Lajme nga vendi
Kopman: Bllokada për integrimin evropian është në Shkup, jo në BE
Drejtori i Zgjerimit të BE-së, Geert Jan Kopman, i cili largohet nga Komisioni Evropian më 1 janar, në një nga intervistat e tij të fundit në këtë pozicion, kur u pyet për ndryshimet kushtetuese, tha se “Bllokada është në Shkup, jo në BE”.
Kopman i bëri këto komente në një intervistë me “Ilva Tare” të Këshillit Atlantik për “Balkans Debrief” mbi pakon e zgjerimit të vitit 2026 të miratuar më 4 nëntor.
Kopman shpjegon pse udhërrëfyesit janë tregues dhe të bazuar në meritë, duke i përshkruar ato si “sfiduese dhe ambicioze”. Ai argumenton se progresi i Malit të Zi tregon se metodologjia e pranimit po jep rezultate. Ai gjithashtu paralajmëron se rajoni duhet ta shfrytëzojë këtë moment, përpara se zgjedhjet në shtetet anëtare të BE-së vitin e ardhshëm ta ndërlikojnë më tej ciklin politik.
Lidhur me bllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, Kopman tha se “Bllokada është në Shkup, jo në BE”, duke aluduar për ndryshimet kushtetuese.
“Vendi e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë për të hapur negociatat dhe kjo është në thelb një ndryshim në Kushtetutë. Kjo nuk është vetëm një çështje bullgare. Ky është qëndrimi i BE-së. Kjo është pjesë e përfundimeve të Këshillit. Vendi gjithashtu duhet të miratojë udhërrëfyes dhe një plan veprimi për pakicat. Janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim, megjithëse ndoshta jo gjithçka është përfunduar plotësisht ende. Por pa ndryshime kushtetuese, procesi thjesht nuk do të ecë përpara. Varet vërtet nga vetë vendi”, thotë Kopman.
Lajme nga vendi
MPB: Zgjidhet problemi me sigurimin shëndetësor të punonjësve tanë
Problemi me sigurimin shëndetësor të të punësuarve në Ministrinë e Brendshme është tejkaluar dhe të gjithë të punësuarit kanë përsëri sigurim shëndetësor, njofton Ministria e Brendshme në Maqedoninë e Veriut.
“Pas aktiviteteve të ndërmarra dhe koordinimit me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, problemi është tejkaluar me sukses, me ç’rast të gjithë të punësuarit në Ministrinë e Brendshme janë përsëri të pajisur me sigurim shëndetësor”, theksojnë nga MPB.
Ministria thotë se mbetet e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e punonjësve të saj, si dhe për të siguruar ushtrimin e papenguar të të gjitha të drejtave të punësimit.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 18 Nëntor
Dje në Stacionin Policor Tearcë, është privuar nga liria një 40-vjeçar nga fshati Përshevcë, rajoni i Tetovës. Ai ishte thirrur në orën 11:45 në stacionin policor për shkak të një kundërvajtjeje të kryer më parë, përkatësisht sepse nuk kishte ndaluar me automjetin e udhëtarëve në shenjën e dhënë për ndalim nga zyrtarët policorë. Gjatë bisedës zyrtare u konstatua se automjetin e udhëtarëve „Folksvagen Bora“ me targa të Tetovës e kishte drejtuar pa dhënë provimin e shoferit. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë parashtresë përkatëse.
……Dje në orën 16:05 në SPB Tetovë, një 63-vjeçar nga Tetova ka paraqitur se në periudhën nga 17.11.2026 nga ora 23:00 deri në orën 10:00 më 18.11.2026 në rr. „Nikolla Parapunov“ në murin e jashtëm të shtëpisë së tij ishte shkruar një grafit. Një ekip nga DPB Gostivar ka kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Djenë orën 19:30 në rr. „101“ në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar e kanë privuar nga liria një 27-vjeçar nga Gostivari, sepse gjatë kontrollit të kryer mbi të i janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe thikë. Ai është mbajtur në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihen kallëzime përkatëse.
……Dje në orën 22:45 në DPB Gostivar, një 44-vjeçar nga fshati Banjicë e Poshtme, rajoni i Gostivarit, ka paraqitur se rreth orës 21:10 para një objekti hotelerik në fshat, pas keqkuptimeve të mëparshme të ndërsjella, është sulmuar fizikisht nga fqinji i tij, me ç’rast ka goditur xhamin e vitrinës së objektit dhe e ka dëmtuar atë. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.
……Dje në orën 22:40 në SPB Tetovë, një 30-vjeçar nga Tetova ka paraqitur se më 17.11.2026 rreth orës 23:00 në Sheshin e Qytetit në Tetovë është sulmuar fizikisht nga dy persona nga fshati Poroj, rajoni i Tetovës. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
…….Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar ka ngritur kallëzim penal kundër një 35-vjeçari nga fshati Çegran, rajoni i Gostivarit, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për vepër penale të kryer „vrasje në tentativë“. Më 15.11.2026 në oborrin në fshatin Çegran, pas një fjalosjeje të mëparshme dhe përleshjeje fizike, i denoncuari me mjet të mprehtë i ka shkaktuar plagë shpuese një personi.
Lajme nga vendi
“SAFE CITY” FITON ÇMIM NDËRKOMBËTAR NË DUBAI!
Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve „World Police Summit Awards 2026“, të mbajtur në kuadër të Samitit Botëror të Policisë në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, iu dorëzua çmimi prestigjioz ndërkombëtar „Excellence in Road Safety“.
Maqedonia e fitoi këtë çmim për projektin „Qyteti i Sigurt“, si mirënjohje për reformat që Ministria e Punëve të Brendshme po i zbaton në fushën e sigurisë në komunikacion.
Projekti paraqet një qasje sistematike për avancimin e sigurisë në trafik, duke ndërthurur teknologjitë moderne, ndryshimet ligjore, zbulimin automatik të kundërvajtjeve dhe digjitalizimin e procedurave.
Në kuadër të Samitit Botëror të Policisë, ministri Toshkovski pati mundësinë t’u drejtohet përfaqësuesve të policive dhe pjesëmarrësve nga vende të ndryshme, gjatë fjalimeve hyrëse të samitit.
Si shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, Toshkovski përmendi hetimin e përbashkët të policisë së Maqedonisë dhe FBI-së amerikane kundër platformës ilegale online OLVX, e cila lidhet me tregtinë e të dhënave personale të vjedhura dhe mjeteve për krim kibernetik.
Ai theksoi se aktivitetet e ndërmarra në Maqedoni kanë kontribuar në sigurinë digjitale të qytetarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dorëzimi i këtij çmimi përbën një vlerësim ndërkombëtar për angazhimin e policisë së Maqedonisë në avancimin e sigurisë në komunikacion, por edhe një obligim shtesë për vazhdimin e reformave, modernizimin dhe zbatimin e zgjidhjeve bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.

