Sport
SPANJA KAMPIONE E BOTËS PËR HERË TË DYTË!
Pas 39 ditësh plot emocione, surpriza dhe netësh futbolli, mbrëmë me ndeshjen finale mes Spanjës dhe Argjentinës në mënyrë spektakolare u mbyll edicioni i 23-të Botërori i futbollit që kësaj radhe u mbajt në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Fituese e Kupës së Botës doli Spanja e cila në finale pas 120 minuta lojë mundi Argjentinën 1-0. Trofeun ekipit kampion Spanjës, ia dorëzuan presidenti i FIFA-s Giani Infantino së bashku me presidentin e SHBA-s Donald Tramp dhe dhe Mbretit të Spanjës, Felipe VI.
Spanja është kampionia e re e botës. Kombëtarja e drejtuar nga Luis de la Fuente mposhti 1-0 Argjentinën pas kohës shtesë në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, duke ngritur për herë të dytë në histori trofeun më të rëndësishëm të futbollit.
Heroi i finales ishte Ferran Torres, me golin e shënuar minutën e 106-të.
Me këtë sukses, Spanja fiton Kupën e dytë të Botës në historinë e saj, pas triumfit të vitit 2010.
Kupa e Botës 2026 ishte edicioni i parë me 48 kombëtare dhe turneu më i madh i zhvilluar ndonjëherë nga FIFA, me 104 ndeshje të luajtura në SHBA, Kanada dhe Meksikë me 311 gola të shënuar dhe 15 kartonë të kuq, ndërsa ndeshjet nga tribunat e stadiumeve i kanë ndjekur 6,810,966 spektatorë.
Pas përfundimit të finales, ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe dorëzimit të Kupës së Botës u zhvillua në praninë e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Mbretit të Spanjës, Felipe VI.
Virale është bërë pamja ku gjatë ceremonisë së finales, Messi shihet me lot në sy, sipas të gjitha gjasave duke përmbyllur një epokë të ndritshme në kampionatet botërore në fanellën e Argjentinës.
Rodri u shpall Lojtari më i mirë i turneut, pasi ishte figura kryesore e Spanjës gjatë gjithë kampionatit, Cubarsi merr çmimin e talentit më të ri, ndërsa golashënuesi më i mirë i këtij Botërori u shpall Kilian Mbappe me 10 gola të shënuar.
Kujtojmë vendi i tretë i takoi Anglisë e cila në ndeshjen spektakolare dhe më të bukurën në këtë kampionat mundi Francën 6-4.
Për shumë gjëra ky Kampionat ishte ndryshe. Kjo u dëshmua edhe me shoun muzikor pas përfundimit të pjesës së parë të finales, ku FIFA e vendosi sipas shembullit të sporteve profesionale amerikane. Për këtë shkak pauza zgjati 27 minuta, 12 më shumë se sa që lejohet me rregullat e FIFA-s.
Para fillimit të ndeshjes u prezantuan Robi Vilijams, Nikol Sherzinger, Laura Pauzini dhe Post Meloun dhe një fjalim inspirativ mbajti edhe Tom Kruzi, kurse në pauza u paraqitën edhe Madona, Shakira, Xhastin Biber dhe BTS.
Edicioni i 24-të Kupa e Botës në vitin 2030 do të mbahet në Spanjë, Portugali dhe Maroko
Sport
FIFA NIS HETIM NDAJ ARGJENTINËS
FIFA ka nisur një hetim disiplinor ndaj incidenteve që ndodhën pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1:0, ndërsa disa futbollistë argjentinas rrezikojnë pezullime të gjata.
Pamjet pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin “MetLife” në Nju Jersey shfaqën përplasje mes lojtarëve të të dyja kombëtareve. Sipas raportimeve, Leandro Paredes dhe Nahuel Molina ishin ndër protagonistët kryesorë të incidenteve. Paredes dhe Thiago Almada rrëzuan në tokë mesfushorin spanjoll Gavi, ndërsa Paredes u pa gjithashtu duke e kapur për fyti mbrojtësin Eric Garcia. Nga ana tjetër, Molina dyshohet se goditi me grusht Rodrin, ndërsa Nicolas Otamendi pati një përplasje të ashpër verbale me mesfushorin spanjoll.
Gjatë ndeshjes, Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa fillimisht u raportua se edhe Paredes ishte ndëshkuar pas fishkëllimës përfundimtare. Megjithatë, FIFA sqaroi se kartoni i kuq për Paredes nuk figuron në raportin zyrtar të arbitrit Slavko Vinçiç, duke e hequr atë nga evidencat disiplinore.
Pavarësisht kësaj, organi qeverisës i futbollit botëror ka konfirmuar hapjen e një procedure disiplinore. Në një deklaratë zyrtare, FIFA bëri të ditur se, pas shqyrtimit të raporteve të ndeshjes dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor, është emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të hetuar shkeljet e mundshme që lidhen me incidentet pas finales. Vendimi përfundimtar do të merret pasi të përfundojë raporti i hetimit.
Sport
Kupa e Botës 2030 me 64 ekipe? Vjen njoftimi i CONMEBOL
Kupa e Botës me 64 ekipe po bëhet gjithnjë e më shumë realitet. Në një postim në llogarinë e tij X, Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), njoftoi zgjerimin me 64 ekipe për edicionin e ardhshëm: “Edicioni tjetër do të luhet në shtëpi. Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të presin Kupën e Botës 2030. Një mundësi e shkëlqyer për futbollin, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës me një garë me 64 ekipe”. Këto fjalë tingëllojnë si një njoftim zyrtar, duke pasur parasysh se vetë Dominguez është një nga mbështetësit kryesorë të garës së zgjeruar.
Koha e njoftimit është praktikisht perfekte, duke pasur parasysh se disa ditë më parë, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se ideja po diskutohet dhe se ka një hapje të madhe ndaj mundësisë për një numër të tillë: “Të gjithë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në Kupën e Botës, jo vetëm Evropa apo Amerika Latine. Kjo është sigurisht një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet brenda komiteteve përkatëse pas këtij Botërori”.
Ndërsa CONMEBOL po shtyn përpara një Kupë Bote me 64 ekipe (ideja u hodh për herë të parë në mars 2025 nga presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait, Ignacio Alonso), ka nga ata, siç është Presidenti i UEFA-s, Ceferin, të cilët argumentojnë se është “një ide e keqe”. Për më tepër, presidenti i CONCACAF, Victor Montagliani, kishte shprehur gjithashtu kundërshtimin e tij. Përtej një zgjedhjeje sportive, është edhe politike: në fakt, CONMEBOL, mbështetësi kryesor i Kupës së Botës të zgjeruar, tashmë ka mbështetur Infantinon në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur në vitin 2027. Kjo është arsyeja pse tema e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 mund të bëhet një çështje kyçe.
Lajme nga vendi
KONFERENCË LIGA: VARDARI NESËR NË SHKUP, SHKËNDIJA TË ENJTEN NË LUBJANË
Garat e UEFA Konferencë Liga vazhdojnë nga dita e nesërme me disa ndeshje të raundit të dytë kualifikuese. Vardari nesër është nikoqire e ekipit Riga të Letonisë
Kujtojmë se ekipi i Vardarit në xhiron e parë në garat kualifikues në Ligës së Kampionëve u eliminua nga kampioni i Finlandës KUPS, ndërsa tani vazhdon garat në Konferencë Liga.
Ndeshja e parë zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Shkup ndërsa ajo kthyese pas një jave në Riga. Nga ekipi Vardarit kanë njoftuar opinionin se nëse skuadra kualifikohet në raundin e tretë të këtij kompeticioni të garave do të ketë premio nga 10 mijë euro për çdo futbollist!
Shkëndija e Tetovës e cila është bartëse e grupit të enjten me fillim në ora 20:30 është mysafire e ekipit NK Bravo të Sllovenisë.
Skuadra Kuqezi nga dita e sotme ka udhëtuar për në Lubjanë , ndërsa nesër në stadiumi ‘‘Stozhice’ do të zhvillon seancën zyrtare për ndeshjen e së enjtes.
Ndërkohë Shkëndija ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në raundin e tretë të Ligës së Konferencës së UEFA-së.
Në rast të kalimit të NK Bravo-s, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e duelit ndërmjet Malishevës dhe Hibernianit.

