Lajme nga vendi
RMV: Rastet me kancer të gjirit po shënojnë rritje,120 deri në 150 gra çdo vit i nënshtrohen rikonstruksionit të gjirit
Rritet numri i pacientëve të rinj me kancer të gjirit. Edhe pse më parë gratë mbi 40 vjeç ishin në rrezik më të lartë për t’u prekur nga kanceri i gjirit, tani po preken edhe gratë mbi 20 vjeç. Po rritet edhe numri i femrave që i nënshtrohen rikonstruksionit të gjoksit. Statistikat tregojnë se përderisa para një dekade në vit kishte 30 pacientë të cilët kishin implant të gjirit, tani 120 deri në 150 gra çdo vit i nënshtrohen rikonstruksionit të gjirit, i cili mbulohet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, thanë folësit sot gjatë ligjëratës “Kanceri i gjirit” që u mbajt në Shkup.
Nënkryetarja dhe menaxherja për komunikim e HEMA-ONKO, Milica Kuzmanoska, para fillimit të ligjëratës deklaroi se vetë rikonstruksioni i gjirit u jep besim grave dhe theksoi se në këtë shoqatë ka shumë gra të cilat i janë nënshtruar operacionit dhe i kanë vendosur implantet dhe janë të kënaqura.
“Të gjithë e dimë se tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, por megjithatë vendosëm me iniciativën e Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe drejtoreshës së saj Jasmina Georgievska që të vazhdojmë me aktivitetet sensibilizuese. Ligjërata në aspektin më të gjerë i mbulon pacientët me kancer të gjirit që nga diagnostikimi, përmes trajtimit, por edhe rindërtimi i gjirit, i cili është një moment shumë i rëndësishëm dhe domethënës për pacientët, veçanërisht pacientët e rinj. Kohëve të fundit, për fat të keq, kemi pasur gjithnjë e më shumë pacientë të rinj me kancer të gjirit”, tha Kuzmanoska.
Siç theksoi ai, kur dikush merr diagnozën, gjëja e parë për të cilën mendojnë është të kryejnë sa më shpejt trajtimin kirurgjik dhe ndonjëherë edhe të heqin të gjithë gjoksin, por më vonë, pasi pacienti zgjohet dhe është i vetëdijshëm për gjendjen, e kuptojnë se një pjesë e trupit i mungon.
Dr. Jasmina Gjorgievska Pavllovska, drejtoreshë mjekësore, specialiste e kirurgjisë së përgjithshme, subspecialiste e kirurgjisë plastike dhe rekonstruktive, para fillimit të ligjëratës deklaroi se tani ka pacientë të moshës 20 vjeçare që vijnë për rikonstruksion të gjirit.
Siç theksoi, pacientja e tyre më e re që ka bërë rikonstruksion të gjoksit është 28 vjeç.
“Pacientja më e re që ka bërë rikonstruksion të gjoksit është 27/28 vjeçe. Unë kam pacientë që kanë bërë mastektomi në të dyja anët. Ato janë rreth 50 vjeç, por mastektomia e parë e tyre ishte në moshën 33/34. Kemi një bashkëpunim me Klinikën për Kirurgji Torakale, ku pothuajse çdo ditë bëhet rekonstruksioni primar”, tha Gjorgievska Pavllovska.
Duke folur për të dhënat statistikore, Gjorgievska Pavllovska përmendi se nëse para dhjetë viteve në vit kishte 30 paciente që i kishin vendosur gjinjtë e tyre, tani kemi 120 deri në 150 gra në vit që i vendosin implantet nën ngarkesën e Fondit.
Dr. Valentina Bojovska Trajanovska, specialiste onkologjike, theksoi se gjendja psikologjike dhe psikofizike e pacientëve është shumë e rëndësishme në tërë trajtimin.
E pyetur se a do të bëhet rikonstruksioni menjëherë pas vetë diagnozës apo pas përfundimit të të gjithë trajtimit nga ana e tyre, Bojovska Trajanovska u përgjigj se nuk mund të thuhet kaq lehtë, sepse në këtë ndikojnë shumë faktorë.
“Shumë faktorë ndikojnë në këtë, më së shumti dëshirat e vetë pacientit, por edhe në çfarë faze ishte, çfarë trajtimesh priten nga ana jonë. Megjithatë, 99 për qind e pacientëve dëshirojnë të kenë rikonstruksion”, tha Bojovska Trajanovska.
Ajo nënvizoi se numri i pacienteve të reja është në rritje. Pacientja e saj më e re ishte vetëm 23 vjeç.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: INSPEKTIME NË TË GJITHA SISTEMET E UJËSJELLËSIT NË VEND
Rasti në Gostivar nuk është i izoluar, por bëhet fjalë për dobësi sistematike dhe joefikasitet institucional, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe.
Në konferencën e sotme për media ai tha se ka informacione se edhe në vende të tjera të vendit ka probleme me cilësinë e ujit, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
Duke iu referuar një raporti të siguruar nga informatorë, Filipçe deklaroi se uji në Spitalin e Specializuar për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka rezultuar i ndotur.
“Askush nuk ka reaguar. Bëhet fjalë për dokumente zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mostra e marrë nga çezma e spitalit në Leshok, ku trajtohen pacientët, ka treguar 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë për ujë të pijshëm. A e dinë këta njerëz se çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i institucioneve është ky? A është qëllimi të rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve në vend?”
Lideri socialdemokrat bëri thirrje që analizat dhe kontrollet të kryhen menjëherë, ndërsa kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Prokurorisë, duke i akuzuar se kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Lajme nga vendi
Pas zënkës me gruan, merr fëmijën 10-muajsh pa leje dhe largohet për në Zvicër
Dje në orën 08:10 në DPB Gostivar, një 21-vjeçare nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e saj ka marrë fëmijën e tyre 10-muajsh për në Zvicër. Për rastin janë njoftuar shërbimet kompetente dhe Qendra për Punë Sociale në Gostivar për zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
16-vjeçari pa leje drejtimi me veturë përfshihet në aksident,i konfiskohet automjeti
Dje rreth orës 14:00 në një hapësirë parkingu në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Poroj. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e udhëtarëve “Smart” me targa të Tetovës dhe me automjetin ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar dhe ndaluar në stacionin policor, ndërsa biseda zyrtare me të është kryer në prani të inspektorit për delikuencë të të miturve dhe kujdestarit të tij. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

