Lajme nga vendi
BDI: REZISTENCA QYTETARE NIS ME MARSHIN E SË SHTUNËS NË TETOVË
Tetova do të bëhet vendi ku mijëra qytetarë do të bashkohen në një protestë mbarëkombëtare, paqësore dhe dinjitoze, për të mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë juridike dhe parimet që për një çerek shekulli kanë garantuar paqen, stabilitetin dhe partneritetin ndëretnik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo zhvillim i veçantë ka shtuar pasigurinë; të marra së bashku, ato krijojnë një pamje që kërkon reagim qytetar.
Prandaj është e rëndësishme të rikujtojmë faktet.
Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi vendimin për emërtimin e rrugëve në përputhje të plotë me ligjin dhe me shumicën e dyfishtë, sipas procedurës së përcaktuar për çështje të tilla.
Vendimi iu dërgua Qeverisë. Qeveria nuk u përgjigj brenda afatit ligjor. Ligji për Vetëqeverisje Lokale është i qartë: mosveprimi i Qeverisë brenda afatit prodhon efekt juridik dhe konsiderohet miratim i aktit të komunës.
Për të shmangur çdo dilemë procedurale, Këshilli i Komunës e miratoi edhe një herë të njëjtin vendim. Edhe pas këtij votimi, Qeveria nuk ndërmori asnjë veprim. Edhe kësaj here, heshtja institucionale prodhoi efektin juridik të parashikuar me ligj.
Për 20 vjet, ky akt ishte pjesë e rendit juridik të shtetit.
Më pas, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rihapë këtë çështje.
Gjatë procedurës, Gjykata Kushtetuese kërkoi sqarime dhe dokumentacion nga Komuna e Tetovës. Komuna nuk iu përgjigj kësaj kërkese dhe nuk e mbrojti juridikisht vendimin e saj. Mungesa e këtij reagimi institucional ka pasoja serioze dhe kërkon përgjegjësi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent me rëndësi kushtetuese. Për herë të parë vihet në diskutim një akt që ka prodhuar pasoja juridike për dy dekada. Kjo ngre shqetësime legjitime për sigurinë juridike dhe për mënyrën se si mund të trajtohen në të ardhmen çështje të tjera që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit.
Në periudhën që vjen, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë edhe për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që këto procese të zhvillohen mbi bazën e Kushtetutës, të marrëveshjeve politike që kanë garantuar paqen dhe të parimit të sigurisë juridike.
Lajme nga vendi
Nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë me lagështi.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet të moderuar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM.
Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
Salmonela shkaktoi helmimin masiv me ushqim te punonjësit e “Mikrosam”
Bakteria salmonela është shkaktari i helmimit masiv me ushqim të punonjësve të kompanisë së Prilepit “Mikrosam”, sipas analizave epidemiologjike të Qendrës për Shëndet Publik në Prilep.
Problemet shëndetësore te punonjësit janë shfaqur pasi ata kanë konsumuar një vakt të furnizuar nga një kompani kateringu me të cilën bashkëpunonin më 29 qershor. Në atë ditë, punonjësve u janë shërbyer makarona me vezë dhe gjizë.
Nga gjithsej 58 punonjësit që kanë konsumuar këtë ushqim, te 44 persona janë shfaqur simptoma të helmimit. Gjashtë prej tyre janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Prilepit, ndërsa të tjerët kanë kaluar me pasqyrë klinike më të lehtë ose mesatarisht të rëndë.
Dihet se ky lloj helmimi bakterial zakonisht lidhet me konsumimin e ushqimeve të pagatuara mirë ose të përpunuara në mënyrë jo të mjaftueshme termikisht me origjinë shtazore, si mishi, vezët, qumështi dhe produktet e tyre.
“Fillimi i menjëhershëm, arritja e shpejtë e numrit maksimal të të sëmurëve dhe më pas rënia e menjëhershme e numrit tregojnë se bëhet fjalë për një ekspozim të vetëm ndaj ushqimit të kontaminuar. Nga 23 mostrat e marra nga personat e sëmurë, te 11 persona tashmë është konfirmuar prania e bakteries salmonela. Edhe pse ende priten konfirmimet përfundimtare, pavarësisht rezultateve, ushqimi mbetet dyshimi kryesor për shfaqjen e helmimit”, njoftuan nga Qendra për Shëndet Publik në Prilep.
Menjëherë janë marrë mostra edhe nga ushqimi i përgatitur. Rezultatet e analizave në laboratorin mikrobiologjik të Institutit për Shëndet Publik në Shkup duhet të tregojnë nëse ushqimi ka përmbajtur drejtpërdrejt bakterien.
Pas raportimit të rastit, është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm inspektues në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
Ndërkohë, kuzhina e kompanisë së kateringut dhe mensa e kompanisë “Mikrosam” mbeten të mbyllura dhe jashtë funksionit derisa Qendra për Shëndet Publik të dorëzojë analizat përfundimtare laboratorike.
Pas përfundimit të raporteve, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të ndërmarrë masat përkatëse ligjore dhe kundërvajtëse ndaj subjekteve përgjegjëse.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira. Në disa pjesë të vendit do të ketë kushte për reshje të shiut.
Në vend do të fryjë një erë e fortë e cila do të arrijë shpejtësinë deri 40 km/h.
Temperatrat minimale do të lëvizin nga 10 deri 20, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 26 deri 33 gradë celsius.
Në ditët në vazhdim moti pritet të jetë i qëndreushëm dhe i ngrohtë. në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira. Në disa pjesë të vendit do të ketë kushte për reshje të shiut.
Në vend do të fryjë një erë e fortë e cila do të arrijë shpejtësinë deri 40 km/h.
Temperatrat minimale do të lëvizin nga 10 deri 20, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 26 deri 33 gradë celsius.
Në ditët në vazhdim moti pritet të jetë i qëndreushëm dhe i ngrohtë.

