Lajme nga vendi
Osmani: Spital mobil dhe ekipe shëndetësore për kujdesin e qytetarëve të Çairit
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për shtyp prezantoi projektet kryesore shëndetësore që janë pjesë e programit të tij për katër vitet e ardhshme, duke paralajmëruar një qasje të re në politikën lokale shëndetësore.
“Unë sot, por edhe si kryetar i ardhshëm, e shoh veten si mjek kujdestar për 80.000 banorët e komunës së Çairit,” deklaroi Osmani, duke theksuar se, megjithëse shëndetësia nuk është kompetencë e drejtpërdrejtë komunale, çdo politikë lokale ndikon në shëndetin e qytetarëve.
Projekti më i rëndësishëm që Osmani paralajmëroi është krijimi i një spitali mobil, si një karvan që çdo ditë do të jetë i pranishëm në lagje të ndryshme, ku qytetarët do të kenë mundësi të bëjnë falas kontrolle parandaluese shëndetësore.
“Çdo ditë, në një lagje do të ketë spital mobil, ku qytetarët vullnetarisht do të mund të bëjnë kontrolle parandaluese shëndetësore. Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për zbulimin e rasteve individuale, por edhe për rritjen e vetëdijes së përgjithshme,” tha Osmani.
Shtylla e dytë e programit shëndetësor janë ekipet shëndetësore për personat e moshuar, të përbëra nga mjekë dhe infermierë, të cilat do t’i vizitojnë pensionistët dhe personat që jetojnë vetëm.
“Personat e moshuar, në një mënyrë apo tjetër, janë më të prekurit për sa i përket shëndetit. Për ta do të formojmë ekipe shëndetësore të përbëra nga mjekë dhe infermierë, të cilat do të shkojnë dhe do t’i vizitojnë në shtëpitë e tyre kur të ketë nevojë,” theksoi Osmani.
Ai gjithashtu paralajmëroi programe të veçanta parandaluese për gratë, me fokus në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe mbështetjen e shëndetit fizik dhe mendor.
“Çështja e grave ishte prioriteti më i rëndësishëm në programin shëndetësor. Komuna do të ketë projekte të veçanta për prioritetizimin e shëndetit të tyre,” deklaroi Osmani.
Osmani theksoi se vizioni i ri për shëndetësinë në Çair bazohet në parandalim, e jo në ndërhyrje të kushtueshme dhe të vonuara. Ai paralajmëroi se gjendja aktuale në Çair është shqetësuese.
“30% e fëmijëve në Çair kanë disa sëmundje kronike të mushkërive për shkak të ndotjes, për shkak të pluhurit në rrugët tona. Raportet policore tregojnë se katër persona në ditë në Çair përfundojnë në tryezë operacioni për shkak të kaosit urban dhe aksidenteve rrugore,” tha Osmani.
Sot Osmani mori pjesë në ngjarjen “Shëndet për të gjithë në komunën tonë”, një nismë e përbashkët e Sekretariatit për Shëndetësi dhe Forumit Rinor të Aleancës Kombëtare për Integrim, e cila u mbajt në Çarshinë e Vjetër.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

