Sport
Gianni Infantino nderohet me “Medalje Presidenciale të Meritave” në Kosovë
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për herë të dytë ka shkelur në tokën e Kosovës, një vend me të cilin është thellësisht i lidhur dhe i familjarizuar. Kjo lidhje daton që nga 13 maji i vitit 2016, kur në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s, Kosova u pranua në këtë organizatë prestigjioze të futbollit botëror.
Kësaj radhe, vizita e Infantinos kishte karakter nderi, pasi ai u dekorua me “Medalje Presidenciale të Meritave” nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kreu i FIFA-s u prit ngrohtësisht nga presidenti Agim Ademi, bashkë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe një grup fëmijësh të programit “Grassroots”.
Gjatë pritjes, presidenti Ademi e cilësoi Kosovën si shtëpinë e Infantinos, ndërsa ky i fundit theksoi se ndjehet vërtet si në shtëpi, duke shtuar se populli i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, gëzon simpati dhe respekt të veçantë prej tij.
I pari i FFK-së i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që FIFA dhe personalisht Infantino i kanë dhënë futbollit kosovar ndër vite.
Në ceremoninë solemne të mbajtur në Prishtinë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, zv/presidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ambasadorë të akredituar në Kosovë, futbollistë të Kombëtares, legjenda të futbollit, gjenerata e sakrificës dhe drejtues të klubeve, Infantino u shpreh thellësisht i nderuar dhe i emocionuar për këtë vlerësim.
Presidentja Osmani në fjalën e saj theksoi se futbolli ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve që nga koha e luftës së vitit 1999.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë një familje e madhe kombesh. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike, sepse u ka mundësuar lojtarëve tanë ta bartin me krenari flamurin tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo, duke e cilësuar Infantinon mik të vërtetë të futbollit dhe të Kosovës.
Në fjalën e tij, pasi u dekorua me medalje, Infantino u shpreh mirënjohës për dekoratën dhe kujtoi momentet e para të përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit.
“Që nga dita kur u zgjodha president i FIFA-s, e dija se Kosova duhej të bëhej pjesë e familjes sonë. Përkushtimi i këtij vendi për futbollin ishte i jashtëzakonshëm. Futbolli bashkon popujt, i bën vajzat dhe djemtë të ëndërrojnë për të ardhmen e tyre”, deklaroi ai.
Infantino më pas e ftoi në skenë ekipin e Kombëtares së Kosovës, duke inkurajuar të gjithë të besojnë dhe të investojnë në brezat e rinj të futbollistëve.
Gjatë ceremonisë, si Osmani, ashtu edhe Infantino, përmendën me respekt të veçantë ish-presidentin e ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili luajti rol kyç në afirmimin e futbollit të Kosovës në skenën evropiane e botërore.
“Do të doja t’ia dedikoja këtë medalje Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. E kam takuar shpesh Fadilin dhe që në ato takime të para e kuptova forcën, rezistencën dhe guximin e popullit të Kosovës për të arritur qëllimet e veta”, shtoi Infantino.
Kjo është vizita e dytë e presidentit Infantino në Kosovë, pas asaj të shtatorit 2022, kur u takua me krerët më të lartë të shtetit.
Sport
BOKS: KRISTIAN PRENGA TË SHTUNËN SFIDON ANTHONY JOSHUAN
Xhide e Arabisë Saudite të shtunën është nikoqire e spektaklit të madh të boksit, ku në ring do të ketë 13 lufta me boksier të njohur, ndërsa dueli kryesor i mbrëmjes do të jetë përballja mes Anthony Joshua dhe shqiptarit Kristian Prenga.
Të shtunën më 25 korrik në Xhide të Arabisë Saudite zhvillohet një spektakël i madh i boksit profesionale mes 36 vjeçarit Anthony Joshuas dhe boksierit shqiptar, 25 vjeçarit Kristian Prenga.
Anthony Joshua ish-kampioni i botës në peshat e rënda do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë pas rikthimit në stërvitje, pas aksidentit tragjik automobilistik në dhjetor, ku humbën jetën dy miq të tij të ngushtë.
Boksieri shqiptar Prenga ka një bilanc të fortë prej 20 fitoreve dhe vetëm 1 humbjeje.
Interesant është fakti se të gjitha fitoret e tij kanë ardhur me nokaut. Joshua deri më tani në boksin profesional ka 33 luftëra prej të cila 29 fitore dhe 4 humbje. Para kësaj ngjarjeje, Joshua kishte mposhtur me nokaut Jake Paul në një duel që tërhoqi vëmendjen e madhe të publikut. Nëse fiton ndaj Prengës, britaniku pritet të finalizojë duelin e madh me Tyson Furyn, për të cilin mediat britanike raportojnë se marrëveshja tashmë është arritur.
Përballja mes Anthony Joshuas dhe Kristian Prengës do të zhvillohet të shtunën, më 25 korrik, në Jeddah Superdome, në Arabinë Saudite me fillim në ora 22;00. Në program janë plot 13 duele, ndërsa ndeshja kryesore e mbrëmjes do të jetë ajo mes Joshuas dhe Prengës.
Shaban Sinani – TV Koha
Sport
FIFA NIS HETIM NDAJ ARGJENTINËS
FIFA ka nisur një hetim disiplinor ndaj incidenteve që ndodhën pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1:0, ndërsa disa futbollistë argjentinas rrezikojnë pezullime të gjata.
Pamjet pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin “MetLife” në Nju Jersey shfaqën përplasje mes lojtarëve të të dyja kombëtareve. Sipas raportimeve, Leandro Paredes dhe Nahuel Molina ishin ndër protagonistët kryesorë të incidenteve. Paredes dhe Thiago Almada rrëzuan në tokë mesfushorin spanjoll Gavi, ndërsa Paredes u pa gjithashtu duke e kapur për fyti mbrojtësin Eric Garcia. Nga ana tjetër, Molina dyshohet se goditi me grusht Rodrin, ndërsa Nicolas Otamendi pati një përplasje të ashpër verbale me mesfushorin spanjoll.
Gjatë ndeshjes, Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa fillimisht u raportua se edhe Paredes ishte ndëshkuar pas fishkëllimës përfundimtare. Megjithatë, FIFA sqaroi se kartoni i kuq për Paredes nuk figuron në raportin zyrtar të arbitrit Slavko Vinçiç, duke e hequr atë nga evidencat disiplinore.
Pavarësisht kësaj, organi qeverisës i futbollit botëror ka konfirmuar hapjen e një procedure disiplinore. Në një deklaratë zyrtare, FIFA bëri të ditur se, pas shqyrtimit të raporteve të ndeshjes dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor, është emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të hetuar shkeljet e mundshme që lidhen me incidentet pas finales. Vendimi përfundimtar do të merret pasi të përfundojë raporti i hetimit.
Sport
Kupa e Botës 2030 me 64 ekipe? Vjen njoftimi i CONMEBOL
Kupa e Botës me 64 ekipe po bëhet gjithnjë e më shumë realitet. Në një postim në llogarinë e tij X, Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), njoftoi zgjerimin me 64 ekipe për edicionin e ardhshëm: “Edicioni tjetër do të luhet në shtëpi. Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të presin Kupën e Botës 2030. Një mundësi e shkëlqyer për futbollin, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës me një garë me 64 ekipe”. Këto fjalë tingëllojnë si një njoftim zyrtar, duke pasur parasysh se vetë Dominguez është një nga mbështetësit kryesorë të garës së zgjeruar.
Koha e njoftimit është praktikisht perfekte, duke pasur parasysh se disa ditë më parë, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se ideja po diskutohet dhe se ka një hapje të madhe ndaj mundësisë për një numër të tillë: “Të gjithë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në Kupën e Botës, jo vetëm Evropa apo Amerika Latine. Kjo është sigurisht një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet brenda komiteteve përkatëse pas këtij Botërori”.
Ndërsa CONMEBOL po shtyn përpara një Kupë Bote me 64 ekipe (ideja u hodh për herë të parë në mars 2025 nga presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait, Ignacio Alonso), ka nga ata, siç është Presidenti i UEFA-s, Ceferin, të cilët argumentojnë se është “një ide e keqe”. Për më tepër, presidenti i CONCACAF, Victor Montagliani, kishte shprehur gjithashtu kundërshtimin e tij. Përtej një zgjedhjeje sportive, është edhe politike: në fakt, CONMEBOL, mbështetësi kryesor i Kupës së Botës të zgjeruar, tashmë ka mbështetur Infantinon në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur në vitin 2027. Kjo është arsyeja pse tema e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 mund të bëhet një çështje kyçe.

