Lajme nga vendi
Universiteti i Tetovës dhe North Ilinois University të përfaqësuar nga dy rektorët Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Prof. Dr. Lisa C. Freeman nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në Çikago
Universiteti i Tetovës ka nënshkruar vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm me North Ilinois University (NIU), duke u mbështetur në themelet e vendosura nga marrëveshja fillestare e nënshkruar në vitin 2014. I pranishëm ishte edhe Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti për të mbështetur këtë marrëveshje të rëndësishme. Pjesëmarrës ishin edhe dekani Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike Prof. Dr. Shpresa Memishi dhe përgjegjësi i Zyrës për Arsim Mr. Sc. Naser Ramadani. Ky partneritet i vazhdueshëm pasqyron përkushtimin e të dy institucioneve për përsosmëri akademike, bashkëpunim kërkimor dhe shkëmbim kulturor.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, Universiteti i Tetovës dhe NIU-ja janë angazhuar në përpjekje të ndryshme bashkëpunuese, duke përfshirë shkëmbimet e fakulteteve dhe studentëve, projekte të përbashkëta kërkimore dhe konferenca akademike. Këto nisma kanë pasuruar përvojat akademike të studentëve dhe stafit të fakulteteve, duke nxitur një kuptim më të thellë të standardeve globale të arsimit.
Bashkëpunimi i zgjeruar synon të zgjerojë më tej mundësitë për të dy universitetet, veçanërisht në fusha të tilla si bashkëpunimi kërkimor, programet e shkëmbimit dhe zhvillimi i ndërsjellë i programeve akademike. Udhëheqja e të dy institucioneve është e përkushtuar për të eksploruar rrugë të reja për bashkëpunim nga të cilat do të përfitojnë komunitetet e tyre akademike përkatëse.
Përfaqësues të stafit dhe studentëve të Fakultetit Pedagogjik, Kulturës Fizike dhe programit të Psikologjisë në Universitetin e Tetovës vazhdojnë bashkëpunimin e tyre produktiv me North Ilinois University (NIU). Si pjesë e partneritetit të vazhdueshëm, si stafi ashtu edhe studentët nga këto departamente marrin pjesë aktive në projekte të përbashkëta dhe aktivitete akademike në NIU.
Ky bashkëpunim ka dhënë rezultate shumë produktive, me projekte që përfshijnë fusha të ndryshme të kërkimit dhe zhvillimit akademik. Shkëmbimi i njohurive dhe ekspertizës mes dy institucioneve ka pasuruar përvojat e pedagogëve dhe studentëve, duke kontribuuar në avancimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në pedagogji, kulturë fizike dhe psikologji.
Universiteti i Tetovës është krenar për sukseset e arritura përmes këtij partneriteti dhe pret që të forcojë më tej marrëdhëniet me NIU-në, të përmirësojë bashkëpunimin akademik dhe të gjenerojë rezultate më me ndikim në të ardhmen.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

