Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 08 Korrik
Dje në orën 20:30, në afërsi të një objekti hotelier në Tetovë, zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike në Tetovë kanë privuar nga liria personin një 19-vjeçar nga Tetova, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “vjedhje”, duke vepruar sipas denoncimit paraprak nga një 40-vjeçar nga Tetova, se po atë ditë nga automjeti i tij i udhëtarëve “BMV” me targa të Tetovës, i ishin vjedhur para dhe sende të tjera.
…..
Dje në orën 16:40 në SPB Tetovë, një 44-vjeçar nga fshati Novo Sellë e Tetovës ka denoncuar se më 07.07.2026 rreth orës 22:00 në rr. “Iliria” në Tetovë, djali i tij 16-vjeçar, pas një debati paraprak, është sulmuar fizikisht nga një i mitur, të cilin e njihte, i cili ka përdorur një send metalik.
……
Dje në orën 18:10 në DPB Gostivar është denoncuar se në rrugën lokale në fshatin Senokos të Gostivarit, automjeti i udhëtarëve “Mercedes” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga një 31-vjeçar nga fshati Toplicë e Gostivarit, ka goditur një këmbësor të mitur nga fshati Senokos. Nga aksidenti, lëndime të rënda trupore ka pësuar i mituri, të konstatuara në Qendrën Urgjente në Gostivar.
……
Dje në orën 18:15 në rrugën Gostivar–Tetovë, në nyjën pranë fshatit Kamjan, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Trafikun Rrugor Tetovë kanë privuar nga liria një 32-vjeçar nga fshati Gllumovë e Shkupit. Gjatë kontrollit të trafikut rrugor dhe matjes me radar, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet udhëtarësh “Volksvagen Polo” me targa të Shkupit, të cilin ai e drejtonte, dhe pas masave të ndërmarra është konstatuar se ai po e drejtonte automjetin me një shpejtësi prej 168 kilometrash në orë, në një vend ku shpejtësia e lejuar me shenjë komunikacioni është e kufizuar në 80 kilometra në orë. Ai është ndaluar në Stacionin Policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet padi përkatëse.
…….
Dje në SPB Tetovë, një 38-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës ka denoncuar se rreth orës 21:10 para shtëpisë së tij familjare në fshati Reçicë e Vogël, pas një mosmarrëveshjeje paraprake për hapësirën e parkimit, është sulmuar fizikisht nga fqinji i tij 66-vjeçar nga i njëjti fshat.
…..
Dje në orën 22:30 në rr. “Vëllezërit Milladinovi” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 50-vjeçar nga Tetova, në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 300 paragrafi 3 të Kodit Penal. I njëjti është shoqëruar dhe dorëzuar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
……
Dje në orën 01:20 në Departamentin Policor të Grupçinit, një 51-vjeçar nga fshati Dëbërcë e Tetovës ka denoncuar se nga një automjet udhëtarësh “Citroen” në lëvizje është hedhur një bombë dore drejt objektit të tij hotelier, i ndodhur përgjatë rrugës lokale në fshat. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa lëndime kanë pësuar një 57-vjeçar nga fshati Çiflik i Tetovës dhe një 60-vjeçar nga fshati Dëbërcë, të cilët ndodheshin në rrethin e restorantit. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në Spitalin Klinik të Tetovës për t’u ofruar ndihmë mjekësore. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga ekipi i ekspertizës nga SPB Tetovë, me ç’rast janë gjetur gëzhoja pistolete. Për ngjarjen është njoftuar Prokurori Publik nga PTHP Tetovë. Po ndërmerren masa dhe aktivitete për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
MPB: “ONE STOP SHOP” SË SHPEJTI ME SHQIPËRINË!
Kontrollet e përbashkëta kufitare “One Stop” tashmë funksionojnë në pikat kufitare me Serbinë dhe Kosovën, ndërsa me nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë do të përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi modern me të gjithë fqinjët që nuk janë pjesë e zonës Shengen, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga MPB bëjnë të ditur se tashmë është ulur koha e pritjes në pikat kufitare ku ky sistem është në funksion.
“Rezultatet tashmë janë të dukshme. Në Tabanoc, edhe pse këtë verë numri i udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 për qind, koha e pritjes është ulur ndjeshëm. Të njëjtën gjë e mundësuam edhe në Bllacë – Hani i Elezit, ndërsa me vënien në funksion të sistemit në Jazhincë – Glloboçicë e përmbyllëm zbatimin e kontrolleve të përbashkëta me Republikën e Kosovës”, thuhet nga MPB.
Me zbatimin e sistemit “One Stop”, qytetarët përfitojnë një ndalesë të vetme, një kontroll të vetëm kufitar dhe kohë dukshëm më të shkurtër pritjeje.
Zbatimi i sistemit “One Stop Shop” fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.
Më 16 qershor, Qeveria njoftoi se kishte miratuar vendosjen në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë.
Nevoja për një zgjidhje të tillë, sipas Qeverisë, dëshmohet më së miri nga fluksi i madh i udhëtarëve në pikat kufitare me Shqipërinë.
Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 kanë kaluar nëpër pikën kufitare Qafë Thanë.
Lajme nga vendi
LSDM-ja BËN THIRRJE PËR UNITET DHE DEBAT BRENDA PARTISË
Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së ka miratuar një konkluzion me të cilin u bën thirrje publike të gjithë individëve dhe grupeve që të zhvillojnë debat brenda partisë lidhur me, siç thonë ata, luftën kundër pushtetit kriminal të Hristijan Mickoskit.
Në kumtesën e publikuar pas mbledhjes së partisë thuhet se Komiteti Ekzekutiv vlerësoi se çdo debat që ka të bëjë me LSDM-në duhet të zhvillohet brenda partisë, përpara organeve dhe trupave të saj, e jo jashtë saj.
“Dyert e LSDM-së janë të hapura për secilin që ia do të mirën partisë dhe që ndan vlerat progresive. Vetëm përmes dialogut dhe ballafaqimit të argumenteve brenda partisë mund të zhvillohet debat, e jo përmes mediave apo iniciativave dhe platformave jashtëpartiake që i shkaktojnë dëm dhe e dobësojnë partinë nga brenda. Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë – LSDM po riorganizohet dhe po përgatitet për një luftë të fuqishme, të pakompromis dhe të organizuar kundër politikave të gabuara sociale, ekonomike dhe politike shkatërruese të VMRO-së, të cilat e shtyjnë shtetin drejt izolimit dhe qytetarët drejt varfërisë së thellë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia theksojnë se ka ardhur koha për bashkimin e radhëve, për guxim dhe për një luftë të vendosur kundër, siç e quajnë ata, pushtetit shpërdorues. Ata u bëjnë thirrje të gjithë socialdemokratëve dhe forcave progresive që të qëndrojnë “krah për krah”.
Këto përfundime të Komitetit Ekzekutiv dhe thirrja për unitet vijnë pas disa ditësh reagimesh dhe akuzash ndaj pjesëmarrësve në iniciativën “Biseda për të Ardhmen 12:05”.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në disa raste e ka kritikuar këtë iniciativë, duke e vlerësuar si përpjekje për ta minuar partinë.
Ai e quajti atë “Projekti ZNAM 2.0 – platforma për të ardhmen e Mickoskit”.
Sipas Filipçes, përplasjet e brendshme në LSDM po ndodhin në një moment jashtëzakonisht të papërshtatshëm, kur partia po kalon një proces të vështirë të rindërtimit të organizatave komunale dhe organeve partiake pas humbjes së rëndë në zgjedhje.
Lajme nga vendi
Nis gjykimi në Kumanovë: 25-vjeçari akuzohet për pesë vr’asje dhe dy tentativa, ja pse i ka kryer krimet
Në Gjykatën Themelore në Kumanovë ka nisur procesi gjyqësor ndaj 25-vjeçarit Trajko Bojkovski nga Staro Nagoriçani, i akuzuar për një seri veprash të rënda penale, duke përfshirë pesë vrasje dhe dy tentativa për vrasje.
I akuzuari u shoqërua në sallën e gjyqit nga punonjësit e policisë me pranga në duar. Ndërsa mediat po xhironin mbërritjen e tij, Bojkovski lëkundej në karrige dhe shikonte drejt tavanit, pa reaguar ndaj pranisë së publikut.
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka ngritur më parë aktakuzë ndaj tij, duke e ngarkuar për një vepër penale të vrasjes dhe disa vepra penale të të njëjtit formë të kualifikuar, si dhe për dy tentativa për vrasje. Sipas aktakuzës, duke qenë se ai ka privuar nga jeta me paramendim disa persona, rrezikon një dënim me burg prej të paktën dhjetë vjetësh ose me burgim të përjetshëm.
Prokuroria bën me dije se, sipas ekspertizave të kryera gjatë hetimit, ai i ka kryer veprat nga motive të tjera të ulëta, përkatësisht me qëllim të kënaqjes së pasioneve të tij seksuale mbi trupat e pajetë të grave.
Sipas aktakuzës, vrasja e parë është kryer natën mes 5 dhe 6 janarit të vitit 2025 në fshatin Kleçovcë, ku i akuzuari ka privuar nga jeta një grua të moshuar dhe të pafuqishme në shtëpinë e saj. Në periudhën mes 5 dhe 7 qershorit të vitit 2025, në fshatin Dragomancë, në mënyrë të ngjashme ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër.
Prokuroria e ngarkon atë edhe për faktin se më 22 korrik të vitit 2025, në fshatin Çellopek, ka tentuar të vrasë një grua, por është arratisur pasi ajo ka filluar të thërrasë djalin e saj.
Në aktakuzë thuhet se mes datave 17 dhe 18 janar të vitit 2026, në Nagoriçan të Vjetër, ai ka vrarë një grua tjetër, ndërsa mes datave 5 dhe 6 shkurt të vitit 2026, në Çellopek, ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër të moshuar dhe të pafuqishme.
Rasti i fundit, sipas Prokurorisë, daton më 9 shkurt të vitit 2026, kur në Çellopek ka tentuar sërish të privojë nga jeta një grua, por ka hequr dorë dhe është arratisur pasi ka dëgjuar një zhurmë.

