Lajme nga vendi
Qeveria u merr licencat 6 kompanive të kanabisit
Gjashtë kompanive u janë marrë licencat për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Tek to u konstatuan mospërputhje, kumtoi sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferecën për shtyp në Qeveri.
Janë marrë licencat, siç tha, e Alfafamit, e cila ishte e përfshirë në kontrabandën e marihuanës në Serbi, pastaj të Grin llajf, CBD medplant, Llajf plant, Atafarm dhe Kanabidois.
“Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet e kontrolleve të kryera – magazinim jo i duhur i lules së tharë, njoftime jo konsistente ndaj Komisionit, mosparaqitje e dokumentacionit të plotë për shitje dhe transferim”, potencoi Aliu.
Përveç kontrolleve të kryera deri më tani në 13 subjekte juridike, Aliu paralajmëroi kontrolle në të gjitha 43 subjektet juridike të cilat kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore.
Për shkak të lëshimeve dhe kepërdorimeve të mundshme të identifikuara në rregulloret ekzistuese ligjore, Aliu njoftoi një zgjidhje të re ligjore që do të miratohet kur të përfundojnë kontrollet në të 43 subjektet ligjore.
“Kemi detektuar lëshime në ligj dhe do të kemi një zgjidhje të re ligjore që nuk do të mund të keqpëroren. Këtë do t’ua lëmë ekspertëve, por do të kemi një zgjidhje ligjore e cila do të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe atë që mungon në terren”, tha Aliu.
Lajme nga vendi
Policia aksion në Tetovë e Gostivar: Sekuestrohen 3 makina dhe arrestohen shoferët pa leje
Gjatë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme (23.02.2026), zyrtarët policorë të SPB Tetovë dhe Gostivar kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh intensive në trafik, të cilat kanë përfunduar me pranga dhe sekuestrim mjetesh.
Së pari, në orën 16:20 në rrugën “JNA” në Tetovë, policia ka ndaluar një 19-vjeçar me iniciale N.E., i cili po drejtonte një automjet “Opel”. Pas verifikimit, rezultoi se i riu nuk kishte dhënë kurrë provimin për patentë shoferi, duke bërë që makina t’i sekuestrohej menjëherë.
Aksioni ka vijuar në fshatin Banjicë e Epërme të Gostivarit rreth orës 19:30, ku është vënë në pranga 24-vjeçari L.SH. nga fshati Zhelinë. Ai po drejtonte një “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës po ashtu pa leje drejtimi, çka çoi në konfiskimin e mjetit nga ana e forcave të rendit.
Gjithashtu, në orën 21:00, në pikën e pagesës rrugore (autostrada Tetovë-Gostivar), është ndaluar një 48-vjeçar nga Vevçani me iniciale B.M. Edhe pse ai kishte patentë, rezultoi se po drejtonte mjetin “Citroen Berlingo” pavarësisht se kishte një ndalesë aktive për drejtimin e mjeteve të kategorisë B. Policia ia ka sekuestruar automjetin dhe ndaj të tre personave do të ngrihen padi përkatëse sapo të dokumentohen plotësisht rastet.
Lajme nga vendi
Denoncime penale per 7 veta, skemë për kurdisjen e aksidenteve në Tetovë
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër shtatë personave të dyshuar për organizimin e një skeme mashtrimi me qëllim përfitimin e dëmshpërblimeve financiare përmes inskenimit të pasojave të një aksidenti trafiku.
Sipas policisë, kallëzimi për veprën penale “Mashtrim” është ngritur ndaj A.B. (20) nga Reçica e Madhe, N.M. (66) nga Reçica e Vogël, I.I. (51) nga Tetova, A.R. (58) nga Tetova, I.R. (38) nga Gradeci i Gostivarit dhe N.M. (23) nga Koçani. Ndërsa ndaj A.B. (47) nga Tetova është ngritur kallëzim penal për “Ndihmë” në kryerjen e mashtrimit.
Sipas hetimeve, më 03.06.2025, pas një aksidenti të vërtetë trafiku mes dy automjeteve, dy të dyshuarit kryesorë kanë deklaruar në mënyrë të rreme se në aksident ishin përfshirë edhe katër persona të tjerë, ndonëse ata nuk kishin qenë pjesë e ngjarjes. Qëllimi ishte përfitimi i dëmshpërblimeve financiare.
Personi i shtatë, 47-vjeçari nga Tetova, dyshohet se ka luajtur rolin e “këshilltarit”, duke i udhëzuar të përfshirët se si të vepronin dhe duke i orientuar që të paraqiteshin në Spitalin Klinik të Tetovës si persona të lënduar nga aksidenti, me synimin për të kërkuar më pas kompensim monetar.
Lajme nga vendi
Drejtori i Burgut të Shutkës përgënjeshtron Prokurorinë: Grubi ishte i sigurt në “Shutkë”
Drejtori i Burgut të Shutkës Boban Utkovski thekson për Alsat se nuk është e vërtetë që siguria e Artan Grubit do të ishte rrezikuar nëse do të qëndronte në paraburgim. Siç thotë Utkovski, ata ruajnë mbi 300 persona të kategorive të ndryshme të krimit dhe asnjëri nuk është i rrezikuar, pasi siguria është në nivelin më të lartë të mundshëm.
“Çdo të burgosuri i është e garantuar siguria brenda. Prapa nesh qëndron shteti, në pajtim me ligjet dhe dispozitat që janë të shkruara dhe ne i zbatojmë”. 02:55 “Ne punojmë në pajtim me ligjet dhe dispozitat për sigurinë e çdo personi të paraburgosur, mund të them se këtu nuk është kartel meksikan”, deklaroi Boban Utkovski, Drejtor i Burgut të Shutkës.
Drejtori Utkovski thotë se ekziston protokoll i saktë që garanton sigurinë e çdo të paraburgosuri, ndërsa për sigurinë fizike kujdesen edhe njësitet speciale.
“Këtu kemi sigurim dinamik dhe fizik, kemi kamera, kemi qen, kemi sistem të veçantë të mbajtjes së masës së paraburgimit ku është sistemi i qelisë. Kemi mënyrë të veçantë të zhvendosjes nga qelia, bartja te korridori ku parashikohet një orë për shëtitje, pastaj kur dërgohen tek avokati. E gjithë kjo është sipas protokollit dhe ligjit”, tha Boban Utkovski, Drejtor i Burgut të Shutkës.
Lidhur me rastin e Grubit, drejtori Utkovski thotë që askush nuk e ka kontaktuar as nga Prokuroria, Ministria e Brendshme apo Agjencia për Siguri Nacionale lidhur me gjendjen e sigurisë. Ndërkohë Utkovski thekson faktin që edhe nëse nuk do t’i kishin përmbushur kushtet e sigurisë, në shtet ekzistojnë dhe katër burgje të tjera hetuese ku do të mund të ishte dërguar për mbajtje. Nëse plani do të ishte për ta lëshuar në shtëpi, Utkovski thotë se do të duhej që të mendonin ndonjë mënyrë më të logjikshme se kjo. /Alsat.mk

