Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 19 Gusht
Dje, në ora 07:10, në SPB Tetovë është raportuar se në rrugën „146“ në Tetovë kishte shpërthyer zjarr në oborrin e një shtëpie, në pronësi të një 84-vjeçari. Nga zjarri ishte përfshirë bar i thatë, ndërsa zjarri është shuar nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve në Tetovë. Nuk ka persona të lënduar. Është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes.
……Dje, në ora 11:20, në rrugën „Braqa Gjinoski“ në Gostivar, zyrtarët policorë e kanë privuar nga liria një 60-vjeçar nga Gostivari. Gjatë kryerjes së ekspertizës pas një aksidenti trafiku, në të cilin ishte përfshirë me automjetin e pasagjerëve „Opel“, është konstatuar se e drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i janë matur 1.58 promilë alkool në gjak. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në ora 14:00, në SPB Gostivar është raportuar se në rrugën rajonale Gostivar–f. Raven ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet një automjeti transportues „Ford“ me targa të Gostivarit, i drejtuar nga një 31-vjeçar nga Gostivari, dhe një motoçiklete me targa të Gostivarit, e drejtuar nga një 48-vjeçar nga f. Raven, Gostivar. Në aksident, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Qendrën Urgjente në Gostivar. Është kryer ekspertizë nga ekipi hetimor i SPB Gostivar.
……Dje, në ora 19:00, në SPB Gostivar, një 50-vjeçar nga f. Zhirovnicë, me qëndrim në Gostivar, ka raportuar se rreth orës 12:20, para një ndërtese banimi në Gostivar, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme lidhur me një hapësirë parkimi, është sulmuar fizikisht nga tre persona të cilët i njihte. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
……Pas mesnate, në ora 01:00, në SPB Gostivar, një 38 vjeçar nga f. Senokos, Gostivar, ka raportuar se më 19.08.2026, rreth orës 21:00, në oborrin e fqinjit në f. Gradec, vajza e saj e mitur është sulmuar fizikisht nga fqinji. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Pas mesnate, në ora 01:35, në f. Banjicë e Poshtme, zyrtarët policorë e kanë privuar nga liria një 41-vjeçar duke vepruar pas një denoncimi paraprak nga një 46-vjeçar se para një objekti hotelierik, me një mjet të mprehtë i kishte drejtuar kërcënime dhe ishte përpjekur ta sulmonte fizikisht. Gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar se ai ishte nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i janë matur 1.25 promilë alkool në gjak. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje, në Tetovë, zyrtarët policorë të SPB Tetovë i kanë privuar nga liria tre persona të moshës, 62, 41 dhe 44 vjeçare, të gjithë nga Tetova. Zyrtarët policorë kanë vërejtur se njëri prej tyre po përpiqej t’i dorëzonte një substancë të bardhë pluhur dy tjerëve, të cilët ndodheshin në një automjet të pasagjerëve „Seat Ibiza“. Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, njëri ka sulmuar një zyrtar policor dhe është përpjekur t’ia marrë armën zyrtare. Gjithashtu, edhe djali i tij, ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Drejtuesi i automjetit, është larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë është gjetur dhe privuar nga liria, ndërsa automjeti është sekuestruar. Të tre personat janë mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë
Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë
Ambasada e Austrisë ka reaguar pas dëmtimit dhe largimit të një pjese të konsiderueshme të pajisjeve të reja për shënjimin dimëror të shtegut të Majës së Titos në Kodrën e Diellit, në gjatësi prej rreth 11 kilometrash.
Sipas njoftimit, më shumë se 45 nga gjithsej 112 shtylla janë shkatërruar, dëmtuar ose larguar, ndërsa dëmi financiar vlerësohet në të paktën 8 mijë euro, apo rreth 500 mijë denarë
Shënjimi dimëror është realizuar në kuadër të projektit “Slavkov – Shënjimi i shtigjeve malore në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur financiarisht nga Ambasadat e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, si dhe nga Birraria e Shkupit. Në realizimin e projektit kanë marrë pjesë më shumë se 25 vullnetarë lokalë dhe biznese të vogla nga Tetova dhe Bogovina.
Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar.
Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.
Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.
“Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI-ja e ka humbur betejën me shqiptarët, zgjedhjet do ta vulosin fundin
Mashtruesit e BDI-së, përpara se ta hapin gojën për zgjedhje, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale. Ali Ahmeti vazhdoi të shiste mjegull me trukun e vjetër të tërheqjes, Bujar Osmani humbi Çairin dhe mbeti nënkryetar dhe lojtar kryesor për fronin e BDI-së, Bajram Rexhepi humbi Tetovën dhe mbeti në kryesinë e partisë, ndërsa Faton Ahmeti u shpërblye për humbjen e tij në zgjedhje me dy poste të reja në parti, nënkryetar dhe shef i kabinetit të Ali Ahmetit.
Në BDI, me sa duket nuk ka përgjegjësi për humbjen, por humbësit shpërblehen.
E njëjta histori përsëritet në Haraçinë, Bogovinë, Tearcë, Strugë, Zhelinë, Saraj dhe Dollnen. Humbën zgjedhjet, por askush nuk lëvizi, askush nuk dha llogari dhe askush nuk e lëshoi karrigen.
Bisedat për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë vetëm për në shtëpi, për t’i mbajtur të njëjtët politikanë në kondicion dhe për t’u shitur shpresë se së shpejti do të kthehen në pushtet për të vjedhur përsëri. Por këto përralla nuk kalojnë më as në Reçicë të Vogël.
BDI-ja e di shumë mirë se më pak se një vit më parë, shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se çdo përballje e re me qytetarët do të thotë një tjetër shuplakë për ta. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta përfundojnë punën dhe kjo udhëheqje e pareformuar e cila funksionon si një politbyro, do ta dërgojnë direkt në pension politik.
Lajme nga vendi
Mickoski për vendimin e Abazit: 14 persona u dogjën të gjallë në spitalin modular në Tetovë, ndërsa Prokuroria nuk konstatoi përgjegjësi, rasti nuk ka përfunduar, gjithmonë mund të dalin detaje të reja
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se si e komenton vendimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, të udhëhequr nga Islam Abazi, për ta ndalur procedurën lidhur me ndërtimin dhe vendosjen e spitaleve modulare, pa ndjekje penale ndaj asnjë personi juridik apo fizik, theksoi:
„Opinioni duhet ta dijë se ky është një proces që zgjat tashmë 5 vjet. Proces i cili gjatë këtyre 5 viteve ka mobilizuar rreth vetes informacione të ndryshme. Por, ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se në spitalin modular në Tetovë u dogjën të gjallë 14 persona. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona në spitalin modular në Tetovë.
Për fat të keq, prokurori i cili tashmë është në largim – pasi, sipas informacioneve që kam, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar – supozoj se vendosi t’i përmbushë deri në fund detyrimet e tij ndaj qeverisë së mëparshme dhe nuk i bën përshtypje fakti që 14 persona u dogjën të gjallë. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona, kjo nuk do të thotë asgjë për të dhe vendos ta ndalë këtë proces.
Por, dua që opinioni ta dijë se kjo nuk është amnisti politike nga ana e këtij prokurori ndaj ish-urdhërdhënësve të tij, sepse gjithmonë mund të dalin detaje të reja që lidhen me këtë proces dhe gjithmonë ky proces mund të bëhet sërish aktual dhe të niset nga fillimi.
Kështu që, shumë herë i kam komentuar ato vendime në kuadër të sistemit tonë gjyqësor dhe për fat të keq një nga ato vendime skandaloze është edhe ky. Ajo që më huton mua dhe që vjen si mesazh nga opozita, është se deri dje ata që kritikonin për qasjen e organeve të drejtësisë, tani i lavdërojnë dhe janë plot lëvdata për punën e tyre dhe të ashtuquajturin objektivitet. Por, do ta përsëris, ky prokuror dhe njerëzit që e kanë udhëhequr këtë rast nuk gjetën prova për kryerjen e një vepre penale në një rast në të cilin njerëzit digjeshin të gjallë.“
-
Lajme nga vendi3 weeks agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoZv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane
-
Lajme nga vendi1 month agoKronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 08 Korrik

