Lajme nga vendi
Marrëveshje kolektive mes komunës së Çairit dhe SPOGJSH
Sot Komuna e Çairit nënshkroi Marrëveshjen kolektive me Sindikatën e Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve – SPOGJSH. Avancimi i të drejtave, detyrimeve, përgjegjësive dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës së punëtorëve të Komunës së Çairit, si harmonizimin e pagave me rritjen e pagës minimale, rritjen e vlerës së regresit për pushim vjetor, pagesën e shpërblimeve jubilare janë disa nga çështjet që kanë të bëjnë me këtë marrëveshje.
“Aktin e nënshkrimit të Marrëveshjen kolektive e bëmë me kryetarin e SPOGJSH Trpe Deanoski dhe Kryetarin e Organizatës Sindikale në Komunën e Çairit, Sabit Shabani”, njoftoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu./Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Dje është denoncuar se një person 61 vjeçar nga fshati Sllatinë ka ndërruar jetë gjatë qëndrimit në një restorant
SPB Tetovë njofton se dje është denoncuar se një person ka ndërruar jetë gjatë qëndrimit në një restorant.
“Më datë 29.10.2025 në SPB Tetovë nga Spitali Klinik Tetovë është denoncuar se një ekip i Ndihmës së Shpejtë ka marrë një denoncim nga një objekt hotelierik në Tetovë se njërit nga mysafirët që po qëndronte ulur në njërën nga tavolinat ishte ndjerë keq, ndërsa kur kanë arritur në objekt, mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen e personit. Është konstatuar se bëhet fjalë për personin Q.M. (61) nga fshati Sllatinë.
Një ekip i SPB Tetovë dhe prokurori publik kanë kryer inspektim në vendin e ngjarjes, me urdhër të të cilit trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi”, njoftojnë nga SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Sela: Krekosja e këtij pushteti me njësi speciale nuk na frikëson! I reagon edhe VLEN
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela mbrëmë përmes një statusi në Facebook reagoi ndaj videove të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohej se ai ishte ndaluar nga Policia.
Sipas tij, këto tentime nuk do ta frikësojnë as atë e as Struganët që të dielën të votohet për Arsim Dalipin.
“Faleminderit të gjithë miqve për interesimin, shqetësimin dhe solidarizimin. Krekosja e këtij pushteti me njësi speciale, me maska e pa maska, nuk mund të na frikësojë as neve, as struganët, e as shqiptarët kudo që janë. Tentime të kota e qyqare që vetëm kanë shqetësuar dashamirët. Ju faleminderit nga zemra të gjithëve për solidarizimin dhe mbështetjen. Vazhdojmë përpara, të palëkundshëm dhe stoikë në misionin tonë. Keqardhje për ata që shpresojnë se me metoda të tilla mund të kthejnë diçka Bashkë në fitoren e 2 Nëntorit, Bashkë për dr. Arsim Dalipi”, ka shkruar Sela.
Pas reagimit të Selës, kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN, të cilët thonë se tentimet për të krijuar situatë në Strugë, ku, sipas tyre, nuk ka dhe as mund të ketë, janë dëshpëruese.
“Çdo përpjekje për ta lidhur koalicionin VLEN apo kandidatin që përkrahim, Mendi Qyrën, me çfarëdo tensioni të stisur, është e pavërtetë dhe jashtë çdo logjike politike. Pse do të duhej të krijonte tensione koalicioni apo kandidati që është favorit për të fituar zgjedhjet e 2 nëntorit? Logjika politike është e thjeshtë, ai që është në dëshpërim, tenton të krijojë situata të paqena për të paraqitur veten si viktimë në sytë e elektoratit një strategji që i shkon në favor kandidatit të Zijadin Selës dhe LEVICËS, Arsim Dalipit. I tërë opinioni publik e di se bashkëpunimi mes AKI-së dhe LEVICËS është evident, si në Tetovë, ashtu edhe në Strugë. Prandaj, këto përpjekje për të krijuar konfuzion janë të kota, të tejdukshme dhe dëshpëruese”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
TRAJNERI QATIP OSMANI LARGOHET NGA KF MALISHEVA
Nga dita e sotme trajneri tetovar Qatip Osmani përfundimisht ka mbyllur aventurën me ekipin e Malishevës në Superligën e Kosovës. Tekniku tetovar ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit dhe mëngjesin e sotëm është përshëndetur me futbollistët dhe është larguar nga skuadra. Në prononcimin e tij të parë për shkaqet e largimit na Malisheva thuhet
“Rezultatet nuk ishin ato që prisnim, dhe pas ndeshjes së fundit vendosa të jap dorëheqjen. Nuk ishte vendim i lehtë, por e ndjeva që ishte momenti i duhur për ta bërë. Dua të falënderoj lojtarët për përkushtimin,drejtuesit për mbështetjen e dhënë, stafin për punën që kanë bërë dhe gjithashtu tifozët,” ka thënë Qatip Osmani pas largimit nga Malisheva.
Qatip Osmani e mori drejtimin e Malishevës me ambicie për ta vazhduar ecurinë e mirë nga sezoni i kaluar por rrugës gjërat morën rezultatet nuk ishin ashtu si dëshiron ai .Por duke ditur sukseset e Qatip Osmanit si trajner ai dhe ndihmësi i tij Bashkim Livoreka shumë shpejt do të angazhohen në ndonjë skuadër tjetër
SHABAN SINANI – TV KOHA

