Lajme nga vendi
Gani Aliji sjell risi në Kodrën e Diellit: Porta të reja moderne për skanimin e biletave
Drejtori i Ski Qendrës Kodra e Diellit, Gani Aliji, njofton për një tjetër investim të rëndësishëm në modernizimin e qendrës dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët.
Janë vendosur porta të reja moderne për skanimin e biletave, të cilat do të mundësojnë kalim më të shpejtë dhe më të lehtë drejt ski-ashensorëve, duke reduktuar pritjet dhe duke rritur efikasitetin e kontrollit.
Teknologji bashkëkohore
Kalim më i shpejtë drejt pistave
Kontroll më efikas dhe më i sigurt i biletave
Standarde më të larta për vizitorët
Kodra e Diellit vazhdon të modernizohet!
Me investime të reja dhe përmirësim të vazhdueshëm të infrastrukturës, synimi është që Kodra e Diellit të ofrojë një përvojë sa më moderne dhe komode për të gjithë adhuruesit e skijimit.
Kodra e Diellit ju pret këtë dimër! ⛷
Lajme nga vendi
BDI ME OFERTË – KËRKON MARRËVESHJE KOMBËTARE PËR PËRPARIM
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për dialog politik dhe bashkëpunim ndërpartiak, duke vlerësuar se çështjet strategjike të vendit kërkojnë një marrëveshje të përbashkët, përtej dallimeve politike. Ahmeti i bëri këto komente gjatë një paneli diskutimi të organizuar nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë BDI-së, me temën “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane”. Ahmeti theksoi se marrëdhëniet ndëretnike, funksionimi demokratik i institucioneve, barazia dhe integrimi evropian duhet të trajtohen si interesa afatgjata të shtetit dhe të gjithë qytetarëve.
“Këtij shteti vazal nuk i duhet. Fakteqësia është se këtë ua kam thënë edhe atyre, Hristjanit. Ju jeni mësuar me vazal. Keni qenë vazal të Beogradit, hiqni dorë nga vazalët. Sepse është shpërbë Jugosllavia prej vazalëve, slloven, kroat, maqedonas, ju su, boshnjak, malazez, është shpërbë Jugosllavia”.
Sipas Ahmetit, përparimi i vendit kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim, duke vendosur interesin e përbashkët mbi ndasitë partiake dhe interesat afatshkurtra politike. Ahmeti nuk kurseu as kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, kur u diskutua për mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni të Verit.
“Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dal kryeministri i juaj me thanë që gjuha shqipe kurrë ska qenë zyrtare? TURP! Del krah Hristjan Mickoskit dhe thotë se gjuha shqipe kurrë ska qenë zyrtare. Tre herë i kam kërkuar publikisht, të prononcohet a është keq i iformuar prej informatorëve që ka apo këshilltarët që i ka, nuk e ka bë”. Dhe del Risto Nikoski, ambasadori i Maqedonisë së Rusi ka qenë, 1 muaj nuk e kanë hequr nga ekranet televizivie, ja deklarata e kryeministrit të Kosovës, gjuha shqipe kurrë nuk ka qenë zyrtare në Maqedoni. Kjo më ka vrarë shpirtërisht mua dhe çdo ushtarë të UÇK-së dhe ushtarët që i ka në Kosovë.
Diskutimi u përqendrua në sfidat politike dhe shoqërore të vendit, funksionimin e shtetit dhe perspektivën e tij evropiane, me të ftuar dhe panelistë të ndryshëm nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.
Lajme nga vendi
Nikolloski prezanton mundësitë ekonomike para investitorëve japonezë
Maqedonia ofron kushtet më të mira dhe më konkurruese për investime në të gjithë rajonin. Kemi rritje të vazhdueshme të BPV-së, rritje në industri dhe njëmbëdhjetë tremujorë rritje në ndërtim. Gjithashtu, politika tatimore është më e favorshme sepse kemi taksat më të ulëta në rajon, gjë që e bën vendin tërheqës për investime, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një takim me përfaqësuesit e Organizatës Qeveritare Japoneze për Avancim të Tregtisë së Jashtme (JETRO).
Lidhur me krizën globale, siç theksoi Nikolloski, Maqedonia po përpiqet të ruajë tregues të mirë ekonomikë.
“Me krenari mund të themi se në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore kemi inflacionin më të ulët, i cili mesatarisht është rreth 3%, që është në përputhje me mesataren evropiane. Sa i përket bruto prodhimit të brendshëm, jam shumë i kënaqur që institucionet financiare relevante si FMN-ja dhe Banka Botërore i kanë korrigjuar parashikimet e tyre dy herë dhe pres që ta përfundojmë këtë vit me një rritje prej 3.8% të BPV. Dy vjet kemi rritje të qëndrueshme të bruto proshimit të brendshëm, gjithashtu, rritja e prodhimit industrial shënon lëvizje pozitive, dhe në ndërtim kemi rritje për 11 tremujorë radhazi. Në atë drejtim, vendosëm të investojmë si me fonde buxhetore ashtu edhe me fonde private, dhe kjo mund të shihet në terren”, theksoi Nikolloski.
Sipas tij, Maqedonia ka bindshëm politikën tatimore më të ulët në rajon. Vendi ka nënshkruar Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave me BE-në, dhe mbi këtë bazë, lehtësimin e tregtisë me vendet anëtare të BE-së.
“Maqedonia është anëtare e CEFTA-s dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë EFTA-s. Kemi nënshkruar Marrëveshje të Tregtisë së Lirë edhe me BE-në, kështu që mund të eksportojmë pa taksa shtesë. Gjithashtu kemi nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Strategjik me Britaninë e Madhe, Turqinë, Hungarinë dhe SHBA-në. Ajo që dua të them është se Maqedonia ka tatimet më të ulëta tatimore në rajon. Tatimi mbi të ardhurat personale është 10%, tatimi mbi fitimin është gjithashtu 10%, që do të thotë se fitimi nuk tatohet nëse riinvestohet. Ne kemi një fuqi punëtore të trajnuar mirë, arsimi dual përdoret në vend”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Tha edhe se pret thellim të marrëdhënieve midis dy vendeve, si në aspektin e shkëmbimit tregtar, por edhe në aspektin e investimeve dhe formave të tjera të bashkëpunimit ekonomik.
JETRO është një organizatë qeveritare për tregti të jashtme që inkurajon tregtinë ndërkombëtare, investimet dhe bashkëpunimin afarist midis Japonisë dhe pjesës tjetër të botës. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
“THUAJ JO!”: MPB PARALAJMËRON PRINDËRIT DHE FËMIJTË!
Keqpërdorimi seksual i fëmijëve në hapësirën digjitale është një formë serioze e kriminalitetit, me pasoja afatgjata për viktimat.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se shpërndarja e fotografive dhe video-materialeve, komunikimi me persona të panjohur dhe keqpërdorimi i besimit të krijuar mund t’i shfaqë fëmijët dhe të rinjtë para rreziqeve serioze.
Prandaj, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Europol-in dhe shërbimet policore të rajonit, përmes fushatës ndërkombëtare “Thuaj JO!”, tërheq vëmendjen ndaj rreziqeve të komunikimit të papërshtatshëm dhe shpërndarjes së përmbajtjeve personale në internet.
Qëllimi i fushatës është ngritja e vetëdijes së fëmijëve, të rinjve, prindërve dhe opinionit të gjerë për mënyrat e identifikimit dhe parandalimit të keqpërdorimit seksual në hapësirën digjitale.
“Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët. Informimi, kujdesi dhe raportimi me kohë janë hapa të rëndësishëm në parandalimin e keqpërdorimit. Thuaj JO keqpërdorimit! Thuaj JO shpërndarjes së përmbajtjeve intime! Mbro veten dhe të tjerët!” – thuhet në mesazhin e MPB-së.
Ndryshe, çdo i dhjeti fëmijë në Maqedoni, i moshës 12 deri në 17 vjeç, që ka përdorur internetin, është ekspozuar ndaj eksploatimit dhe abuzimit seksual.
Bëhet fjalë për rreth 12.000 fëmijë, shifër kjo që konfirmohet edhe nga hulumtimi i fundit i UNICEF-it.
Shqetësues është edhe fakti se në 78 për qind të rasteve, abuzuesi është person të cilin fëmija e ka njohur më parë. Gati 88 për qind e fëmijëve kanë treguar për përvojën e tyre te dikush, por më pak se 1 për qind e kanë raportuar rastin përmes mekanizmave zyrtarë.
Ndërkohë, së fundmi është hapur një shërbim i ri për raportimin e rasteve në rrjetet sociale. Deri më tani janë pranuar 25 denoncime.

