri.
Lajme nga vendi
KUR DREJTËSIA MATET ME VLERËN E HIPOTEKËS DHE JO ME PESHËN E AKUZAVE
Nëse ka para, mund të bësh ç’të duash dhe përsëri të jesh i lirë. Kjo është Maqedonia e Veriut dhe ky është mesazhi që të jep sistemi i drejtësisë në shtetin tonë, sistem ky i cili ka reputacion shumë të keq dhe shumë pak besuesshmëri te qytetarët.
Me një garanci prej 180 mijë eurosh, ish-drejtori i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, do të mbrohet në liri pasi Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ia hoqi masën e paraburgimit.
Njëkohësisht, u pranua një garanci prej 348,049 eurosh për ish-drejtorin ekonomik të Klinikës, Nehat Nuhi, gjithashtu e siguruar me hipotekë mbi pasuri të paluajtshme.
Vendimi u mor pas mendimit pozitiv nga Prokuroria Publike kompetente, ndërsa ndaj të dy të pandehurve u vendosën masa paraprake. Ata nuk do të lejohen të largohen nga zona e Qytetit të Shkupit, do të jenë të detyruar të paraqiten në Gjykatë një herë në muaj, dhe dokumentet e tyre të udhëtimit janë konfiskuar përkohësisht dhe ndalohet t’u lëshojnë dokumente të reja për kalimin e kufirit shtetëror.
Duke pasur parasysh se Prokuroria hoqi dorë nga e drejta e ankesës, dhe hipotekat e ofruara tashmë janë regjistruar në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, vendimet kanë marrë formë të prerë dhe të pandehurit janë liruar nga paraburgimi. Me këtë vendim, Vasev lirohet nga paraburgimi ku kaloi rreth një vit.
Vasev dhe Nuhi janë ndër të pandehurit në rastin “Onkologji”, i cili ka të bëjë me funksionimin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim në shërbimin që lidhet me prokurimin publik të terapisë onkologjike, prokurim të ilaçeve pa bazë ligjore dhe shlyerje fiktive të borxheve për ilaçe, të cilat, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare buxhetit. Gjykimi në këtë rast vazhdon, dhe të pandehurit do të mbrohen në liri në procedurën e mëtejshme.
Rasti “Onkologjia”, i cili shkaktoi reagime të stuhishme në publik, u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave “Onkologjia 1”, ku Vasev dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, ndërsa në tjetrën, “Onkologjia 2”, kjo për të cilën flitet, ku dy ish-drejtorët VaseV dhe Nuhi po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.
Lajme nga vendi
BOJAN DIMOVSKI PËRFORCIMI I RI I KF SHKËNDIJA
KF Shkëndija sot ka prezantuar përforcimin më të ri në ekipin kuqezi. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Bojan Dimoski, i cili është përforcimi më i ri i skuadrës në këtë afat kalimtar.
Bojan Dimovski është një futbollist polivalent në repartin defensivë. Edhe pse pozita e tij natyrale është mbrojtës i majtë, ai mbulon me mjaft sukses edhe pozita të tjera si mbrojtës i djathtë, mesfushor defensivë dhe anësor, duke u varur nga vendosja taktike e skuadrës.
Përkundër moshës së tij të re, Dimovski sjell një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, duke numëruar edhe 21 paraqitje me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut.
Dimovski është u shpreh i kënaqur që bëhet pjesë e kuqezinjve
‘’ Nënshkruaj për Shkëndijën, jam i lumtur që jam këtu , vijë në skuadrën me ambicie të mëdha dhe pritshmëri të mëdha. Këtë e bëjë për të ndihmuar veten time dhe të ndihmoj Shkëndijën për momentin pasi mendoj se me përvojën që kam nga jashtë mund të ndihmoj shumë ekipit dhe Shkëndijës, si në Europë ashtu edhe në Kampionat’’ deklaroi futbollisti Bojan Dimovski
Bojan Dimovski para se të kalonte jashtë vendit, ai është aktivizuar me skuadrën e AP Brera, ndërsa më pas karrierën e ka vazhduar në futbollin rus me ekipin Akron Tolyatti, prej ku luajti si huazim në Serbi me Partizanin e Beogradit dhe FK TSC Bačka Topola.
Lajme nga vendi
QEVERIA: RIFORMATIMI QEVERITAR NË FAZËN FILLESTARE!
Lidhur me procesin e riformatimit të paralajmëruar të Qeverisë, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme janë paraparë takime me partitë politike ZNAM dhe VLEN, bëjnë të ditur burime nga Qeveria.
Megjithatë, nga Qeveria theksojnë se bisedimet aktualisht ndodhen në një fazë të hershme dhe paraqesin një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, për këtë arsye nuk publikohen detaje shtesë kadrovike. Ata shtojnë se opinioni do të informohet plotësisht sapo të arrihen marrëveshje konkrete dhe zgjidhje përfundimtare.
Udhërrëfyesi kryesor për ndryshimet e ardhshme, shtojnë nga Qeveria, janë parimet dhe mesazhet publike që kryeministri Hristijan Mickoski i përcolli gjatë shënimit të 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së në Strumicë.
Ai atëherë theksoi se po i ndjek me kujdes gjendjet në institucionet shtetërore dhe se nuk është i kënaqur me sjelljen e një pjese të kuadrove.
Mickoski deklaroi se tek ai kanë arritur vërejtje për mungesën e qasshmërisë së disa ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largimin e tyre nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Ai porositi se i evidenton me kujdes të gjitha devijimet, se do të ketë ndryshime dhe se nuk do të tolerojë dehjen nga privilegjet që ofron pushteti.
Po ashtu, Mickoski theksoi se Qeveria është zgjedhur për t’i shërbyer popullit dhe jo për të shijuar privilegjet e pushtetit, duke shtuar se çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht pranë qytetarëve.
Ai nënvizoi se nuk do të tolerojë papërgjegjshmëri, neglizhencë dhe shmangie nga parimet mbi të cilat bazohet puna e Qeverisë, pavarësisht funksionit që ushtron dikush. Kryeministri gjithashtu deklaroi se nuk pranon arsyetime për mosrealizimin e obligimeve dhe vlerëson se kushdo që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet ta rishqyrtojë me ndershmëri vendin e tij në ekip.

