Lajme nga rajoni
KOSOVË: KUVENDI ZGJODHI QEVERINË KURTI 3
Mbrëmë u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye. Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional. Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.
Me 66 vota pro dhe 49 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi qeverinë e tretë të Albin Kurtit, e cila bëri betimin menjëherë pas votimit.
Kabineti i ri ka 20 anëtarë, përfshirë kryeministrin, 4 më shumë se i kaluari. Donika Gërvalla mbetet zv/kryeministre, por do të drejtojë edhe Ministrinë e Drejtësisë, pasi postin e saj të deritanishëm si kryediplomate e merr Glauk Konjufca, i cili bëhet edhe zv/kryeministër i parë.
Para votimit, Kurti prezantoi programin qeverisës, ku ndër të tjera kritikoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për dënimin me nga 45 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së.
“Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare dhe ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik dhe historik; për familjet e viktimave është i padurueshëm, përveçse i papranueshëm.”
Kurti paralajmëroi të njëjtën qasje edhe gjatë mandatit të tretë në dialogun me Serbinë.
“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme,” tha Kurti.
I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, premtoi edhe një investim prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes.
“Në katër vjetët e ardhshëm do t’i forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishopjmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë Made in Kosova”,
Më herët, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro dhe 44 kundër, si dhe u zgjodhën 5 nënkryetarët, përfaqësues të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, Listës Serbe dhe pakicave joserbe.
Lajme nga rajoni
Mes lotësh e dhimbjes, përcillen për në banesën e fundit katër anëtarët e familjes Kola
Mes dhimbjes e lotëve të afërmit e familjes së Arti Kolës, kanë hapur dyert e mortit për të përcjellë drejt banesës së fundit të dashurit e tyre që humbën jetën tragjikisht në Itali.
Në fshatin Gryksh të Peqinit 4 arkëmortet e familjes Kola mbërritën në orën e para të ditës së sotme.
Qindra shqiptarë u bashkuan në një dhurim parash për të bërë të mundur ardhjen e trupave në Shqipëri.
Familjarët më të afërt, nëna e Arti Kolës dhe vëllai i tij e familjarë të tjerë do të presin ngushëllimet për vdekjen tragjike të 4 personave nga e njëjta familje.
Qindra njerëz të pranishëm në përcjelljen e fundit të familjes Kola, mes heshtjes e zisë që ka kapluar këtë fshat sot.
Lajme nga rajoni
BRUKSELI PËRSHËNDETI KRIJIMIN E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, e përshëndeti formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokade politike.
Ajo përgëzoi Albin Kurtin për zgjedhjen në postin e kryeministrit, duke theksuar se ky është një moment i ri për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Në një reagim në platformën X, Kallas u shpeh e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë. Sipas saj, prioritet mbetet avancimi i reformave, që do të mundësonte zhbllokimin e mbështetjes financiare të BE-së në vlerë qindra miliona euro dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës.
Formimi i qeverisë u përshëndet edhe nga Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila e cilësoi zhvillimin si “lajm të mirë nga Prishtina” dhe theksoi se tani fokusi duhet të zhvendoset te reformat dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Kosovën.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, përmes zëvendësambasadorit Christian Böttcher, riafirmoi mbështetjen e Berlinit, duke e cilësuar Gjermaninë si partnere të fortë dhe të besueshme të Kosovës në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kuvendi i Kosovës u konstituua dhe qeveria e re u formua më 11 shkurt 2026.
Pas këtyre zhvillimeve, pritet zgjedhja e presidentit të ri deri më 4 mars, sipas afateve kushtetuese. Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill. Nëse deri në afatin e përcaktuar nuk zgjidhet kreu i ri i shtetit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.
Lajme nga rajoni
Tronditet Turqia, 35-vjeçari merr leje nga burgu dhe vret nënën, vajzën e tij dhe ish-gruan! I jep fund jetës
Turqia është tronditur nga krimi i rëndë. Mediat raportojnë që një 35-vjeçar i dënuar i quajtur Recep Cengiz mori leje nga burgu dhe vrau nënën e tij, vajzën e tij 8-vjeçare, ish gruan dhe më pas kreu vetëvrasje.
Cengiz kishte marrë një leje 11-ditore nga burgu ku po vuante një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime me armë.
Krimi ndodhi në lagjen Kuşkagız në Ankara ku 35-vjeçari fillimisht debatoi me nënën e tij 57-vjeçare, Aziz, përpara se ta vriste atë dhe vajzën e tij 8-vjeçare, Azra.
Më pas ai i futi trupat e tyre në bagazhin e makinës së tij dhe shkoi në shtëpinë e ish-gruas së tij, Ukan. Atje, sipas mediave turke, ai u maskua si shpërndarës dhe e vrau atë në hyrje të ndërtesës përpara se të qëllonte veten dhe t’i jepte fund jetës së tij.

