Lajme nga vendi
Mickoski: Qeveria është stabile dhe e fuqishme! VMRO-ja e përgatitur për fitore të madhe në zgjedhje
Kryeministri njëherë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka njoftuar për temat dhe konstatimet që janë bërë sot në mbledhjen e rregullt të Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së. Mickoski thotë se është konstatuar se qeveria është e qëndrueshme dhe e fuqishme, ndërkaq, thekson se komitetet komunale të partisë janë të përgatitura për fitore të madhe në zgjedhje.
“Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së sot mbajti seancë të rregullt, në të cilën u diskutua për gjendjen aktuale në vend dhe përgatitjet për zgjedhje. U konstatua se qeveria është e stabile dhe e fuqishme dhe se i përmbush pritshmëritë e qytetarëve, pavarësisht sfidave të shumta dhe fatkeqësisë së përgjithshme ekonomike që u trashëgua. Pikëpamja e përgjithshme është se po bëhen të gjitha përpjekjet për ta vënë Maqedoninë në një rrugë të shpejtë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Komitetet komunale janë fuqishëm të motivuar dhe të përgatitur për zgjedhjet, në të cilat pritet një fitore e madhe. Theksova se Maqedoninë e presin suksese dhe rezultate të mira si rezultat i reformave të ndërmarra në periudhën e kaluar dhe se qëllimi është stabilitet ekonomik dhe prosperitet për të gjithë qytetarët. Njoftova se në periudhën në vijim do të vazhdojnë anketat dhe sondazhet e opinionit publik për kandidatët e VMRO-DPMNE-së, të cilët kanë përparësi të konsiderueshme ndaj konkurrentëve politikë, por edhe se duhet të përmbushin përgjegjësinë e premtimeve që u janë dhënë qytetarëve”, ka shkruar Mickoski./tv21.tv
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

