Lajme nga vendi
Në Shqipëri nuk ka më burrë-grua! Projektligji i ri hap rrugën për të deklaruar gjininë që dëshiron
Shqipëria ndodhet përballë një ndryshimi që për shumëkënd shënon një pikë kthese të rrezikshme për strukturën tradicionale të shoqërisë.
Deri më tani përcaktimi gjinor në Shqipëri njeh vetëm burrin dhe gruan. Por projektligji për “Barazinë Gjinore”, i dorëzuar në parlament, ka ndryshuar nga drafti fillestar. Ai sjell përkufizim të ri, ku termi gjini sipas tekstit, ka kuptim gjithëpërfshirës, duke parashikuar, në këtë mënyrë identitete të tjera, përtej atyre klasik, burrë-grua.
Fillimisht, kur projektligji për barazinë gjinore u hodh për konsultim publik në mars, Neni 4, ishte fare i qartë: Gra dhe burra, në kuptim të këtij ligji, nënkupton edhe vajza dhe djem. Fjala “gjithëpërfshirëse” është futur edhe në disa nene të tjera të projektligjit duke treguar se nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim gjuhësor, por për një zgjerim të qëllimshëm që i jep status juridik kategorive të reja gjinore. Këtë e përforcon dhe termi, po në të njëjtin nen “shprehje gjinore”, që nënkupton se gjithkush mund të deklarojë gjininë që dëshiron.
Por gjatë procesit të konsultimeve, Aleanca LGBTI kërkoi që përkufizimi të zgjerohej “përtej konceptit binar burrë-grua”, duke përfshirë identitete të tjera gjinore.
Kjo kërkesë u pranua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në dokument parashikohet futja e edukimit gjinor në shkolla, me qëllim “ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi diversitetin”. “Subjektet, që ofrojnë arsimim të përgjithshëm dhe profesional, kualifikim e trajnim, si dhe ata që hartojnë dhe miratojnë tekstet, programet dhe materialet e tjera mësimore, në të gjitha nivelet, sigurojnë përfshirjen e edukimit gjinor në kurrikulat shkollore dhe mësimdhënien e njohurive të nevojshme të koncepteve themelore që lidhen me individët dhe grupet dhe përdorin metoda mësimdhënieje, trajnimi e kualifikimi, në mënyrë të tillë që të ndihmojnë në promovimin, nxitjen dhe formimin e edukatës së barazisë dhe në ndalimin e diskriminimit me bazë gjinore, të stereotipave gjinore, paragjykimeve dhe praktikave të dëmshme zakonore, pabarazive gjinore për shkak të përkatësisë së shumëfishtë ose të çdo lloji tjetër që cenojnë parimet e barazisë gjinore”, – citohet në projektligj.
Megjithatë, projektligji nuk jep një listë konkrete të gjinive jo-binare, pra atyre që shkojnë përtej konceptit të deritanishëm burrë-grua. Në debatet ndërkombëtare për identitetin gjinor, disa studiues numërojnë deri mbi 70 identitete të ndryshme, çka do e bënte edhe më të ndërlikuar zbatimin praktik të ligjit.
Shumë prindër e kanë cilësuar këtë si një formë indoktrinimi që cenon themelet e edukimit dhe traditës.
Për shumë ekspertë që janë njohur me dokumentin në fjalë, kjo nuk është thjesht një nismë për barazi, por një pjesë e qartë e agjendës ndërkombëtare LGBT .
Kritikët paralajmërojnë se pas këtij hapit të parë, nuk do të vonojnë kërkesat për legalizimin e martesave mes të njëjtit seks, adoptimin e fëmijëve nga çifte LGBT dhe transformime të tjera radikale.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)
Lajme nga vendi
NP “Parqe dhe gjelbërime” – Shkup: Ka paralajmërime për mot të paqëndrueshëm, mos parkoni automjetet nën pemë
NP “Parqe dhe gjelbërime” – Shkup u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes për shkak të paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erëra të fuqishme. Qytetarëve u rekomandohet të mos parkojnë automjetet nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë për të ulur rrezikun nga rënia e degëve apo pemëve.
“Për shkak të paralajmërimit nga Enti Hidrometeorologjik për mot të paqëndrueshëm, të shoqëruar me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erë të fuqishme, apelojmë që qytetarët të mos i parkojnë automjetet e tyre nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga pasojat e mundshme. Nëse vëreni një pemë të rrëzuar, degë të thyera ose ndonjë rrezik tjetër të shkaktuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike, ju lutemi ta raportoni menjëherë në numrin emergjent 112 ose në numrat kujdestarë të publikuar në faqen zyrtare të NP “Parqe dhe Gjelbërime”. Apelojmë te të gjithë qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet dhe të tregojnë kujdes”, thonë nga NP “Parqe dhe gjelbërime”
Lajme nga vendi
UNESCO i jep edhe 5 vjet Maqedonisë për ta ruajtur statusin e Trashëgimisë Botërore të Rajonit të Ohrit
Rajoni i Ohrit është shpëtuar edhe një herë nga përfshirja në Listën e Trashëgimisë Botërore. UNESCO i ka dhënë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë një tjetër mundësi për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e vlerave natyrore dhe kulturore të rajonit. Sot në mëngjes, gjatë mbledhjes së Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Korenë e Jugut, u vendos që Rajoni i Ohrit të mos përfshihet, për momentin, në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Vendimi u mbështet nga 16 nga 21 vendet anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Megjithatë, mbeten të njëjtat rekomandime dhe vërejtje, të cilat autoritetet do të duhet t’i përmbushin në 5 vitet e ardhshme, së bashku me Shqipërinë. Ndër ato për të cilat UNESCO ka këmbëngulur prej vitesh janë dhënia fund e urbanizimit masiv dhe të pakontrolluar dhe zgjidhja e çështjes së ndërtimeve të paligjshme./Alsat.mk.

