Lajme nga vendi
KONFERENCË LIGA: SHKËNDIJA VAZHDON ENDRRËN EUROPIANE
KF Shkëndija ka shkruar histori duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të UEFA Konferencë Liga në debutimin e saj në fazën kryesore të një kompeticioni evropian. Pavarësisht humbjes minimale 1:0 ndaj AEK Larnaca në Qipro, rezultatet e tjera të xhiros së fundit ishin në favor të skuadrës sonë, e cila e mbylli fazën në vendin e 22-të në tabelë.
Klubi i futbollit Shkëndija e Tetovës me përfundimin e fazës së ligës në UEFA Konferencë Liga arriti suksesin historik duke u renditur në pozitën e 22-të ne mesin e 36 ekipeve, duke i lënë pas ekipet me renome si Dinamo Kievin, Legia, Slovan Bratislava, Zrinjski, Sigma Olomouc, Universitatea Kraiova dhe Lincoln. Ky sukses është historik për Shkëndijën por edhe për futbollin e Maqedonisë duke u kualifikuar në fazën eliminatore në këtë kompeticion të garave që organizon UEFA. Skuadra tetovar në fazën e ligës luajti 6 ndeshje ku shënoi 2 fitore, 1 barazim dhe 3 disfata . Në ndeshjen e mbrëmshme që ishte edhe e fundit e fazës së ligës Shkëndija pësoi 1-0 ndaj AEK Laranka nga minuta e 53 luajti me 10 lojtarë pasi Liriidon Latifi u ndëshkua me kartonë të kuq, ndërsa autor i golit të vetëm ishte Karol Angielski 7 minuta para përfundimit të ndeshjes.
Në takimin me gazetarët pas ndeshjes trajneri Jeton Beqiri i emocionuar për këtë sukses historik tha se luanim ndaj një skuadre shumë cilësore, që ka fituar skuadra të nivelit shumë të lartë në këtë kompeticion.
“Normalisht se janë emocione pozitive, pasi ne njëherë ëndërronim që të futemi në Konference Liga , pastaj ëndërronim që të kalojmë, tani që kaluam, do të ëndërrojmë që të kalojmë edhe një raund tjetër, ashtu jemi ne, veçanërisht tetovarët. Është diçka pozitive dhe unë besoj që edhe pse është pas ndeshjes, emocionet janë të pranishme, por jam i sigurt se Shkëndija gjatë këtyre gjashtë ndeshjeve ka treguar stabilitet dhe pak më tepër fat dhe eksperiencë, besoj që kemi merituar më shumë pikë. Një falënderim të veçantë për të gjithë që na kanë përkrahur, për të gjithë tifozët, opinionin sportiv, veçanërisht ‘Ballistët’ që kanë qenë me ne në çdo cep të Europës. Do të doja të falënderoj të gjithë dhe të ju them se në pranverë do të shihemi sërish në Europë, ndërsa për mua qëllimi kryesor do të jetë kampionati dhe Kupa, teksa Europa do të jetë një luks për ne. Skuadrat që mund të na përcaktohen në short, janë ekipe të fuqishme dhe spektakolare. Do të jetë një pranverë e bukur, një pranverë që do të na sjell gjëra pozitive. Gjithashtu dua ti falënderoj ata që kanë kritikuar gjatë gjithë kohës, besoj që ata janë më meritorët për rezultatet pozitive të Shkëndijës. Unë do të kërkoja që mos ti kritikojnë futbollistët, por të gjitha kritikat ti drejtojnë tek unë, pasi unë jam fajtori kryesor.”
Sukses historik ka arritur edhe Kampioni i Kosovës Drita e Gjilanit, e cila gjithashtu ka siguruar kualifikim në fazën eliminatore në Konferencë Liga duke u rendit e 20-ta me 8 pikë të fituara. Në ndeshjen e futit të kësaj faze Rayo Vallecano mundi Dritën 3-0. Pra për herë të parë në histori dy skuadra shqiptare Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit do të garojnë në fazën eliminatore të një Kompeticioni që organizohet nga UEFA
Shorti për ndeshjet e play off-it do të hidhet më 16 janar 2026, ndërsa raundi i 16-tave, ndërsa për çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja shorti hidhet 27 shkurt 2026, Ndeshjet e play off-it luhen më 19 dhe 26 shkurt 2026. Kundërshtarët e mundshëm të Shkëndijës janë Shkëndija kundër Samsunspor ose Lech Poznan
SHABAN SINANI – TV KOHA
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

